Politika maturante shqiptare

0
1261
Angela Merkel

Nuk ka dyshim, që politika shqiptare ka bërë zgjedhjen më të mirë. Në historinë e re politike të Shqipërisë gjatë këtyre viteve të tranzicionit demokratik, politikanët shqiptarë përmes qeverisë dhe parlamentit të tyre, kanë marrë pa ekuivok një vendim të guximshëm përkrah SHBA-së dhe aleatëve të saj dhe në mbështetje të plotë me interesat tona kombëtare.

Lufta kundër Sadam Huseinit, që sapo ka filluar, ishte mjeti i fundit dhe i domosdoshëm për çarmatimin dhe largimin nga pushteti të diktatorit iraken, i cili e ka rritur ndjeshëm rrezikshmërinë për paqen dhe stabilitetin në botë, dhe ka dhunuar egërsisht për vite të tëra të drejtat e popullit të tij. Si në çdo konflikt tjetër me përmasa ndërkombëtare, edhe në këtë rast, ndarjet dhe fragmentarizmi i opinioneve të politikanëve nga e gjithë bota, u bë një dukuri dominante, saqë pengoi në konvergimin diplomatik të një rezolute të përshtatshme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Por kundërshtarët në këtë rast nuk ka pse të merren seriozisht. Përveç disa politikanëve me prirje majtas dhe disa pacifistëve që vuanin nga dëshira për t’u zhveshur, ata nuk janë në gjendje të bëjnë më shumë, ndonëse mosmarrëveshja në fjalë do tingëllojë mbrapsht për disa kohë, dhe mund edhe të çojë në një hartë të re të politikës ndërkombëtare, nëse kundërshtarët e konfliktit të Irakut do jenë në gjendje të bashkojnë forcat, aq sa të merren në konsideratë.

Është karakteristike se, qeveria gjermane ishte ndër të parat në Evropë që e kundërshoi me forcë ndërhyrjen ushtarake në Irak. Kancelari Shrëder dhe ministri i jashtëm gjerman Fisher, janë përpjekur energjikisht, që të influencojnë edhe qeveri të tjera evropiane për të mos mbështetur planet amerikane në konfliktin e Irakut, saqë dolën në dritë edhe si mbrojtësit më të mirë të regjimit iraken. Por veprimet e qeverisë gjermane filluan të kritikohen ashpër nga opozita, e cila kontrollon në fakt shumicën e vendeve në Këshillin Federal, përmes së cilit kalojnë miratimet e të gjithë ligjeve të reja në Gjermani.

Angela Merkel, kryetarja e Unionit Kristian-Demiokrat (CDU), qëndron në krye të këtyre kritikave dhe është shprehur herë pas here, se veprimet e Kancelarit Shrëder janë diletante në politikën e jashtme dhe ato në të vërtetë po ndeznin luftën, në vend që ta pengojnë atë. Merkel sqaronte se, nëse gjithë shtetet perëndimore do mbështetnin SHBA-të, atëherë presioni i përbashkët do e detyronte Sadamin, këtë diktator, të dorëzohej.

Ndërsa kancelari Shrëder kundërshtonte hapur dhe pa takt, ndërhyrjen ushtarake në Irak dhe mospjesëmarrjen e forcave gjermane me ato aleate në konflikt, që në zgjedhjet federale në Gjermani në shtatorin e kaluar, ai duket se u bë një katalizator negativ për mjaft vende të tjera, të cilat refuzuan pjesëmarrjen. Por nga ana tjetër, Shrëder priste me servilizëm përulës, që t’i jepte dorën presidentit Bush në samitin e NATO-s në Pragë, vjeshtën e kaluar. Veprimet qesharake të kancelarit Shrëder në këtë samit, nuk mbetën pa u satirizuar nga media gjermane.

Ajo që është e rëndësishme të përmendet në këtë kontekst, është fakti se shumë gazeta nacionale gjermane e trajtuan thellë këtë çështje, duke e kaluar përmasën e konfliktit iraken në një eveniment, që ka prishur përfundimisht marrëdhëniet SHBA-Gjermani. Dhe kjo nuk duket se është një politikë e mençur e kancelarit Shrëder, kur dihet mjaft qartë se Gjermania e sotme, edhe bashkimi i saj, është produkt i ndihmës së vazhdueshme të politikës amerikane.

Gazeta e njohur gjermane “Süddeutsche Zeitung” (Sydojçe Cajtung) shkruante në një koment të saj: “Fundi i miqësisë” se: “Për Gjermaninë, një thyerje e përhershme me Amerikën nuk do ishte çlirim, por një kthim tek realiteti i ndyrë i ri dhe i vjetër; kthim i plotë tek një botë zhgënjyese e Evropës së vjetër me mendjeshkurtësinë dhe pabesinë e saj. Mirënjohja dhe miqësia me Amerikën: do të provojnë akoma në të ardhmen se janë ndjenja të arsyeshme.

Përkundër kësaj, politika shqiptare e këtyre viteve, shënoi tashmë ngjarjen më të rëndësishme në angazhimin e saj ndërkombëtar, dhe po del kështu gradualisht nga adoleshenca dhe delitantizmi politik, që shpeshherë e ka karakterizuar këto vitet e fundit. Rreshtimi Shqipërisë me 70 ushtarakë përkrah SHBA-së dhe aleatëve të saj në konfliktin e Irakut, tregoi më së miri se shteti shqiptar e njeh mirë logjikën e thënies së vjetër: “Miku i mirë – në ditë të vështirë”. Në pak vite, Shqipëria e djegur më parë nga kampi socialist, ka arritur të orientohet bukur në politikën ndërkombëtare, dhe ka zgjedhur krahun anglo-sakson, që realisht drejton sot botën.

Politikanët shqiptarë, me vendimin e tyre të guximshëm, treguan më së miri se i besojnë Amerikës si partnerit më të rëndësishëm, dhe Amerika nuk do ta harrojë këtë nder. Këtë e ka treguar edhe presidenti Bush me letrat e tij drejtuar kryeministrit Nano, dhe presidenti Bush po e tregon më së miri, se është një politikan që i mban premtimet e tij me përpikmëri.

Pas vendimeve të matura politike, priten natyrshëm edhe zhvillime të mëtejshme shoqërore, të cilat për shoqërinë shqiptare në këtë fazë janë mëse të domosdoshme, sidomos në politikën dhe ekonominë e brendëshme. Sa i përket një acarimi virtual të marrëdhënieve tona me BE-në përsa i përket pjesëmarrjes sonë në një koalicion me SHBA-të, politikanët shqiptarë duhet ta kenë të qartë, se Shqipëria do respekohet nga shtetet e BE-së, vetëm atëherë kur, ajo të bëhet e fortë dhe të dijë të respektojë vetveten.

Në planin e politikës kombëtare, nuk ka asgjë më të rëndësishme se sa zhvillimet pozitive drejt statusit final të Kosovës, në përputhje me vullnetin e shprehur të shumicës shqiptare në Kosovë, ku krerët politikë kosovarë, janë shprehur qartë në përkrahje të politikës amerikane. Në këtë rast, roli i SHBA-ve është padiskutim i pazëvendësueshëm, dhe të shpresojmë se SHBA-të do dinë t’i respektojnë aspiratat tona si shqiptarë.

Lufta në Irak sapo ka filluar, por askush nga ne nuk mund ta dijë se sa do zgjasë ajo dhe si do të shkojë. Të urojmë që operacionet “kirurgjikale” të ushtrisë amerikane të jenë po aq të suksseshme në çlirimin e popullit iraken, sa ç’ishin në Kosovë, kundër diktatorit Millosheviç.

Arben Çokaj, 20.03.2003.

Publikuar në: QIK, 20.03.2003
Dërguar për: Gazeta “Illyria” | Gazeta Shekulli

PËRGJIGJU

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu