Edhe pasiguria na detyron të ikim

0
1284

Gjendja e sigurisë është më tragjike në vendet e banuara me studentë e nxënës. Një veturë na vjen nga pas me shpejtësi, gati sa s’na përplas. Kalon dhe pak metra para nesh, frenon papritur, frikshëm, tek këmbët e dy studenteve, që po shkonin në konvikt. Vajzat e tmerruara, si trumcake, vrapojnë të fshihen aty afër. Në moment, nga vetura dalin “gjuetarët”, duke zgërdhirë dhëmbët e duke shikuar anash, të krekosur për trimërinë që bënë. Një nënë, që strehon vajzat, mallkon me të drejtë.

Dy studente të tjera, ca ditë më parë në një mbrëmje, shpëtojnë mezi, duke lënë “peng” çadrat që kishin (llogaritni këtu edhe sa e sa varëse, syze, pulovra… që janë grabitur deri sot).

Studentet pasdite thuajse nuk dalin fare. Në Fakultetin e Mjekësisë kapet me zor një vajzë. Mbahet disa orë e më pas lëshohet; në atë gjendje e pret spitali. Në ndërtesat e djemve hyhet me armë. Në Universitetin Bujqësor të Kamzës – ngjarje të tilla gjithashtu. Tallazet herë shkojnë e herë largohen nga Fakulteti i Ndërtimit, ku gjendja është më e ndërlikuar (nga kjo, disa studentë kanë ikur në shtëpi). Bollëku i fakteve rritet progresivisht. Studentët që sollën demokracinë po bëhen pre e “gjuetarëve” famëkeqë. Policia e dyfishuar në Qytetin Studenti pret të ndërhyjë vetëm kur t’i kërkohet ndihmë.

Por studentët nuk ankohen, kanë frikë.

Prej kujt?… Njeriut të lig, i është hapur rruga e poshtërsisë. Ai tani ka rastin e mirë të nxjerrë fytyrën e tij të vërtetë, pa personalitet dhe po e nxjerrë.

Në kohën kur amullia dhe anarkia po bëhen mbizotëruese, kur ndërhyrja e shtetit si katalizator neutralizues po ndihet pak, pothuajse fare, nxjerrin krye spekulatorët. Njeriu i ndershëm nuk di se kujt t’i kërkojë ndihmë. Kujt t’i besojë? Kujt t’i drejtohet?…

Prindërit e shqetësar vijnë e takojnë vajzat e tyre. Studentët sa nga pasiguria, sa nga mësimi jo i rregullt po ikin. Eshtë kjo pasiguri, këto kushte minimale jetese, kjo mungesë librash e leksionesh, që i detyron studentët të ikin e që eksodin e bëjnë të pranishëm.

Dikur shkolla na u mbyll “nga lart”. Sot me dashje a pa dashje po na detyrojnë ta braktisim, jashtë dëshirës sonë. Kujt t’i drejtohemi? Kujt?…

Zëri ynë rri pezull sikuir s’është thënë. Por Universiteti s’do të mbyllet më! Ky zë, ndonëse sot s’dëgjohet, do gjejë forcë të ushtojë.

Arben Çokaj
Publikuar: Bashkimi, 31 tetor 1991

LEAVE A REPLY

Ju lutem, lini komentin tuaj!
Ju lutem, fut emrin tuaj këtu