Nga Arben Çokaj, 9 shkurt 2009
Sistemi i ri elektoral mund të nxjerrë këtë herë në Shkodër edhe deputetë të majtë, gjë që ka qenë e vështirë, thuajse e pamundur me sistemin e vjetër. Më parë, PD kishte “të fortit e lagjes” në Shkodër dhe ishte më e favorizuar për një fitore të plotë. Tani, në listën prej 11 deputetësh, që do të dalin në Qarkun e Shkodrës, kandidatët e PD-së synojnë të gjithë të hyjnë në gjashtëshe. Edhe militantët më fanatikë të PD-së, ata që ia dhanë votën asaj në të mirë e në të keq, nuk shkojnë më shumë se tek numri 6 në 11-të. Ka gjasa të jetë edhe më keq se kaq, prandaj u sulmua PDK.
Ajo që kemi vërejtur në këtë traditë politike 18 vjeçare është fakti se, deputetët veriorë, sidomos ata të Shkodrës, nuk janë aktivë sa duhet në parlamentin shqiptar. Duke qenë disi të ‘fjetur’, përfaqësuesit shkodranë kanë lënë një investim si rruga Shkodër – Hani i Hoti pa u kryer, që prej 12 vjetësh. Znj. Topalli favorizohet disi nga kreu i PD-së dhe ka pasur rol të dukshëm, por ajo nuk di të drejtojë. Me mënyrën arrogante të sjelljes së saj, me ligësitë që u bën “nën tokë” njerëzve, etj., ajo i ka përhapur vetvetes një reputacion të keq në elektorat, saqë ka njerëz pranë PD-së në Shkodër, që mendojnë se, znj. Topalli mund të mos kishte fituar fare në një sistem mazhoritar, në atë formë siç ka qenë deri tani.
Por nëse kjo është e vërtetë, a duhet atëherë që znj. Topalli të futet në listën e deputetëve të Shkodrës, apo ta kryesojë listën për Partinë Demokratike? Berisha e ka shumë për zemër atë, dhe sot është mjaft i rrezikuar, që të fillojë e të tallet me të, siç ka bërë më parë me Pjetër Arbnorin, Gjovalin Bzhetën, etj. Për arsye se sistemi i ri elektoral, kuoton femrat në 30 % pjesëmarrje, kësaj radhe, znj. Topalli nuk ka pse të shqetësohet. Ajo do të vetë-vihet e para në listën e deputetëve të PD-së për Qarkun e Shkodrës, dhe do marrë me vete në gjashtëshen e parë edhe një femër tjetër, ndoshta të bindurën Arenca Troshani.
Kryetari aktual i PD-së në Shkodër si dhe deputeti Astrit Bushati, pavarësisht mos-dëshirës së klanit të Jozit, që i do të gjitha për vete, ai ka mundësi të sigurojë një emër në listë. Ajo që thuhet është e vërtetë: znj. Topalli nuk ka më asnjë mik, përveç Berishës, sa të zgjasë edhe kjo miqësi, se uragani i PD-së nuk i ka miqtë fort të qëndrueshëm. Topalli i bën të gjithë armiq. Por ka mundësi se kjo mënyrë sjelljeje dhe gjëra të tjera që merren me mend, i kanë dhënë asaj mundësinë që të ketë sukses në politikën shqiptare – ka marrë një post të lartë, të cilin nga padija e ligësia po e shqelmon vetë dita në ditës.
Kësaj here ajo ka dëshirë të godasë sa të mundet, nëse Berisha e dëgjon. Topalli nuk pyet për interesat e PD-së, por të vetat personale. Deri sot, Berisha i ka dëgjuar sugjerimet e saj, për ta kthyer zonjën Topalli në panterën e zezë, për të mos thënë, tmerrin e politikës shkodrane. Sipas të gjitha kalkulimeve, nëse PD dëshiron të përfaqësohet me dinjitet para elektoratit të Qarkut të Shkodrës, asaj i duhet të fusë në gjashtëshen e parë katër deputetë nga Shkodra, një nga Malësia e Madhe, dhe një nga Puka. Dy femrat e gjashtëshes janë znj. Topalli dhe një tjetër. Po dy meshkujt shkodranë, kush e kanë fatin të jenë?
Zemra, Jozefinës i thotë të marrë Lorenc Lukën, kreun aktual të Bashkisë Shkodër, por Lorenci nuk mund të jetë në dy poste njëherësh. Duhet të lënë njërin. Atëherë ajo do mundohet të fusë në listë dikë, që nuk e shqetëson, apo konkurron atë. Astrit Bushati mund të jetë i parrezikshëm, dhe ai do ta ndërronte pa problem postin e deputetit, se paguhet më mirë, me kreun e degës së Shkodrës. Po tjetri? Pyetje e vështirë, kur kihet parasysh se nuk është vetëm raporti femra dhe meshkuj, që duhet respektuar në këtë përfaqësim, por është edhe raporti fetar, që luan rolin e tij. Nëse Astriti hyn në listë, atëherë znj. Topalli duhet të zgjedhë një kandidat të besimit katolik, që kuptohet, të jetë besnik i saj.
Por, kush do të jetë kandidati në gjashtëshe nga Malësia e Madhe? Gjovalin Bzheta do të ishte më i përshtatshmi, pasi ka reputacion të mirë, dhe e merr votën e malësorëve më me dinjitet, se këta të tjerët, që jemi mësuar t’i shohim në parlament, nga Malësia e Madhe. Ka një problem. Bzheta, ka pasur dy mandate, si i zgjedhur i PD-së dhe pavarësisht reputacionit të mirë, ai ka një konflikt të kaluar me znj. Topalli dhe kreun e PD-së Berisha. Dihet se barku ndikon shumë në trurin e politikës shqiptare. A do mundet Berisha ta mposhtë inatin e brendshëm dhe të bëjë zgjedhjen e duhur në këtë rast? Nuk e besoj. Sa i përket znj. Topalli, ajo e di fort mirë, se ish-deputeti Bzheta është më pak i rrezikshëm për të, se sa ish-polici dhe deputeti aktual Ramiz Çobaj. Ky i fundit mund të ishte prekur edhe nga ligji i lustracionit, pasi në kohën kur ne rrëzonim sistemin komunist, ai punonte në Min. Brendshme.
Deputeti Çobaj në vetvete, ose “nusja”, nuk e përfaqëson si duhet Malësinë e Madhe, as që mund të krahasohet për nga reputacioni politik, dinjiteti e karakteri me ish-deputetin Bzheta. Çobaj banon në Tiranë dhe lidhjet me Malësinë i ka ngaqë e ka prejardhjen prej këtej; çon ndonjëherë traun e doganës, pa pyetur për premtimin e Berishës, bën ndonjë pisllëk profesional me ish-kolegët e tij në polici, dhe ka futur ndonjë të korruptuar në konsullatën e Selanikut, etj. që u bë objekt vëzhgimi edhe nga “Fiks Fare”. Gjëra këto, që megjithëse janë kundër tij, mund të mos ndikojnë në përzgjedhjen e tij të mundshme, pasi ai mbështetet nga grupi pranë Sekretarit të Përgjithshëm, Bode.
Herën e fundit, kandidatura e tij u kundërshtua brenda PD-së nga znj. Topalli, e cila me këtë rast donte të favorizonte kandidatin socialist, Lekë Çukaj. Por me sugjerim nga Besnik Mustafaj, Berisha këmbënguli në përzgjedhjen e kandidaturës së Ramiz Çobajt. Kjo histori e vjetër, e mban gjallë shpresën e deputetit Çobaj për futjen e tij në gjashtëshen e parë të listës së Shkodrës, pavarësisht se “mëkatet” e tij në elektoratin e zonës, ku është zgjedhur, mund të shkaktojnë një reagim negativ kundër vetë listës së PD-së, nëse ai përzgjidhet. Për këtë është paralajmëruar edhe vetë Berisha, aq më tepër që znj. Topalli dhe klani i saj në Shkodër, nuk kanë marrëdhënie të mira me deputetin në fjalë, si konkurrent i mundshëm.
Nga fushata e fundit, më kujtohet një episod. Çobaj u zgjodh deputet falë besnikërisë se kryetarit të Komisionit Zonal, Gjelosh Prendi, të cilin më pas e la në baltë dhe kreu edhe veprime kundër interesave të tij, duke e lënë aktualisht të papunë. Kishte manipulime në 3-4 kuti dhe zgjedhjet mund të ishin kontestuar. Në kohën kur Astrit Bushati u zgjodh deputet në balotazh, ai vendosi ta festonte fitoren e tij në Shkodër. Kur e ftuan deputetin e zgjedhur Çobaj të merrte pjesë në festime, ai tha: “Nuk ka vend për dy nuse në një festë…” dhe për këtë arsye ai nuk mori pjesë.
Zgjedhësit e zonës 3 nuk do të harrojnë ‘oratorinë origjinale’ të deputetit të tyre, aspirant për një vend në gjashtëshe. Ai u tha atyre në një mënyrë të transformuar: “Nëse më rren (gënjen) një herë, të raftë (rëntë) pika ty; nëse më rren dy herë, të raftë pika ty dhe mu; nëse më rren tre herë, më raftë pika mu…” Nuk mbetet tjetër vetëm të qeshim ha, ha, ha… për këtë shqipërim gjenial. A do të arrijë z. Çobaj t’i gënjejë përsëri zgjedhësit e vet, siç bëri herën e parë? Kjo mbetet për t’u vendosur nga strukturat e PD-së në qendër dhe nga vetë zgjedhësit nëse duan t’u bjerë pika…
Publikuar në: TemA, 10.02.2009