Rastësisht në politikë

0
877

Nga Arben ÇOKAJ, 5 maj 2007

Dy-tre ditë pasi gazeta “Standard” botoi shkrimin tim “Një rrugë për në Shkodër…” me datë 13.04.2007, strukturat e qeverisjes në qendër vepruan dhe rruga nacionale e hyrjes për në Shkodër në drejtim të Koplikut filloi të ndërtohej. Kjo rrugë tashmë është shtruar dhe ka dalë një mrekulli, në krahasim me gjendjen në të cilën ishte. Të vjen mirë kur sheh se qeverisja e sotme ka një prirje pozitive që të dëgjojë sugjerimet e mira, me qëllim përmirësimin e cilësisë së jetës së banorëve dhe imazhit të Shqipërisë, por njëkohësisht të vjen keq kur sheh se ka një numër të caktuar drejtuesish dhe të zgjedhurish edhe nga e djathta, të cilët janë pasivë, apatikë, pa përvojën e duhur dhe të ndikuar nga modeli i vjetër i qeverisjes. Kjo është Shqipëria sot!

Vendi ku deputeti shitet lirë

Gjatë fushatës së zgjedhjeve të 3 korrikut 2005, mbulova sektorin e shtypit të një kandidati të PD-së për deputet, i cili më zhgënjeu pa u zgjedhur akoma. Mund ta kisha dëmtuar rëndë, sikur 10 ditë para zgjedhjeve të tërhiqesha publikisht nga fushata e tij, por principet politike dhe morale ishin më të forta se kokëshkrepjet e momentit dhe unë e bëra timen. Qëndrova edhe pse e mora vesh se kandidati që unë mbështetja ishte blerë për pak para nga pronari i një firme lokale ndërtimi. Ai ishte mësuar të thoshte se nuk donte të bëhej deputet vetëm për një rrogë. Mendova: “ky njeri shitet lirë…“.

Rruga nacionale në hyrje të Shkodrës - e shtruarRruga në hyrje të Shkodrës – e shtruar pas artikullit:
Një rrugë për në Shkodër…(1)” | Shiko rrugën e paasfaltuar

Kultura politike e një pjese të mirë të politikanëve tanë është sharlatane. Pa dhënë kontribut politik, pa pjesëmarrje në politikë, në Shqipëri mund të bëhesh edhe deputet, ministër, milioner etj. etj. Kjo për vetë mekanizmin e përzgjedhjes që përdoret, për vetë kushtet tranzicionale në të cilat vazhdon të ndodhet Shqipëria, ku një pjesë e madhe e trurit shqiptar ka qenë e detyruar të emigrojë në vendet e perëndimit dhe ku jetën politike shqiptare vazhdon akoma ta sundojë epoka e mushkut dhe jo e trurit! Politika në Shqipëri fatkeqësisht vazhdon të jetë një domen i muskujve të fortë dhe jo i trurit të mençur.

Kur nuk të përmendin për mirë

Ka vite që ka ndodhur. Një nuse e re, e martuar në një zonë të Mbishkodrës, iku nga shtëpia e të shoqit, me të cilin kishte pak javë që ishte martuar. Kur e pyeten nusen e re se pse kishte ikur, ajo në konfidencë ishte shprehur: “Meqë askush nuk më përmendi për mirë, thashë të më përmendin për keq…” Qofsha i gabuar, por këtë histori e solla ndërmend, sapo pashë këto ditë deputetin e ri dhe “antikomunist” Gilman Bakalli të tërhiqej nga grupi parlamentar i PD-së. Ai nuk ishte në gjendje që në dy vjet deputet të faktorizonte vetveten dhe meqë besonte se kishte vlera të pazbuluara akoma, bëri një veprim sa naiv aq edhe të papërgjegjshëm.

Kur hyn në politikë, hyn në grup dhe si i tillë duhet edhe të dalësh, pavarësisht kostos. Por mentaliteti në Shqipëri, e bashkë me të, edhe në Shkodër, ka ardhur duke ndryshuar viteve të fundit, si rrjedhojë edhe e ndikimit të telenovelave meksikane, apo e një ëndrre për të zgjidhur hallet e jetës brenda ditës dhe me rrugë të lehta. Asnjë shoqëri nuk i zgjidh hallet e jetës me një shkop magjik, kot ëndërrojmë! Vetëm përmes punës shërohen plagët e shoqërisë dhe mund të shohim frytet e një shoqërie që fillon e ecën mbi principe të drejta.

Është për t’u habitur se si ka mundësi që z. Bakalli, i cili ka studiuar në Austri për gjermanistikë, të ketë marrë aq pak nga karakteri politik i racës gjermane. Duket se si shkollar ai ka qenë i fokusuar më shumë në termat gjuhësorë sesa politikë apo komunikativë. Këto ditë ai ngjante më shumë me një fëmijë të llastuar, që ankohej për znj. Topalli.

Kur merr më shumë se të takon

Princesha e Uellsit, Diana, i solli mjaft kokëçarje familjes mbretërore, vetëm sepse nuk e njihte sekretin mbretëror. Kur ajo u ndodh brenda familjes mbretërore, kujtoi se ky atribut i përkiste bukurisë së saj, apo virtytit të veçantë që mund të kishte. Kjo i hëngri asaj kokën, atë kokë të bukur princeshe, që e donin të gjithë. Edhe tek ne, disa deputetë pa kontribut politik, kujtojnë se u bënë të tillë sepse ishin të bukur, kishin lindur me këmishë apo kishin atribute të veçanta. Dhe pavarësisht faktit, nëse kanë apo nuk kanë të drejtë, disa prej tyre nuk ia dinë vendin vetes.

Kujtoj me këtë rast deputetin Lesi, i cili duke qenë një gazetar me përvojë, e tregon veten tepër naiv për të kuptuar paskuintat e skenës së politikës shqiptare. Le më deputeti Bakalli, apo deputetja Trashani, të cilët erdhën në politikë, siç mund të specifikohet në raste të tilla, duke u marrë diku nga rruga… Sepse në të njëjtën mënyrë, pak a shumë, kishte hyrë në politikë edhe përzgjedhësja e tyre znj. Topalli, e cila ka një ndikim tepër të madh në politikën shkodrane, dhe besonte se sa më naivë të jenë deputetët e Shkodrës, aq më shumë do të dilte në dritë roli i saj, dhe aq më i madh do të ishte përfitimi politik i saj, etj. Gabim!

Gabohet rëndë edhe ndonjë deputet tjetër, ministër a kryetar bashkie, që duke afruar afër vetes njerëz të paaftë, me 8 klasë shkollë, dhe duke shtyrë njerëzit e aftë e me përvojë, mund të arrijnë sukses. Ata mund të vjedhin kështu para publike, por sukses nuk ka! Njeriut të paaftë, injorant dhe pa përvojë i shihet sherri, jo të aftit! Prandaj, politika moderne perëndimore i zgjedh njerëzit sipas kontributit dhe pjesëmarrjes në politikë dhe jo sipas shijes provinciale të shërbëtorit!

Deti i qetë, sepse është i thellë

Në një intervistë të poetit të talentuar Gjekë Marinaj me një atdhetar shqiptar në Florida, Prenkë Gruda, tek libri i tij me intervista “Ana tjetër e pasqyrës” mund të veçohet: “Më ftoi në makinën e tij, të cilën nga gjendja e rëndë shëndetësore që po kalonte, kishte javë që nuk e kishte ndezur, dhe u nisëm. Ndaloi diku pranë detit. “Gjekë”, më tha duke bërë me dorë nga deti, “shikoje detin! Nuk është i turbullt sepse është i thellë. Cektësia i turbullon gjërat. Matu me detin kur shkruan, kur interviston dhe kur komunikon me njerëzit. Duaje njeriun dhe Shqipërinë, sa do ky det bregun e vet!” Fjalët e Grudës e kanë komentin brenda vetes për këta politikanë shkodranë që bëjnë akrobacira, në vend që të bëjnë punën për të cilën paguhen, në shërbim të komunitetit që i ka zgjedhur!

Le të kthehemi tek z. Bakalli, i cili disa muaj pasi u bë deputet, i tha miqve të tij, se tani dëshironte të bëhej kryetar Bashkie në Shkodër. Dhe nuk do të ishte keq, po të krahasohen cilësitë intelektuale të z. Bakalli me ato të kryetarit aktual të Bashkisë së Shkodrës. Por mekanizmi në politikë, dhe për më tepër këtu në Shqipëri, është i tillë, që përzgjedh shërbëtorin më të mirë të atij që ka pushtetin, jo njeriun e aftë, i cili di të bëjë punën më mirë se dikush tjetër, në një moment të caktuar. Se po të bëhej përzgjedhja sipas kritereve të aftësisë, dhe shërbimit që ata mund t’i afrojnë komunitetit, jam i bindur plotësisht se Shkodra ka njerëz që punën e kryebashkiakut mund ta bënin më mirë se kryetari aktual, apo se vetë aspiranti Bakalli.

Nuk po hyj të analizoj mekanizmin banal që e çon z. Bakalli apo dikë tjetër të kërkojë pushtet ekzekutiv, ku luhen para e tendera publikë, sepse ky është i njëllojtë për të gjithë, edhe për z. Bakalli, edhe për znj. Topalli. Sot e ka radhën znj. Topalli, i pëlqen apo jo deputetit të revoltuar. Kam përshtypjen se pavarësisht ndrydhjes që strukturat e PD-së i kanë bërë deputetit të ri, ai përsëri ka patur mundësi të gjejë hapësira manovrimi brenda strukturës, që e ka zgjedhur, për të realizuar jo të gjitha, por një pjesë të atyre pretendimeve të tij, për të cilat ka hyrë në politikë.

Edhe duke qenë jashtë politikës vendimmarrëse, ekziston mundësia që t’i ndikosh gjërat për mirë kur ke një vullnet të mirë. Por shpirti fisnik, vullneti pozitiv, apo dëshira për t’i bërë gjërat më mirë se ç’janë, kundërshtohet me forcë nga një tendencë sociale për t’u faktorizuar në një kohë rekord, dhe ndërgjegjia e sëmurë revoltohet kur ndeshet me mosrealizimin, për shkak të pengesave nga po të njëjtit njerëz, të cilët gjithashtu e shohin politikën si mjetin e duhur për të mbushur xhepat e tyre dhe jo për të sjellë diçka të mirë për banorët dhe komunitetin. Por në rastin konkret asnjëra palë nuk synon të mirën, prandaj ndodhin edhe incidentet banale.

Dua ta mbyll po me një shembull interesant të një njeriu të pushtetshëm amerikan, i cili krijoi sidoqoftë dinastinë e tij në politikën amerikane. Bëhet fjalë për ish-presidentin amerikan, Xhorxh Bush, i vjetri. Në intervistën e tij, të dhënë për poetin Marinaj, në librin e sipërpërmendur ai tregon se: “Kur isha fëmijë, pas një ndeshje futbolli, iu mburra mamasë: “Kam bërë kaq apo aq gola sot!” Mamaja ma ktheu: “Nuk ka rëndësi sa gola ke bërë bir, rëndësi ka cila skuadër ka fituar…” Kujto se e ëma e Xhorxh Bushit, ia ka dhënë këto këshilla të birit para 50-60 vjetësh, kur ne as sot nuk kemi arritur në koncepte të tilla. Prandaj i biri u bë president!

Njëkohësisht, mund të sjellim ndërmend ndeshjet e futbollit të kombëtares sonë, ku futbollistët tanë të talentuar por individualistë, na japin një performancë më të mirë se skuadra kundërshtare, ndonëse hanë më shumë gola se sa shënojnë… A mos ka defekt shkolla jonë, që nuk i përgatit nxënësit që të punojnë në skuadër, por i lë të krekosen individualisht, duke krijuar kaos dhe jo rezultate?! Apo është faji i një shoqërie që vazhdon të vuajë mungesën e standardeve të një ekonomie konkurruese tregu?! Siç duket, tek ne nuk kemi treg për konkurrencë vlerash!

Të kthehemi tek politika. Politikanët tanë kanë nevojë të mësojnë më shumë, se si t’i dominojnë veset e tyre, instinktet. Ata duhet të dëgjojnë më shumë dhe të tregohen më të qetë. Nuk është e rëndësishme të hapësh barkun politik para popullit. E rëndësishme është të arrish rezultate dhe jo me një të rënë të lapsit, apo me një diskutim diletant në foltoren e parlamentit, por me punë e përkushtim, për të përmirësuar gjendjen tejet të vështirë të këtij populli, e bashkë me të edhe gjendjen ekonomike dhe jetëgjatësinë në politikë të secilit politikan, që i është dhënë mundësua të jetë aktor në politikë.

Botuar në: Shekulli, 11.05.2007 | Standard, 08.05.2007

LEAVE A REPLY

Ju lutem, lini komentin tuaj!
Ju lutem, fut emrin tuaj këtu