TË BËFTË MIRË KAREN JESPERSEN

0
926
Karen Jespersen

Karen Jespersen1 – ish-ministre e Brendëshme e Danimarkës

Danezët janë bërë kanibalë. Pasi vetëm duke kullufitur ata, që nxjerrin në pah mungesën e identitetit dhe personalitetit tonë, do të mundemi të mbajmë gjallë imazhin tonë si individë dhe si popull.

Nga Soeren Iversen, mësues i shkollës së lartë.

Përfundimisht ndodhi ajo. Përfundimisht ia arritëm qëllimit. Përfundimisht ne mund ta pranojmë atë – kanibalizmin.

Gjatë një periudhe prej shumë vitesh kemi diskutuar për refugjatët dhe emigrantët. Në fillim, dmth. në fundin e viteve 60-të dhe fillimin af 70-tave, ne kishim idenë, që të huajt në Danimarkë, duhej të asimiloheshin. Ishte një reaksion i drejtpërdrejtë ndaj të huajve, të cilët i kishim thirrur për të na zgjidhur problemin tonë të mungesës së fuqisë punëtore.

Por shumë shpejt, ne erdhëm në përfundimin se nuk mund t’i bënim jodanezët danezë, pasi kjo për të huajt përbënte heqjen dorë nga vlerat, normat dhe identiteti i tyre. Dhe një gjë e tillë nuk mund t’ju kërkohej të tjerëve nga evropianoperëndimorët e këndshëm, humanitarët sekularë – për aq kohë sa bëhet fjalë për njerëz. Kështu që në vend të kësaj u bë integrimi, mantra2) e debatit për të huajt. Të huajt morën kështu të drejtë të ruanin vlerat e tyre bazë, kur ata iu përshtatnin marrëdhënieve të ligjshmërisë daneze dhe për më tepër kur ata nuk ndryshonin aq shumë me veçanshmërinë e tyre. Por a donim ne të thonim diçka me këtë ndryshim mes integrimit dhe asimilimit? A ishte thjeshtë një ndarje e karakterit akademik, që ne të mund të qëndronim më mirë si model i shovinizmit, apo kishte diçka tjetër, që i ndante këto dy koncepte? A mos ishte në të vërtetë diskutimi, vetëm një shprehje frike dhe histerie, ashtu siç është edhe toleranca vetë?

Po, kjo ishte e vërtetë. Nuk kishte absolutisht asnjë substancë në diskutim. Ne kurrë, në asnjë moment, nuk kemi menduar seriozisht të kishte ndonjë ndryshim në mes integrimit dhe asimilimit. Gjithmonë kemi menduar se të huajt nuk mund të jenë të respektuar në Danimarkë, para se ata të jenë bërë danezë.

Po pse atëherë e gjitha kjo? Si çdo artist tjetër i mirë, Leif Panduro kishte rreth dhjetë vjet përpara një ndjenjë ndërkohë, të cilën e shprehu nga 1962-shi, në një histori të shkurtër, që quhej “Shqetësime në periferi”. Në këtë histori bëhet e mundur që një shtëpi e veçuar, komforte dhe e rregulluar mirë, të zihet nga një person krejtësisht paqësor por me pamje të huaj, i cili kishte nofulla të fuqishme, mollëza të stërzmadhuara, dhe tipare, që pak ngjanin me ato të evropianëve nordikë.

Banorët e lagjes, të cilët janë karakteristikë për mungesën e identitetit dhe personalitetit të tyre, i kap një ankth i madh, pasi anonimiteti dhe indiferenca e tyre bëhet papritur e dukshme. Ata vendosin të bëjnë diçka, pasi “nuk mund të vazhdojë kështu”. Duhet vepruar. Dhe historia tregon se, ata në një natë të zezë, futen në shptëpinë e të huajit, e vrasin atë dhe e hanë më pas.

Nëse tani njeriu pyet vetveten apo të tjerët se kanibalizmi ka ardhur në Danimarkë, përgjigjia duhet të jetë: Po, ai ka ardhur. Ne jemi bërë kanibalë – ose më saktë: ne kemi qenë gjithmonë të tillë. Pasi vetëm duke i ngrënë ata, të cilët nxjerrin në dritë mungesën e identitet dhe personalitetit tonë, mundemi të shfaqim imazhin si individë dhe si popull. Problemi është vetëm se, emëruesi i përbashkët i këtij populli është ankthi dhe pasiguria. Të huajt vijnë në Danimarkë dhe na nxjerrin lakuriqësinë, na nxjerrin në shesh cilësitë e karakterit më të përçmuar, duke çelur një vrimë në murin tonë të sigurisë, me të cilin jemi rrethuar, dhe kështu ne dalim si Perandori me kostumin e tij të ri3): të ekspozuar ndaj ndjenjave shpirtërore, të ekspozuar ndaj respektit njerëzor reciprok, me themelet e jetës të shqyera tej e përtej, pa qenë në gjendje të krijojmë marrëdhënie me mjedisin rrethues në mënyrë tjetër, veç me frikë e llupsëri.

Dhe para se Parlamenti të mbyllej, kjo u përcaktua përfundimisht me ligj. Ministrja e brendëshme, Karen Jespersen, duhet të falenderohet. Unë për vete kam ushqyer gjithmonë një admirrim të pasqarueshëm për këtë entuziazëm të papërkulur, që ajo ka treguar – edhe kur ishte ministre e punëve sociale. Tani me miratimin e rregullave të reja për bashkimin familjar dhe me komentet e ministres së brendëshme, sipas Jyllans-Posten të d. 21.05.00, si dhe komentet e qarta të saj në gazetën Politiken, javën e kaluar, duket se politika e të huajve nën emrin politika e integrimit, bën në të vërtetë fjalë për asimilim.

“Jo vetëm”, thotë qartë ajo në titullin Demokraci, se “qëllimi duhet të jetë që minoritetet etnike të integrohen në shoqërinë daneze, në atë mënyrë që të mos jetë relevante ndarja e tyre në grupe të veçanta”, por ajo shton edhe një rresht të vlerësimeve morale për emigrantet dhe refugjatët, që fatmirësisht ka vetëm pak shembuj në historinë e re të Evropës.

Nuk kisha besuar se një ministre e brendëshme socialdemokrate do më detyronte të asocioj këtë gjë me fqinjin tonë të jugut, në kohën mes kolapsit të Wall Street-it dhe krijimit të organizatave të mëdha ndërkombëtare OKB e NATO. Nuk është e nevojshme të tejkalohen Pia Kjersgaard dhe Mogens Gilstrup4) nga e djathta, Karen! Kjo është ajo që ti po bën, kur e përshkruan pikëpamjen e të huajve për gratë, si “pështirosës dhe shprehje të një filozofie shtypëse e nënshtruese”.

Është pikërisht ajo që bën ti, kur mendon se mund të gjykosh moralisht atë, që ti e quan `martesë e detyruar’, duke i konsideruar këto si tradita mesjetare, të cilat janë shtypëse. Këtu bëhet fjalë për varfërinë shpirtërore të ministres dhe mungesën e njohurisë historike të saj. Pasi vetëm kombinimi i këtyre të dyjave, mund të justifikojë faktin që dikush gjykohet në mënyrë të tillë. Nga ku e ke marrë këtë Karen, që martesat e pabazuara në dashuri, i përkasin mesjetës? Për çfarë mesjete e ke fjalën? A mos është mesjeta jote apo e refugjatëve dhe emigrantëve? Dhe ky lavdërim fantastik për iniciativë dhe përpjekje vetjake: “Sipas bindjes sime, Danimarka i merr problemet më seriozisht se sa vendet e tjera – dhe ne bëjmë diçka për këtë. Prandaj debatojmë këtu, që t’i pengojmë problemet të bëhen të mëdha.” (Jyllands-Posten, 21.05.00).

Po, me të vërtetë, ne bëjmë diçka. Ne e ndjejmë se zagari brenda nesh duhet të dalë të ajroset. Ai duhet të marrë frymë lirshëm, të lehë nga të gjitha anët e të ngulë dhëmbët e tij ‘pitbullterrier’ të pangopur e shkatërrimtarë, në secilin prej të huajve, që merr më të paktën prej nesh. Çudi si nuk i hapim kufinjtë edhe më shumë! Por do vijë një ditë, kur zagarët ta kenë mbaruar ushqimin. Deri atëherë kemi mjaft për t’i ngulur dhëmbët.

Prandaj nuk duhet llogaritur se është e mundur të vish këtu, e të jetosh me burrin/gruan tënde, nëse shfaqesh duke qarë apo me shqetësim e ankth, nëse ke qenë në kontakt me një qendër krize apo diçka të tillë, apo nëse të afërmit e tu kanë bërë më parë një martesë të detyruar. Deri atëherë duhet t’ia dalësh me vajzat e rregullta daneze, që pinë duhan e alkool, shkojnë në festa, kanë dashnorë alternativë, dhe përgjithësisht sillen të lirshme, siç thotë ministrja. Atyre tashmë u është marrë një sasi e konsiderueshme përqafimesh…

Kur plani i ministres të zbatohet, mbetet vetëm një problem: asimilimi i plotë bëhet atëherë kur nuk shihet më asnjë ndryshim.
Propozimi im për rregullimin e ligjit të integrimit për këtë arsye është, që përveç mësimit të gjuhës daneze dhe lëndëve shoqërore, si dhe aktivizimit, duhet të bëhen edhe disa operacione plastike, të cilat heqin shenjat e dukshme, që i dallojnë të huajt nga danezët. Kështu që i shmangemi ngrënies së tyre. Të bëftë mirë!

1) Karen Jespersen – ministre e brendëshme e Danimarkës, deri në nëntor 2001.
2) mantra – lloj meshë në fenë budiste.
3) “Rrobat e reja të Perandorit” – tregim i H.C. Andersenit:
Rrobaqepësi mashtrues qepën një kostum transparent për Perandorin, i cili shihet vetëm nga njerëzit që e meritojnë postin që kanë. Në këtë mënyrë ai e nxjerr Perandorin lakuriq para popullit…
4) Politikanë ekstremistë të djathtë danezë.

Përktheu: Arben Çokaj

Publikuar:
Politiken (origjinali) – gazetë daneze, 11 qershor 2000.

LEAVE A REPLY

Ju lutem, lini komentin tuaj!
Ju lutem, fut emrin tuaj këtu