Description
Ky libër në PDF është përgatitur, me përmirësime gjuhësore e ortografike, me qëllim, që kjo vepër e rëndësishme gjuhësore dhe historike të ruhet nga zhdukja. – Arben Çokaj
Aristidh P. Kola – Gjuha e Perëndive (PDF), 312 faqe
HYRJE

Të dymbëdhjetë perënditë e Olimpit dhe kultet shumë të lashtë pellzgjikë, përbëjnë jo vetëm sistemin më të bukur të adhurimit, por cdhe të vetmin që mbështetet në logjikën e pastër, në kundërshtim me fetë e njohura tek ne, që mbështeten tek besimi.
Bukuria që me aq art ka mbështjellë logjikën, e ka pushshtuar vëmendjen tonë pothuajse përjashtimisht, duke bërë që logjikës së pastër t’i shpëtojë elementi mrekullisht i urtë i kësaj feje të stërlashtë. Sigurisht, që në këtë udhë-ndërrim ndihmoi edhe fakti se Greqia qysh prej vitit 1822 nuk është më ajo e Zeusit dhe e Apollonit, por një “Greqi e grekëve të krishterë, që nuk njohin historinë e vërtetë”.[1]
Sipas mendimeve të shkrimtarëve të vjetër, krijuesit e këtij sistemi të mrekullueshëm adhurimi janë Pellazgët, për të cilët janë formuluar mendime nga më të ndryshmet, si nga shkrimtarët e vjetër ashtu edhe ata më të rinjtë, që thonë se ata nuk janë një popull fantastik – ose i supozuar në mënyrë konvencionale ashtu siç janë të ashtuquajturit “indoevropianë” – por një popull real, me identitet kultural e personalitet konkret. Grekët e vjetër kishin bindje të thellë se ishin pasardhës të këtyre Pellazgëve, por megjithatë, Herodoti që shkroi i pari për historinë dhe që na transmetoi këtë bindje,[2] ishte përsëri i pari që e vuri në dyshim atë, duke e transmentuar kështu këtë dyshim edhe tek historianët që erdhën pas tij, deri më sot.
Herodoti ekspozon bindjet e popullit grek e të priftërinjëve të ditur, rreth origjinës së tyre por ai vetë dyshon duke u bazuar në bindjen e vet, se Pellazgët ishin një komb barbar, jo për ndonjë arsye tjetër, por ngaqë flisnin një gjuhë të ndryshme nga ajo e grekëve të kohës së tij,[3]
ashtu siç arriti ai të konstatonte vetë, në tre qytete, që flisnin ende gjuhën pellazgjike. E në këtë përfundim Herodoti arriti duke u nisur nga bindja e tij e thellë – por që rezulton aq e gabuar – se gjuhët e popujve mbeten të pandryshuara e nuk zhvillohen (“Kombi Grek – thotë ai – siç më duket mua, përdor gjithnjë po atë gjuhë”).
Ata që nuk e pranojnë prejardhjen e grekëve nga Pellaz-gët, hedhin poshtë bindjet e përhapura të Grekëve të vjetër dhe bazohen në përfundimin e Herodotit. Por ky përfundim mbështetet në një logjikë të gabuar, meqë gjuha zhvillohet, madje me kalirnin e kohës edhe ndryshon.
Po cila ishte gjuha e Pellazgëve? Dimë se ishte një popull shumë i madh në numër, që u përhap në gjithë Greqinë, që asokohe quhej bile Pellazgjia, në Azinë e Vogël, në Itali, në Afrikën e Veriut dhe në Gadishullin Iberik. Dimë gjithashtu se Pellazgët krijuan sistemin fetar të grekëve, u dhanë
emrat perëndive dhe caktuan rregullat e adhurimit. Dimë se ishin një popull që lëvizte nga vendi në vend, kërkues dhe i përngjasuar me lejlekët, sepse edhe këta shpendë pas largimit të tyre ktheheshin përsëri në atdheun e vet. Dimë akoma disa fjalë për toponimet e tyre.
Shumë shkencëtarë të mëvonshëm i kanë identifikuar Pellazgët me Arvanitët e sotshëm, të tjerë e kanë hedhur poshtë këtë variant, duke thënë se ndërsa njohim shumë gjëra për Arvanitët e – sigurisht edhe gjuhën e tyre – ne nuk e njohim aspak gjuhën pellazge dhe si rrjedhim nuk mund të kemi një element krahasues të sigurtë.
Por është për t’u çuditur sesi ekspozohen me kaq seriozitet hollësira të shumta rreth një farë race indoevropiane dhe nuk konsiderohen të mjaftueshme elementët që disponohen për Pellazgët. Kur ke një sistem të plotë e të njohur mirë fetar, ideologjik dhe shoqëror (individual) nga Pellazgët, kur ke referimet e panumurta nga të vjetrit, kur e ke të dhënë bindjen e popullit e të priftërinjve të ditur se paraardhësit e grekëve janë Pellazgët, kur ke fjalë e toponomi, madje edhe emrat e perëndive (domethënë elementë gjuhësorë), kur ke elementë gjeografikë dhe mjaft karakteristika të veçanta dhe nuk nxjerr këtë konkluzion, atëherë duhet të të ndodhin dy gjëra: ose ke pamjaftueshmëri arsyetimi ose je në zotërim të një qëllimi të lejueshëm, ose më mirë të palejueshëm.
Sigurisht sot shqiptarët me gojën e të madhit Eqerem Çabej deklarojnë: “Nuk do të mundnim të kënaqnim kurrë ata që edhe sot besojnë plotësisht, se gjuha jonë ka prejardhjen e saj nga gjuha Pellazge”.[4]
Historianët shqiptarë si S. Pollo dhe A. Puto në “Historia e Shqipërisë”, i kalojnë anash problemit pellazgjik me këtë arsyetim të mjaftueshëm.[5]
Nuk ekzistojnë elementë identifikimi të pellazgëve me shqiptarët”. Përpjekja kërkuese e shqiptarëve përqendrohet te Ilirët, edhe pse elementët krahasues me Pellazgët janë akoma më të shumtë edhe më bindës nga ata të Ilirëve.
Rrjedhimisht, do të thoshte dikush, dy gjëra mund të ndodhin: Ose të jenë grekërit pasardhës të Pellazgëve, siç besonin të vjetrit, ose të jenë shqiptarët pasardhës të tyre, ashtu siç tregon krahasimi gjuhësor i gjuhës shqipe dhe i fjalëve pellazgjike që ekzistojnë sot. Sipas mendimit tim, që e kam ekspozuar më analitikisht në veprën “Arvanitët dhe prejardhja e grekëve”, dilema është vendosur mbi një bazë të gabuar. Paraardhës të përbashkët edhe të Grekëve, edhe të Ilirëve, edhe të Arvanitëve të sotshëm janë Pellazgët. Ata që deri më sot ruajnë trungun themelor të gjuhës pellazge dhe parimet e tyre bazë qytetëruese, janë Arvanitët. Në mënyrë epigramatike do të thosha se Arvanitët janë sot përfaqësuesit më të pastër të racës së madhe Pellazgjike.
Intelektuali Arvanit, nga Italia e poshtme, Dhimitrios Kamardas ishte i pari, që i entuziazmuar nga afrimi i fjalëve arvanite me ato homerike dhe parahomerike tha se: “Gjuha Arvanite është gjuha e Perëndive”, është pikërisht ajo gjuhë që përmend Homeri, dhe si e tillë, ai nënkuptonte gjuhën shumë të vjetër pellazgjike, gjuhën e atyre njerëzve, që u dhanë emra perëndive dhe mënyrave të adhurimit. Ky konstatim i Kamardës, i dha titullin këtij libri.
Pellazgët nuk u dhanë vetëm grekëve, por edhe egjiptianëve[6], edhe fenikasve, edhe babilonasve, edhe popujve të
tjerë elementë të qytetërimit të tyre. Sa i lashtë, pra, është ky qytetërim? Dhe nëse janë me të vërtetë paraardhës të grekëve, sa thellë shkon nëpër shekuj historia greke? Kishte të drejtë prifti egjiptian, që i thoshte Platonit, se grekët harrojnë gjithnjë historinë e tyre, që është 1000 vjet më e vjetër se ajo e egjiptianëve? Si duket po, edhe pse nuk do t’ishte as hera e parë e as e fundit, që grekët humbasin gjurmët e historisë së tyre, megjithë adhurimin që kanë ndaj paraardhësve. Kjo kontradiktë do të mund të quhej “sindromi grek” dhe për saktësi “sindromi Pellazgjik”.
Që të demonstrosh se Arvanitët e sotshëm dhe grekët e vjetër janë pasardhësit e Pellazgëve, sigurisht nuk duhet të kufizohesh vetëm në krahasimin gjuhësor, por duke vënë në fushën e kërkimit të gjitha elementet krahasuese, që ekzistojnë, t’i analizosh e t’i kryqëzosh ato, në mënyrë që njëri element krahasues të vërtetojë të tjerët. Gjerësia e elementeve krahasues varet jo vetëm nga faktorët objektivë, por edhe nga zgjuarësia e nga larg-pamësia e kërkuesit. Sidoqoftë, deri në këtë çast, lidhja e Arvanitëve dhe Pellazgëve është kërkuar vetëm në terrenin e gjuhës. Kërkimi që po bëjmë tani përbën vetëm një pjesë të studimit mbi lidhjen e gjuhës së Pellazgëve dhe të Arvanitëve, gjersa ka si objekt një fjalor që kufizohet në emrat e perëndive e të ceremonive fetare.
Por paralelisht preken – jo sigurisht me sistem – edhe elementë të tjerë krahasues: feja ose më mirë të themi pikëpamjet fetare, paragjykimet dhe supersticionet, karakteri shoqëror-individual i të dy popujve e shumë gjëra të tjera. Kështu, bie fjala, pikëpamja themelore pellazgjike e kultit të Diellit-At (Diaw-Zeus) dhe e Tokës-Nënë (Demetrë) ruhet nëpërmjet shekujve dhe feve të njëpasnjëshme tek Arvanitët, që nga Gegëria deri te Moreja, përderisa betimi në Diell e në Tokë vazhdon deri në ditët tona (“Për këtë Dhe”, ose “për këtë Dian-Diell”). E këto së bashku me paragjykimet e me supersticionet për Zanat, Fatet, Zeres etj., nuk mund të nënvleftësohen ose të mos përforcojnë përpjekjen tonë demonstruese.
Paralelisht, ky kërkim synon të theksojë urtësinë dhe të vërtetat e mëdha të kësaj feje pellazgjike, që ashtu siç thamë, bazohet në vërejtjen e botës së jashtme e të brendshme, të cilën sigurisht e shkatërroi dhe e zhduku fanatizmi oriental, duke patur si armë teorike krishtërimin dhe si organ ekzekutiv të ashtuquajturin Bizant.
Kam përshtypjen se ndonëse janë shkruar kaq shumë për fenë e gekëve të vjetër, tema në fjalë nuk është e plotësuar ose më mirë të them, për këtë fe nuk është thënë kurrë fjala thelbësore favorizuese. Të diturit e shekullit të kaluar, nën ndikimin e pikëpamjeve kristiane panë vetëm bukurinë e saj. Na lanë me bindjen se ajo, përsa i përket të tjerave, ishte një paganizëm naiv, që zotëronte në vetvete joshjen e përrallave të bukura dhe disa herë didaktike. Të diturit më të rinj – ndonëse më të shumtit – pa ndikim të krishterë ose nën influencën e ideologjisë marksiste, i japin kësaj feje pak rëndësi ose një rëndësi të kufizuar. Pra, cakëzohen të shohin se ç’qëllimeve politike ose ekonomike ajo u shërbente. Unë them përfundimisht e shkurtimisht se ky sistem kulti përmblidhte urtësinë e bukurisë dhe bukurinë e urtësisë.
Feja, në fjalë, gjatë kalimit të shekujve pësoi ndryshime fiziologjike dhe përpjekja ime synon të prekë fillimet e saj, të zbuloj sistemin origjinal të kultit, kështu siç e kanë përcaktuar fillimisht vetë pellazgët. Në këte përpjekje, do të më duhet të bëj një analizë e një shpjegim të emrave të perëndive e të ceremonive fetare. Mirëpo këta emra nuk mund të shpjegohen me anë të gjuhës greke – ose të paktën nuk shpjegohen të gjitha – ndaj mbi këtë pamundësi nxorrën krye shumë mendime të ndryshme për prejardhjen e emrave, por edhe të vetë perëndive, me një tendencë sunduese të konsiderimit të perëndive si të importuara në Greqi prej Orientit.
Për këtë arsye, u përpoqa të shpjegoj emrat e perëndive me ndihmën e gjuhës arvanite, duke e plotësuar këtë shpjegim jo vetëm thjesht nga ana gjuhësore, por edhe nga ajo semantike dhe alegorike. Madje, në shumë raste paraqes edhe elementë kulti ose elementë të tjerë të kësaj feje, që Arvanitët i kanë ruajtur deri në ditët tona. Kështu që ky punim, ndonëse i referohet shkencës së gjuhësisë, nuk është e nuk mund të ishte vetëm një studim gjuhësor. Dua të shtoj gjithashtu, se nuk janë vetëm emrat e perëndive që shpjegohen fare mirë me anë të gjuhës arvanite. Një shumicë fjalësh fillestare, duke u krahasuar me të ashtuquajturat gjuhë indo-evropiane, tregon fare mirë lashtësinë e kësaj gjuhe karshi gjuhëve të tjera, por arsyetimi im për perënditë e të parëve tanë do të ishte ky: “Nëse Pellazgët e krijuan këtë fe dhe u dhanë emra perëndive, ashtu si thonë shkrimtarët e vjetër, atëherë kam në dispozicionin tim një fjalor interesant Pellazgjik, sepse nënkuptohet se Pellazgët i pagëzuan në gjuhën e tyre perënditë. Nëse janë të vërteta ato që thonë grekët e vjetër mbi prejardhjen e tyre nga Pellazgët dhe nëse është e vërtetë hipoteza se Arvanitët janë sot pasardhësit më të pastër të Pellazgëve, duke ruajtur trupin themelor të gjuhës së tyre, atëherë me anë të gjuhës arvanite, emrat e perëndive do të duhet të interpretohen direkt dhe tërthorazi me greqishten e me gjuhët e të ashtuquajturës bashkë-gjuhësi “indo-evropiane”.
Në këtë pikë do të më duhet të jap një sqarim, meqë jam në kundërshtim – ndoshta absolut – me mendimin sundues lidhur me indoevropianët.
1- Dëshmi, legjenda, fjalë, monumente për Pellazgët kemi që nga gadishulli Iberik deri në Indi, kurse jo për Indoevropianët.
2- Teoria indoevropiane është pjellë e fantazisë shkencore, që u mbështet në bashkësinë e rrënjëve gjuhësore, që nga Evropa e deri në Indi. Ndërkohë që kjo bashkësi shpjegohet fare mirë me teorinë pellazgjike. Pse atëherë kjo nuk u quajt “bashkë-gjuhësi pellazgjike”, por Indoevropiane ose Indogjermane; Nuk besoj së ka ndihmuar për këtë shkenca, më shumë se sa synime të tjera të ndryshme prej saj…
3- Djepi i indoevropianëve përcaktohej me bindje të plotë në brigjet e lumenjve Gang dhe Indhos gjatë shekullit të kaluar. Më vonë u transferua në Kaukaz, në Pamir dhe tani së fundi ndërroi vend në Evropë, gjithnjë me po të njëjtën bindje fanatike…
4- Përmenden fakte për spostimet e Indoevropianëve me pretendimin që ata të pranoheshin nga historia, përmenden hollësira etj., domethënë vogëlsira hipotetike dhe fantastike – bile dhe data – me bindjen se ishte fjala për dokumenta historike të pa-kundërshtueshme, që shkencëtarët e katedrave riprodhojnë me mentalitetin e tyre prej dhaskali, pikërisht ashtu siç mbjellin në mendjen e fëmijëve tanë mësuesit, se mitologjia hebraike është frymëzuar nga perëndia dhe është e pakundërshtueshme, kurse mitologjia greke është diçka si përrallat arabe. Në një kohë kur duhet thënë se gjithë përmbajtja dhe substanca e botës së Greqisë së vjetër fshihet në mitologjinë greke!
5- Gjuhëtarët – të parët bile që mbrojtën këtë teori – përmendin fjalorë të plotë rrënjësh indoevropiane, që ndërsa në fillim me të drejtë u konsiderua si hipotetike, tani ekzistojnë tendenca të konsiderohen si të pakundërshtueshme. Veç kësaj, nuk janë pak “ligjet” gjuhësore, që janë nisur mbi bazë të kësaj hipoteze.
Fig 1. Rrugët më të rëndësishme të epokës së shpërnguljeve pellazgjike
Për këto arsye, dhe për pikëpamjen që kam formuar për Pellazgët, e konsideroj si krejt të gabuar nxjerrjen e konkluzioneve nga hipotezat indoevropiane. Fakti që, nga Evropa e deri në Indi, ndoshta edhe më gjërë, ekziston një bashkësi elementësh gjuhësorë, shpjegohet se ato kishin për djep Ballkanin veri-perëndimor, ku ekzistonin edhe qendra shumë të lashta të kulturës Pellazgjike e të kultit të Dodonës. E Dodonët dhe mali Tomor përmenden, që nga Epiri e deri në Shqipëri qëndrore. Ndërkohë që një degë Pellazgjike (iliriane), Dardanët, kanë lënë gjurmë të forta të kalimit të tyre, që nga Ballkani veri-perëndimor deri në Indi e në Tibet.
Gjithësesi, të gjitha këto do t’i analizojmë në studimin tonë për Pellazgët. Aq më tepër që të njëjtën rrugë do të ndjekë pas shumë shekujsh edhe Aleksandri i Madh, kur në Indi priftërinjtë do t’i kallëzojnë atij për fushata të mëparëshme të bashkëatdhetarëve të tij në atë vend. Historianët do t’i vënë në dyshim këto[7], por tashmë përkrahësit e teorive Indoevropiane duket se janë gati të bindur se populli hipotetik indoevropian nuk erdhi nga India në Evropë, por vajti nga Evropa në Indi. Kështu filloi “çorientimi” i hipotezës Indoevropiane, alegorikisht, metaforikisht dhe realisht.
Në këtë hapësirë pra, në hapësirën malore të banuar të Ballkanit veri-perëndimor e të Arkadisë, lindën (autoktonë nga Toka dhe jo nga perënditë) Pellazgët dhe që këtu, ata mbërritën deri në të katër anët e botës, aq sa mund t’i quajmë edhe “popull i zgjedhur i racës njerëzore”, që krijoi qytetërim këtu e 10.000 vjet më parë. Nëse para mbarimit të periudhës parahistorike ekzistonin popuj të tjerë të qytetëruar ose jo, nëse diçka tjetër ka ndodhur në historinë e njerëzimit para Pellazgëve, këtë asnjeri, veç Denikenit, nuk e di dhe personalisht kjo nuk më preokupon.
Kësisoj, një punim më i dokumentuar për identifikimin e gjuhës pellazgjike me gjuhën arvanite, do të përbënte një faktor të rëndësishëm ndalimi për teoritë e pabazuara – por sbumë të përhapura – të identifikimit të Pellazgëve, paraardhës të grekëve me popujt e Lindjes.
[1] Përveç referimit të përgjithshëm të Herodotit, kemi referime të veçanta për çdo perëndi. Kështu Homeri e quan Zeusin “Pellazgjikos” (Iliada f. 234), Demetra quhet “Pellazgjis” (Pausania 11, 22, 1-2), Hera quhet gjithashtu “Pellazgjis”.
[2] Herodoti “Historia” A.58
[3] Herodoti “Historia” A.57-58
[4] Eqerem Çabej: “Elementet e gjuhësisë e të literaturës shqipe”, Tiranë 1936, f. 3.
[5] S. Pollo – A. Puto, “Historia e Shqipërisë“, përkthyer nga B. Aktsoglu, Selanik, faqe 10.
[6] “… them ato që thonë egjiptianët, dhe egjiptianve emrat e perëndive, që thonë se nuk i njohin, besoj se ua dhanë pellazgët, përveç atij të Poseidonit”.
[7] Supozojnë disa se priftërinjtë kërkonin t’i bënin lajka Aleksandrit, por nëse kanë dashur një gjë të tillë, do t’i thoshin se ishte i pari dhe i vetmi, që pushtoi Indinë dhe jo… i treti.
Reviews
There are no reviews yet.