Rozafa – gruaja e murosur ( video )

0
3150
Kalaja Rozafa
— nga Arben Çokaj

ese

Rozafa është zanafilla e një qyteti të lashtë e legjendar. Gjithçka fillon me një legjendë, gjithçka vazhdon si në legjendë. Rozafa ishte aty, para se Krishti të lindte, ajo është aty edhe sot.

Për ata që e njohin legjendën e Rozafës, e kanë të qartë se në muret e saj prehet një trup i gjallë nëne.

Gruaja ‘Rozafë’ lutet që t’ia lënë njërin gji jashtë, për të ushqyer me qumësht djalin e saj të vogël. Me trupin e saj, Rozafa i dha jetë një fëmije, me sinqeritetin dhe vetë-flijimin e saj, ajo i dha jetë një qyteti. Mbi të u ngrit një kala, tre vëllezërit e legjendës gjetën mirëkuptim mbi murosjen e kësaj gruaje. Si gjithmonë, dikush flijohet që diçka më e madhe të jetojë. Dhe Shkodra jetoi në shekuj mbi flijimin legjendar.

Vetë historia njerëzore, në turbulencën e saj nën-ndërgjegjësore, ka provuar paarsyen e vet paradoksale:



Diçka e shenjtë jepet, diçka e shenjtë fitohet! Jeta është e shenjtë. Dhe brezat që vijnë, gëzojnë mbi atë që u shua. Rozafa, kjo grua naive, mund të kishte vdekur si të gjitha të tjerat – e harruar, por ajo vdiq, pa e ditur as vetë, për të jetuar si legjendë. Ky paradoks i arsyes njerëzore na çon tek një fillim: Plaku orakull, u tregon vëllezërve se duhet të murosin njërën nga gratë, që muri të qëndrojë.

A mos ndoshta ky mësim filozofik i orakullit, kjo simbolikë unike e veprimit, don të thotë, se kur ti humbet diçka të shtrenjtë, fillon dhe e vlerëson atë, që ti ndërton mbi këtë humbje?… Dhe kjo ndodh krejt natyrshëm në kohën e Rozafës, gruas që u muros për të dhënë jetë. Ajo u muros se thoshte orakulli, u martirizua për hir të zakonit, dhe kjo përbën forcën filozofike të vetë legjendës: flijimin si domosdoshmëri të padiskutueshme.

Por a janë të gatshëm vallë, të gjithë njerëzit të flijojnë? Jo, por në të vërtetë, po! Secili nga ne humbet diçka, dikush më shumë, dikush më pak, pa dëshirën tonë, pa vetëdijen tonë. Kjo ndodh po aq natyrshëm, sa ç’ndodhi me Rozafën. Por humbjet tona janë të vogla, individuale, ndërkohë që humbja e Rozafës u bë për hir të interesave globalë: ndërtimit të një muri mbrojtës për qytetin e Shkodrës.

Gjekë Marinaj

RRËFIMI I ROZAFËS

Nën iluzionin
se një grua vlen më pak se një burrë,
Më murosën mua.

Nën idenë
se u ushqye me gjakun tim,
Kalaja gjeti forca të mbahet në këmbë.

Nën sikletin
se mund të thirrej dëshmitar,
Drini vazhdoi udhën.

Nën emblemën
e vet-sakrificës njerëzore,
Më kthyen në legjendë.

Nën pretekstin
se të gjithë patën të drejtë,
Edhe unë murosa brenda vetes fjalën “vrasje”.

LEAVE A REPLY

Ju lutem, lini komentin tuaj!
Ju lutem, fut emrin tuaj këtu