Kartat e identitetit dhe inkriminimi i një shoqërie informale

0
1804
Karta identiteti

Nga Arben Çokaj, 16 janar 2009

Fotografia biometrike nga njëra anë merret për identifikim, ndërsa shenjat e gishtave në anën tjetër për inkriminim. Pse duhet të penalizohet në mënyrë hipotetike një shoqëri e tërë? Në rast se ndodh një krim diku, dhe organet e sigurisë kanë si provë edhe shenja gishtash, databaza e qytetarëve shqiptarë do kërkohet se mos shenjat e gjetura korrespondojnë me një person të caktuar në databazë. Teknikisht nuk ka asgjë të keqe këtu, por, a mund të gabohet në një rast të tillë? Dhe më e keqja, sa të sigurtë jemi përkundrejt manipulimit? Shenjat e gishtave të marra nga databaza mund të projektohen mbi një skenë krimi për të shpikur autorin e krimit.

Ka raste edhe në vende të ndryshme, që organet e sigurisë e shpikin autorin e krimit për të justifikuar paaftësinë e tyre në gjetjen e autorit dhe shenjat e gishtave janë një mjet identifikimi i fortë, i cili edhe mund të manipulohet për qëllime të caktuara. Shoqëritë perëndimore nuk e kanë aplikuar këtë metodë identifikimi, vetëm kundrejt emigrantëve si potencialisht kriminelë, jo se nuk dinë dhe se nuk kanë para për ta bërë, por qytetarët e mësuar me mundësitë e abuzimit nuk e lejojnë lirinë e tyre të shpërdorohet apo vihet në dyshim nga organet e sigurisë. Unë nuk di asnjë vend të zhvilluar perëndimor që aplikon një metodë të tillë regjistrimi me shenja gishtërinjsh. Edhe fotografia biometrike nuk ka nevojë të bëhet një statujë e fryrë politike sikur po shpikim rrotën. Është një proces thjesht paksa më i shtrenjtë dhe paksa më i saktë.

Siguria e kartave shqiptare të identitetit nuk vjen vetëm nga elementët e sigurisë së kartës, por varet ndjeshëm edhe nga serioziteti i organit që e lëshon dhe sidomos nga serioziteti i politikës që luan shteti shqiptar. Nuk mund të integrohemi vetëm sepse bëjmë disa karta të sigurta, po nuk e shoqëruam këtë tendencë integrimi me një shtet të rregullt, me dinjitet dhe më pak korrupsion e banalitet shtetformues. Duket se kryeministri Berisha do që të kompensojë shkallë e lartë të pasigurisë në vend, krimet që ndodhin tek ne edhe qëllimshëm, dhe demokraturën që ofron pas 18 vjetësh, me një kartë plastike, ku dëshiron ta mbushë me shenja gishtërinjsh të shqiptarëve, për të treguar se është i besueshëm.

Histeria e radhëve për t’u pajisur me kartat e identitetit në Tiranë vjen më tepër si rezultat i kërcënimeve dhe sanksioneve të bëra nga qeveria shqiptare në lidhje me këtë proces, se sa nga ideja që kartat e identitetit janë çelësi i zgjidhjes së halleve të qytetarëve. Me sa di unë, asnjë vend i BE-së nuk i ka detyruar banorët e tij, që të japin shenjat e dhjetë gishtave për t’i depozituar ato në një chip. Një databazë, që ruan të dhënat personale të njerëzve, bëhet monopol i një firme të huaj Sagem Securité, e cila bashkëpunon me një firmë shqiptare Aleat shpk dhe Ministrisë së Brendshme.

Firma që ka fituar tenderin me koncesion të kësaj marrëveshjeje, bën atë që i kërkojnë. Por marrja e shenjave të gishtave në këtë botë të informacionit dhe të teknologjisë së lartë, jo vetëm që rrit koston e prodhimit të kartave, rrit koston dhe kohën e punës për t’i lëshuar ato, por dëmton ndjeshëm dhe pashmangshëm edhe sigurinë e qytetarëve shqiptarë. Kartat e identitet dhe pasaportat biometrike mund të kenë shkallë të lartë sigurie edhe pa qenë e nevojshme të kenë shenjat e gishtave. Konfigurimi i kockave të fytyrës në një fotografi biometrike është i mjaftueshëm për sigurinë që kërkohet.

Në botën e rrezikuar shqiptare e plot halle, dhënia e shenjave të gishtave për qytetarët shqiptarë dhe cenimi i sigurisë përmes tyre tingëllon ndoshta sot si qesharake, por duke pasur parasysh faktin, se me anë të kësaj teknologjie, koncentrohet më shumë pushtet në më pak duar, një ditë dhënia e shenjave të gishtave mund të kthehet në një incident të dhimbshëm manipulimi.

Përderisa në shoqërinë shqiptare, përgjimi i telefonit celular nga policia apo shërbimi informativ i shtetit është bërë një “hobby”, kjo e pakrahasueshme me asnjë vend tjetër. Askush nuk ngre zërin e arsyes me forcë, për t’i thënë NDAL kësaj masakre të organeve të sigurisë kundrejt qytetarëve të lirë të një vendi. Shenjat e gishtërinjve mund t’i shërbejnë një ditë organeve të sigurisë për të përndjekur më lehtë një person të targetuar. Me këtë shkallë korrupsioni, që ka zyrtari i sotëm shqiptar, me këtë dëshirë prej të çmenduri për të bërë keq dhe për të parë keq, që nga zilia, smirëzia e kushtet e vështira të jetesës, ka hyrë kaq thellë në ndërgjegjen e njerëzve, askush nuk mund ta përjashtojë mundësinë e inkriminimit të një personi, në një skenë krimi, duke i shfrytëzuar pikërisht shenjat e gishtërinjve, që ai ka të depozituara në databazën e regjistrit themeltar të qytetarëve, pronë e Ministrisë së Brendshme.

Një person i caktuar mund të akuzohet për kryerjen e një krimi edhe pa qenë fare në vend-ngjarje, vetëm duke projektuar shenjat e tij të gishtërinjve në vendin e krimit. Dhe kjo me teknologjinë e sotme nuk është e vështirë për t’u bërë. Kjo pra është inkriminim i personit në mungesë. Atëherë, pse duhet ne si qytetarë t’u besojmë kaq shumë organeve tona të sigurisë, shpeshherë joserioze dhe të korruptuara?

Unë nuk e di se sa është direktivë e BE-së një proces i tillë, që nuk e zbaton asnjë vend anëtar i saj. Le të marrim Gjermaninë, Greqinë etj. Ato kanë karta identiteti kartoni me fotografi, të plastifikuara – jo karta plastike me chip elektronik 76 MB. Vende të BE-së vazhdojnë t’i kenë kartat e tilla, të thjeshta, ose nuk kanë fare karta identiteti, si psh. danezët. Qytetarët danezë janë të gjithë të regjistruar por nuk ka karta identiteti për shtetasit, vetëm për emigrantët. A do i bëjnë danezët një ditë kartat e identitetit sipas këtyre direktivave të BE-së? Këtë nuk mund ta them me siguri. Pasi BE në organizimin e saj mbështetet mbi vullnetet e lira të shteteve përbërëse dhe jo çdo vendim i saj është normativ për vendet përbërëse.

Në Danimarkë, nëse merret një vendim për të bërë kartat e identitetit me chip, ku do merren shenjat e gishtërinjve, do të duhej më parë një referendum popullor. Dhe jam i sigurt, që popullsia daneze do të votonte kundër kësaj ideje. Jam i sigurt se edhe në Shqipëri, nëse do të ishin pyetur qytetarët me referendum, edhe shqiptarët do të kishin thënë JO! Askush nuk ka dëshirë të dhunojë të drejtat dhe liritë e veta. Por kryeministri ynë nuk pyet askënd. Majlinda Bregu do thoshte në këtë rast, “Ku dinë këta nga kjo!”, se kujton që veç saj, të gjithë janë budallenj. Berisha i merr me entuziazëm e padije vendimet, sa për të kaluar radhën, dhe një ditë kur qytetarët ta marrin vesh se koka e kryeministrit mendon shtrembër, mund të jetë vonë. Në rastin konkret, shenjat e gishtërinjve do mbesin aty, në një databazë, që kushedi se kush do të ketë hyrje në të. Aq më tepër kur shkalla e sigurisë në këtë vend është tepër e ulët dhe “siguria” politike fokusohet më tepër në nxjerrjen nga ambientet e saj të një gazete guximtare si TemA, se sa në ruajtjen e sekretit shtetëror apo privacinë dhe interesat e qytetarëve.

Një fjalë e urtë daneze thotë: “Kurrë mos i merr vendimet me lugën bosh.” Shqiptarët po detyrohen përdhuni nga qeveritarët e tyre, që të kryejnë një veprim, i cili një ditë mund t’i penalizojë, për shkak të njerëzve të korruptuar në organet e sigurisë, që inskenojnë përndjekje të paturpshme dhe falsifikojnë fakte e prova, për të ngritur akuza të rreme kundrejt kritikëve, konkurrentëve apo kundërshtarëve politikë. Pjesë e këtij procesi, me mundësi manipulimi, mund të bëhen vetë ata, që sot kanë pushtetin në dorë dhe nga padija, nënshtrimi apo koncepti i jevgut që bëhet mbret, po i detyrojnë qytetarët shqiptarë t’i nënshtrohen një procesi të dorëzimit vullnetar të shenjave të gishtërinjve, gjë që shkel rëndë të drejtat dhe liritë themelore të individit.

Pasqyrat e evropianëve për të marrë arin afrikan, janë përdorur në kohën e kolonizimit. Portugezët, spanjollët pushtues etj., shkonin në vendet afrikane, u jepnin nga një copë pasqyrë dhe si këmbim merrnin arin e tyre. Banorët e paditur vendas kënaqeshin me pasqyrat dhe nuk kishte problem për ta të dhuronin arin, të cilit nuk ia dinin vlerën. A mos jemi ne një fis – tribu afrikan? Kështu po na trajton kryeministri. Në këtë rast, ndjen keqardhje për shoqërinë tonë të vuajtur, që për hir të faktit se ka nevojë të pajiset me karta identiteti, nuk ngre asnjë pikëpyetje për pasigurinë, që vjen nga depozitimi i shenjave të gishtave në një databazë të pasigurtë.

Ka mundësi që qeveritarët tanë kanë vënë re një praktikë, që disa nga vendet e BE-së ndjekin kundrejt emigrantëve. Emigrantët shqiptarë kur aplikojnë për leje-qëndrimi në Itali, Greqi, etj., duhet të depozitojnë shenjat e gishtave atje. Kjo ndoshta jua ka çuar ndërmend këtë ide qeveritarëve tanë, ta konsiderojnë të gjithë popullin shqiptar si emigrantë, dhe të kopjojnë sjelljen e disa shteteve anëtare të BE-së kundrejt emigrantëve, për ta aplikuar këtë mbi një popull të tërë. Mendoj se kjo politikë e qeverisë kundrejt qytetarëve shqiptarë duhet të ndryshojë menjëherë, pasi kriminelit i merren shenjat e gishtave, jo një qytetari normal. Është mungesë dinjiteti ta detyrosh qytetarin të bëjë një veprim të tillë. Dhe kartat mund të bëheshin më shpejt duke shmangur një procedurë të panevojshme. Se të tjerët na shohin me bisht të syrit dhe duan ndoshta të na inkriminojnë, pse duhet ne t’ia bëjmë këtë gjë vetvetes?

PËRGJIGJU

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu