Liri e shprehjes apo diskriminim i pafre

0
1238
Bombe i en turban

Nga Arben Çokaj, 21 shkurt 2006

Ka diçka që nuk shkon në Danimarkë… së paku sipas programit “60 minuta” të CBS dhe agjencisë së lajmeve Associated Press. Danimarka paraqitet si një vend i vetëkënaqur dhe naiv në TV-në amerikane. Programi “60 minuta” e përshkruan Danimarkën si vend që vetëmburret, një komb biond aventuresk, që jeton jashtë realitetit të botës.

Ky është konkluzioni i gazetës daneze “Politiken” në një shkrim on-line të 20 shkurtit, lidhur me disa komente të fundit për karikaturat e Muhametit, të bëra nga emisioni “60 minuta” i kanalit CBS, si dhe komente të gazetarëve të agjencisë së njohur Associated Press.

Sirena e detit

Karikaturat e Muhamedit

30 shtator, gazeta daneze Jyllands-Posten publikon 12 karikatura të profetit Muhamed.

Tetor 2005, 11 ambasadorë nga vendet myslimane kërkojnë takim me kryeministrin Anders Fogh Rasmussen (V). Ata duan që ai të distancohet nga karikaturat. Kryeministri kundërshton.

Çështja zgjon indinjatë ndërmjet myslimanëve në Danimarkë, dhe një delegacion myslimanësh udhëton nga vendi në vend në shumë vende myslimane dhe kërkon dënim ndërkombëtar.

Në janar çështja kalon në bojkot të mallrave daneze në shumë vende arabike. Njëkohësisht disa ambasadorë danezë thirren që të vijnë në Danimarkë, dhe në Gaza digjet flamuri danez në rrugë.

Në shkurt ndodhin demonstrata brenda vendit, dhe çështja ngjall protesta të dhunshme në vende myslimane, ku shumë ambasadave daneze u vihet zjarri. /Politiken

Danezët vuajnë të duken si të veçantë; në narcizmin e tyre ata përpiqen që të tërheqin vëmendjen e të tjerëve. Në psikologjinë daneze të njeriut të ishullit, ekziston ideja, që më mirë të përmendesh për keq se sa të mos përmendesh fare.

Kjo ndjenjë i çon ata deri në marrëzi. S’ka dyshim që ata mund të ndjehen krenarë edhe me skandalin e tyre të fundit, nëse kjo nuk u shkakton atyre një frikë të papërballueshme dhe dëm të pariparueshëm nga përmasat e protestave, dhunës, djegies së ambasadave apo flamurit të tyre…

Mesazhi ishte i qartë: bota islamike nuk lejon askënd të tallet me figurën e profetit të tyre, pavarësisht pretendimit të lirisë së shprehjes, që ekziston në vendet e konsideruara si demokratike. Liria e shprehjes nuk mund të kthehet në diskriminim të pafre të tjetrit, dhe të shkojë përtej lirisë së tjetrit.

Kondensimi i efekteve negative anti-islamike në politikën daneze, ka ardhur gradualisht duke u rritur në dekadën e fundit, me rënien e pashmangshme ekonomike që shoqëron shoqëritë “sociale” evropiane, të cilat pas luftës së dytë botërore themeluan të ashtuquajturin sistem të begatisë.

Një parti e djathtë daneze, e cila drejtohet nga një grua mediokër me emrin Pia Kjaergaard, profesioni i së cilës ka qenë ndihmëse shtëpiake para se të merrej me politikë, mblodhi 15 % të votave në zgjedhjet e fundit parlamentare. Koalicioni i djathtë ka aplikuar në vend ligje diskriminuese, si marrjen e qëndrimit të përhershëm për të huajt në Danimarkë nga 3 vjet që ishte në 7 vjet; lejimin e martesave për qytetarët, që nuk kanë shtetësi daneze, e bëri 24 vjeç (thyerje flagrante e të drejtave të njeriut, pasi martesa lejohet për persona mbi 18 vjeç), gjoja për të penguar martesat me mblesëri të myslimanëve që jetojnë në Danimarkë. Këto kufizime dhe të tjera të kësaj natyre, e kanë rritur ndjeshëm tensionin ndërmjet danezëve etnikë dhe të huajve, që nga koha e ardhjes në pushtet të koalicionit të djathtë, që drejtohet nga liberali Anders Fogh Rasmussen.

Pra, nuk është aspak e rastit, që në Danimarkë, një nga gazetat më të fuqishme publikon 12 karikatura të profetit Muhamed, madje është një majë ajsbergu që doli në dritë tani, në politikën e izoluar daneze. Politikat kundër të huajve në Danimarkë kanë për qëllim gjetjen e një shkaku të tretë, e një rrugëkalimi të mllefit për mossuksesin e sistemit social, tek një palë e pafajshme, e pafuqishme, e cila diskriminohet për shkak të besimit, ngjyrës së lëkurës, apo flokëve të zinj. Të huajt në Danimarkë, as mund ta përkeqësojnë apo përmirësojnë gjendjen ekonomike të Danimarkës, por ata shpeshherë përdoren si mish për top për qëllime të errëta elektorale, si ftohës i motorit danez me djegie të brendshme.

Kanibalizëm

Diçitura në fjalë paraqet një qytetar danez duke i ngrënë këmbën një gruaje me ngjyrë…

Mësimdhënësi danez i shkollës së lartë, Soeren Iversen, shkruante në vitin 2000 në gazetën Politiken, se: “Danezët janë bërë kanibalë. Pasi vetëm duke kullufitur ata, që nxjerrin në pah mungesën e identitetit dhe të personalitetit tonë, ne do mund të mbajmë gjallë imazhin tonë si individë dhe si popull.”

Shkrimin e tij plot mllef, Iversen e ilustron me tregimin “Shqetësime në periferi” të shkrimtarit Leif Panduro: “Një shtëpi e veçuar, komforte dhe e rregulluar mirë, zihet nga një person krejtësisht paqësor por me pamje të huaj, i cili kishte nofulla të fuqishme, mollëza të stërzmadhuara, dhe tipare, që pak ngjanin me ato të evropianëve nordikë.

Banorët e lagjes, të cilët e kanë karakteristikë mungesën e identitetit dhe të personalitetit të tyre, i kap një ankth i madh, pasi anonimiteti dhe indiferenca e tyre bëhet papritur e dukshme. Ata vendosin të bëjnë diçka, pasi “nuk mund të vazhdojë kështu”. Duhet vepruar! Dhe historia tregon se ata, në një natë të zezë, futen në shtëpinë e të huajit, e vrasin atë dhe më pas e hanë.”

60 Minuta

Danimarka nuk është vetëm vendlindja e Hans Christian Andersenit – vendi banohet edhe nga aventurat e tij, tingëllon si prelud fillimi i programit “60 minuta” të CBS, i cili u shfaq në mbrëmjen e 19 shkurtit.

Ndërsa shfaqeshin pamje nga Nyhavn (lagje e vjetër e Kopenhagës) dhe ndërrimi i turneve në Amalienborg (oborri mbretëror), gazetari pyet me qesëndi, si ka mundësi që ky vend i bukur dhe i vogël i quajtur Danimarkë të iniciojë protesta kaq të dhunshme në Lindjen e Mesme? Danimarka ka kaluar në krizën e saj më të madhe, kriza e vetme në një gjysëm shekulli. Që nga Lufta e Dytë Botërore, danezët kanë qenë të lumtur për vendin e tyre, për sistemin e tyre të begatisë dhe mbi të gjitha, të kënaqur me vetveten, thuhet më tej me mirësjelljen amerikane. Në ekran paraqitet një grua bionde me një buzëqeshje të madhe dhe vathët që i shkëlqejnë.

“Kufijtë ndërmjet fantazisë dhe realitetit është vështirë të gjenden në këtë vend. Garda mbretërore përpara pallatit mbretëror ngjan me ushtarë lodrash. Simboli nacional i tyre është një sirenë deti gjoksjashtë, në bregdetin Kopenhagës,” thotë gazetari Bob Simon. Pastaj paraqitet një klip nga një shfaqje mode, ku të gjitha modelet kanë flokë të gjatë dhe të verdhë. Gazetari komenton, se kështu u prezantua moda, njëkohësisht me ndezjen flakë të ambasadave daneze… Kjo formë sarkazme tregon indiferencën daneze për ngjarjet e rrezikshme që ndodhin rreth saj. Korrespondenti Bob Simon raporton nga Kongens Nytorv (Sheshi i Mbretit) me një pamje në sfond të selisë qendrore të gazetës Jyllands-Posten, si “bastion i lirisë së shprehjes”.

“Ne mbrojmë të drejtën për të qenë budallenj” – thotë Toeger Seidenfaden, kryeredaktori i gazetës “Politiken” – “Të jesh budalla është një pjesë e lirisë së shprehjes” – sqaron Seidenfaden. Ai nënvizon se duhet të tregohemi të kujdesshëm në përdorimin e lirisë së shprehjes për sa i përket shkeljes së të drejtave të minoriteteve në lidhje me shoqërinë myslimane në Danimarkë, e cila përbën rreth 2 përqind të popullsisë.

“Jyllands-Posten nuk ka qenë e vetëdijshme për reagimin e fuqishëm ndërkombëtar që morën karikaturat e publikuara,” thekson Seidenfaden, “siç thonë, ata e bënë këtë për t’u mësuar myslimanëve në Danimarkë se, në shoqërinë daneze ata duhet ta pranojnë se do të tallen, imitohen dhe përçmohen”.

Ndërsa ish-ministri i jashtëm danez, Uffe Elleman-Jensen – ndoshta një ndër politikanët më të zgjuar të këtij vendi, thekson: “Kur ti e përdor lirinë e shprehjes për t’u tallur me fetë e popujve të tjerë, dhe ti e bën këtë me qëllimin e vetëm për të demonstruar se ke të drejtë ta bësh këtë gjë, atëherë ti në të vërtetë po e minon këtë liri të shprehjes, me sa kuptoj unë.”

“A është kjo që ti mendon se bëri gazeta? A mendon se ajo qëllimisht provokoi vetëm për të treguar se kishin të drejtë për ta bërë këtë?” pyet gazetari Simon.

“Po. Dhe unë kam reaguar me forcë pasi myslimanët në Danimarkë — posi, ata janë minoritet, dhe minoriteti nuk trajtohet në atë mënyrë. Nuk duhet të njollosësh ndjenjat fetare të një populli tjetër. Kjo është një shije e keqe,” thotë Elleman.

Liria e shprehjes përkundër ndjenjave fetare. Forca konfliktuale që ndeshen në beteja gjithandej. Danezët në pikturën e tyre të botës perfekte, mund të kenë menduar se janë imunë. Tani ata e dinë këtë gjë më mirë.

Kritikë edhe nga media me zë të fuqishëm si Associated Press

“60 minuta” nuk është i vetmi kanal amerikan, që e paraqet Danimarkën si një vend jashtë realitetit të botës që e rrethon. Agjencia amerikane e lajmeve Associated Press (AP) raporton nga Danimarka me anë të intervistave të myslimanëve lokalë dhe duke cituar Soeren Espersen – anëtarin e “Dansk Folkeparti, për deklarata anti-myslimane.

Shumica mendojnë, se kriza me karikaturat ka shkaktuar një dëm të pariparueshëm besimi ndërmjet myslimanëve dhe danezëve etnikë – shkruan AP. Gazetarët e AP-së citojnë një mysliman të ri që thotë, se ai “provon të integrohet”, por nuk merr asnjë ndihmë nga danezët. “Ndoshta ngaqë kam flokë të zinj” – përfundon ai.

Konkluzion

Ajo që çdo njeri normal, me një intelekt mbimesatar, vëren kur hyn në shoqërinë daneze, është fakti se danezët janë një popull irritues që nuk pyesin shumë për ndjenjat e tjetrit, përderisa mendojnë se janë dominantë në një terren të caktuar. Veprimet e tyre të pakontrolluara, në atë ftohtësinë karakteristike nordike, të shoqëruara me një mosvarje apo skizofreni hamletiane, marrin njerëz në qafë, duke mos pyetur për njerëzi apo konsekuencë.

Gazetat daneze – të cilat përveç “Ekstra Bladet” subvencionohen të gjitha nga shteti – nuk janë në gjendje të kritikojnë padrejtësitë që bën sistemi në Danimarkë, as mund të bëjnë karikatura të mbretëreshës daneze, e të tjera të kësaj natyre. I vetmi kanal ku liria e shprehjes shfryn nga bllokimi që i krijon sistemi në përgjithësi, janë gjërat pa rëndësi, apo vlerat e shenjta të të huajve, psh. të myslimanëve, vlera që danezëve u duken qesharake, meqë ata vetë nuk kanë asgjë të shenjtë – veç frikës…

Identiteti i vlerave të sistemit e dominon në shoqëritë evropiane identitetin individual. Fytyra e sistemit është fytyra që duket në lëkurën e dhunuar lëmueshëm të njerëzve që formësojnë shoqëri të tilla. Absorbimi i dinjitetit personal nga dinjiteti i përbashkët shoqëror, ngjan me sistemin e kolektivizimit të të drejtave njerëzore dhe shoqëria daneze mban përgjegjësi edhe për atë që një gazetë qendrore e saj publikon me qëllim. Në një shoqëri të hapur të konkurrencës së lirë, këto absurditete nuk mund të ndodhin!

LEAVE A REPLY

Ju lutem, lini komentin tuaj!
Ju lutem, fut emrin tuaj këtu