Standardet në Kosovë dhe serbët e privilegjuar

0
909

Në fjalimin e tij përpara Këshillit të Sigurimit të OKB-së, kryeadministratori i Kosovës Mikael Shtajner përqendrohet në pesë pika kryesore, ndonëse ai mundohet të japë një imazh, se populli i Kosovës kërkon gjëra të tjera, që kanë të bëjnë me vendet e punës, sigurinë dhe shumëetnicitetin, ndërsa politikanët kosovarë kërkojnë zgjidhjen e statusit të Kosovës sa më parë.

Sipas Shtajnerit, kërkesat që bën popullsia e Kosovës para tij dhe bashkësisë ndërkombëtare, janë në përputhje të plotë me kërkesat e vetë komunitetit ndërkombëtar. Pra, Shtajner e merr popullin me vete, por nuk përton të kritikojë politikanët kosovarë – si pjesë e popullit, të cilët interesohen më tepër për zgjidhjen e statusit përfundimtar të Kosovës (që është pavarësia), duke i quajtur nganjëherë organet e zgjedhura nga vota e lirë e popullit, si “institucione të përkohëshme”, sidomos në lidhje me kalimin e kompetencave.

Nga ana tjetër, Shtajner përmend edhe politikanët e Beogradit dhe pika e katërt e fjalimit të tij përqendrohet pikërisht në fillimin e një dialogu të drejtpërdrejtë Prishtinë-Beograd. Këtu fillon edhe privilegji, që bashkësia ndërkombëtare i bën serbëve në lidhje me Kosovën.

Zgjedhja e terminologjisë në fjalimin e Shtajnerit mundohet të paraqesë situatën në Kosovë, pa i “rënë në qafë” askujt, e sidomos duke u munduar të mos acarojë marrëdhëniet me politikanët serbë, të cilët megjithatë janë shprehur herë pas here kundër rolit të UNMIK-ut në Kosovë.

Duhet të kemi parasysh një fakt: Kosova vërtetë duhet të ketë standarte, që të mund të qëndrojë në këmbë e pavarur. Për presidentin Rugova këto standarte plotësohen më mirë, në rastin e njohjes së një pavarësie sa më parë, ndërkohë që për kryeadministratorin Shtajner, standartet duhet t’i paraprijnë statusit. Duket se kemi të bëjmë me një lojë fjalësh. Ajo që është e qartë për ne, është fakti se, çdo qytetar shqiptar i Kosovës dhe disa pakicave në Kosovë, e sheh të ardhmen e tij në një Kosovë të pavarur dhe si kusht kryesor e të vetëm për të jetuar në siguri e qetësi dhe për të mundësuar investimet e huaja në Kosovë. Këtë gjë e kërkojnë të gjithë politikanët kosovarë – gjë që fatkeqësisht nuk përmendet qartë nga Shtajneri, në fjalimin e tij para KS të OKB-së.

Pavarësia e Kosovës kundërshtohet nga Beogradi, dhe nga pakica serbe në Kosovë. Kjo është e natyrshme. Për Beogradin dhe serbët në përgjithësi, edhe sot do të vazhdonte shpërngulja e shqiptarëve nga vatrat e tyre në Kosovë. Por kjo u ndal një herë e përgjithmonë, dhe realiteti ndryshe në Kosovë, nuk duhet të lejohet të precipitojë në një konflikt të ardhshëm, siç mund të ndodhte në rastin se vullneti i shumicës në Kosovë nuk do respektohej. Duhet të bëhet edhe diplomatikisht e qartë për serbët vetë, se Kosova nuk është më pronë e Beogradit, dhe se Beogradi nuk ka pse të pretendojë të bëjë rendin e ditës në Kosovë. Kush janë serbët në këtë rast, që duhet të respektohen kaq shumë?…

Pakica serbe në Kosovë, bën që Beogradi t’i lejojë vetes të drejtën mbi Kosovën – është njëlloj, sikur Turqia të kërkonte të diktonte politikën e Berlinit, sepse ka mbi 3 milion turq në Gjermani. A nuk duket paradoksale edhe për zotin Shajner, të këmbëngulë në prioritetin e tij për një shoqëri multi-etnike në Kosovë, vetëm për hir të 3-5 % serbëve, që përbëjnë popullsinë e Kosovës? Asnjë shtet evropian, nuk konsideohet multi-etnik me një sasi kaq të vogël minoriteti brenda një shteti nacional. Në Maqedoni kemi rreth 40 % shqiptarë, dhe maqedonët përpiqen me të gjitha mënyrat për të mos i njohur të drejtat e shqiptarëve si shtetformues. Këtë po e shohim çdo ditë me zhvillimet në Maqedoni.

Duke përfituar nga tradita mikpritëse shqiptare, dhe respekti tradicional shqiptar për të huajin (që ka ardhur me siguri edhe nga një ndjenjë inferioriteti e imponuar nga pushtimi shekullor osman), ndërkombëtarët në Kosovë dhe serbët vetë, mundohen të përfitojnë mbi kurrizin e shqiptarëve, duke mos u njohur atyre atributet, që shqiptarët duhet të kenë. Kjo gjë është më e theksuar në Maqedoni, dhe nuk përjashtohet tendenca e paraqitjes së shqiptarëve si rracë inferiore – gjë që nuk ka pse të jetë e vërtetë. Kosovarët duhet të këmbëngulin deri në egoizëm për të drejtat e veta, siç bëjnë fqinjët tanë grekë e sllavë. Vetëm në këtë rast, ata do mund të kuptohen edhe nga komuniteti ndërkombëtar.

Kemi të bëjmë këtu edhe me një lloj psikologjie sunduese, e cila synon të favorizojë vazhdimësinë e privilegjeve, që i duhet dhënë rracës serbe, edhe pse struktura e popullsisë në Kosovë flet me parametra të tjerë. Edhe në rastin e një Kosove të pavarur, gjë që është plotësisht e mundur, serbët vetë mundohen të paraqesin një precedent ndarjeje të Mitrovicës – kjo u duk në përpjekjen e tyre të fundit, pas takimit në Beograd, që të formonin unionin e komunave serbe në Kosovë. Kjo për analogji, do ishte njëlloj sikur turqit e Gjermanisë, të kërkonin krijimin e unionit të komunave turke në Gjermani… (!?)

Pra, janë serbët ata që nuk duan të kuptojnë lojën e shetit ligjor e demokratik në një vend, dhe i frigohen pavarësisë së Kosovës, e cila vjen natyrshëm përmes kalimit të kompetencave drejtuese të UNMIK-ut tek institucionet e përhershme vendore. Theksoj të përhershme. Serbët duan në këtë rast, si gjithmonë, të kapin “kofshën e luanit” në Kosovë dhe interesat e tyre atje, të jenë sa më të forta. Kaq e paturpshme mund të jetë qënia njerëzore. Serbëve nuk iu vjen aspak keq për tragjedinë e krijuar ndaj popullit shqiptar të Kosovës dhe akoma nuk kanë kërkuar falje. Në vend që serbët të heshtin e të kujtohen për dëmshpërblimin që shteti serb ia ka borxh Kosovës, të mbajtur për vite me radhë si koloni me dhunë, ata i lejonë vetes edhe të kërkojnë pjesë. Por përderisa në politikë nuk thotë kush se duhet të kesh fytyrë e ndjenja, atëherë pse shqiptarët duhet t’i kenë këto?

Serbët e Kosovës, të cilët nuk i kanë përlyer duart me gjak shqiptar, nuk kanë pse të kenë frikë nga shqiptarët, e aq më tepër nga Pavarësia e Kosovës. E vërteta është se shqiptarët përgjithësisht janë më tolerantë dhe më njerëzorë se vetë fqinjët e tyre, dhe për këtë kemi humbur shumë. Kemi rastin e Shqipërisë, ku pakicat greke, malazese e maqedonase atje, respektohen si qytetarët e tjerë, bile edhe më shumë. Sa i përket minoritetit grek në Shqipëri, ata kanë shkollat e tyre në gjuhën greke deri në nivel universitar. Po çamët e arvanitët shqiptarë në Greqi? Asnjë të drejtë, përveç të drejtës për të jetuar atje (kush i ka shpëtuar gjenocidit grek pas luftës së dytë botërore) si qytetar grekë – të asimiluar. Aq më tepër kur Greqia është anëtare e Bashikimit Evropian…

Këto standarte duhet t’i ketë parasysh edhe zoti Shtajner. T’i referohet vendit të tij Gjermanisë dhe të shohë objektivisht respektin që tregojnë institucionet gjermane për të huajt në Gjermani. T’i referohet Greqisë në lidhje me respektimin e minoriteteve dhe multi-etnicitetit. Me të drejtë lind pyetja: Çfarë standartesh kërkon zoti Shtajner në Kosovë? Apo mos kemi të bëjmë këtu me një lojë fjalësh…

Kosovarët kanë sot një klasë politike e intelektuale relativisht të përgatitur mirë, për të marrë në dorë fatet e popullit të vet, në një shtet të pavarur e në fqinjësi të mirë me vendet rreth tyre. Ata nuk kanë pse të manifestojnë komplekse psikologjike nga e kaluara e tyre, por duhet të tregohen profesionalisht të aftë dhe të patundur, në të drejtën e tyre historike për të ardhmen popullit të vet.

Shqiptarët e Kosovës e kanë traditë që të respektojnë pakicat e kombësive të tjera, dhe për këtë mund të marrim si shembull edhe respektimin e pakicave në Shqipëri.

Zhvillimi ekonomik i Kosovës mund të bëhet më mirë, kur investitorët e huaj e dinë se investojnë në një tokë që nuk rrëshqet – pra në një Shtet të Pavarur të Kosovës, e jo në një njësi administrative me status të papërcaktuar. Dhe këtë zoti Shtajner e kupton mjaft mirë, nëse ka parasysh faktin se edhe në Berlinin lindor, biznesmenët gjermanë ngurrojnë të investojnë, e jo më në Kosovën e administruar nga ndërkombëtarët e pa status të përcaktuar. Zhvillimet ekonomike do varen kryesisht nga vetë kosovarët, në radhë të parë, të cilët duan njëherë pavarësinë, në mënyrë që paratë e kursyera në perëndim, të vijnë e t’i investojnë pa frikë në Kosovë, dhe njëkohësisht do ftojnë edhe biznesmenët e huaj.

Zoti Shtajner duhet ta kuptojë, se pavarësisht optimizmit të tij dhe njohjes që ka për realitetin, shumica e kosovarëve kanë një përvojë të hidhur historike, që është praktikisht më e fuqishme në ndërgjegjen e tyre, sesa argumentet e tij diplomatike në lidhje me të ardhmen e Kosovës. Kosovarët duan ta materializojnë të drejtën e tyre mbi Kosovën, atëherë edhe mund të ndjehen të lirë sa dhe si duhet.

Askush nuk thotë se krimi nuk duhet luftuar – por lënia gradualisht e sigurisë dhe rendit në dorë të vendorëve, që njohin më mirë terrenin e mentalitetin, dhe me ndihmën e asistencën e nevojshme profesionale e teknike të ndërkombëtarëve, mund të sillte padyshim edhe një përmirësim të luftës kundër krimit në Kosovë.

Sa i përket shumëetnicitetit për të cilin flet Shtajner, si mëkëmbës i OKB-së në Kosovë, kjo është jo relevante të flitet për të sot, e jo më të jetë një prioritet i ndërkombëtarëve në Kosovë. Shtajner dhe askush tjetër nuk ka pse kërkon “qiqrra në hell” në një Kosovë të pasluftës. Shtjaner dhe të tjerët duhet të ndërtojnë shtetin ligjor e demokratik në Kosovë, dhe kjo i zgjidh edhe problemet e minoriteteve, sepse respektimi profesional i ligjit, nuk njeh kombësi.

Arben Çokaj, 08.02.2003.

PublikuarQIKShekulliTrepca.net

Shënim: Botimi në “Shekulli”, fq. 14, me dt. 09.02.2003 me titullin:
Shtajner, politikanët kosovarë dhe statusi” dhe okelion:
Kur përfitohet nga respekti ynë për të huajt
http://www.shekulli.com.al/koment/9shkurt2003/cokaj.htm

LEAVE A REPLY

Ju lutem, lini komentin tuaj!
Ju lutem, fut emrin tuaj këtu