Të reja në Perëndim

0
920

Intervistë me 05.06.1992 në “Voralberger Nachrichten”, Austri nga Marlins Mohr

Diktatura komuniste, e cila zgjati për dekada, ka rënë dhe Shqipëria është në rrugën e saj drejt një të ardhmeje demokratike, së paku kështu besohet. Por fragmentizmi politik dhe ekonomik, i cili u konsolidua nga tutori stalinist, është i madh. Për këtë arsye, me rëndësi të madhe për dy drejtuesit e studentëve Blendi A. Gonxhja dhe Arben Çokaj, është që t’ia dalin mbanë. Prandaj ata erdhën në Perëndim dhe zbuluan shumë gjëra të reja. Veçanërisht mundësinë ekonomike, që është e nevojshme për Shqipërinë që të ngrihet. Të dy janë të bindur se, vetëm kështu mund të ndalohet emigrimi.

Blendi A. Gonxhja (djathtas) dhe Arben ÇokajNjë udhëtim informimi në Austri:
Drejtuesit e studentëve shqiptarë Blendi A. Gonxhja (djathtas) dhe Arben Çokaj

Cila është arsyeja e vizitës suaj në Austri?

Së pari, ne deshëm të njiheshim me Parlamentin Studentor të Universiteteve në Austri. Në mes të qershorit, do të mbahen zgjedhjet e para studentore në Shqipëri, dhe për këtë, ne dëshironim të organizonim studentët sa më shpejt që të jetë e mundur. Përveç kësaj, ata na ofruan ne mundësinë që të vizitonim komunitetin shqiptar në Vjenë, dhe ne biseduam gjithashtu edhe me përfaqësues të UNESCO-s. Në fund të vizitës sonë, ne morëm një ftesë nga miqtë tanë në Nenzing.

Nëse gjithësecili jep më të mirën, atëherë është e mundur të jetohet në dashuri e paqe.
Blendi A. Gonxhja, Arben Çokaj

Si e vlerësoni sistemin e Parlamentit Studetor të Universiteteve Austriake?

Ideja dhe qëllimi janë të mira, ndryshimi është se këtu grupimet e studentëve janë politikisht të lidhura, ndërsa në Shqipëri nuk është kështu. Por ne kemi me siguri një të ardhme politike. Që të veprojmë me efektivitet, është e rëndësishme për ne, që të gjithë studentët të grumbullohen në një organizatë.

Sa studentë ka në Shqipëri?

Ka rreth 20.000 studentë. Deri tani, shumica e tyre janë pasive, për arsye të situatës politike. Vetëm një grup i vogël i tyre është realisht aktiv.

Çfarë roli luajtën studentët gjatë ndryshimeve politike?

Ata i dhanë hov revolucionit dhe kështu Shqipëria ndryshoi plotësisht. Ne zgjodhëm atë rrugë, sepse ne nuk besonim se në politikë diçka mund të ndryshojë vetvetiu.

Në çfarë situate ndodhet vendi pas zgjedhjeve?

Përveç se këto zgjedhje do të hyjnë në histori si zgjedhjet e para të lira, këto ishin në të njëjtën kohë shumë të rëndësishme për ne. Gjithçka është mirë dhe qeveria është pranuar nga të gjithë. Në të vërtetë, situata është disi e vështirë, por jo aq problematike sa në vendet e tjera të bllokut të lindjes, për shembull. Në shumë drejtime mund të thuhet se është mirë, ashtu siç është edhe konfuze në shumë drejtime tjera. Do të ishte e lehtë që kjo të ndryshohej, nëse do afroheshin një numër investitorësh.

Çfarë është mirë për shembull?

Veçanërisht mirë mund të konsiderohet morali i popullsisë; qëndrueshmëria e familjeve. Dhe natyra është vërtetë e bukur – është si këtu në Evropë por jo kaq ftohtë.

Çfarë është keq?

Keq është se nuk ka shumë punë dhe njerëzit kanë frikë të shpenzojnë para. Inflacioni momentalisht është rreth 700 %. Keq është gjithashtu se shohim shenja ngurrimi nga Evropa, megjithëse dyert tona janë hapur.

Çfarë është tani urgjentisht e nevojshme për vendin?

Së pari ne kemi nevojë për pak qetësi, që të vendosim legjislacionin e ri. Pastaj, janë vendet e punës dhe investimet që nevojiten për të garantuar një fillim të ri. Nuk ka pothuajse asnjë ndërmarrje private. Prandaj ne nuk kemi nevojë aq tepër për gjëra materiale. Në radhë të parë ne kemi nevojë për mbështetje intelektuale, nevojë për ndihmë në çështjet ekonomike, të tregëtisë dhe në sektorin teknik, si një bazë mbi të cilën mund të ngrihet ekonomia. Vetëm kjo mund ta frenojë eksodin. Dhe shumë shqiptarë do të kthehen në vendlindjen e tyre. Por që kjo të menaxhohet, një plan i vërtetë “qetësie” do të ishte i domosdoshëm. Eshtë e vërtetë, se tashmë shumë shoqata po punojnë në Shqipëri, por nuk ka asgjë të organizuar në këtë drejtim.

Si është problemi i ndotjes në Shqipëri?

Për arsye të trafikut, ndotja e mjedisit është e madhe dhe shumë ndërtesa janë shkatërruar gjithashtu. Në këtë drejtim, ne me të vërtetë duhet të fillojmë nga fillimi.

A mendoni se turizmi mund të jetë një prespektivë e së ardhmes?

Përgjithësisht, Shqipëria mund të ofrojë shumë gjëra, veçanërisht një natyrë të virgjër. Për këtë, ne dëshirojmë të bëjmë pak reklamë. Ndonëse kjo nuk është puna e jonë, është megjithatë interesi jonë.

A ka gjithësecili mjaft për të ngrënë në Shqipëri?

Italia po na furnizon me ushqimet bazë e të rëndësishme, të cilat ne i marrim me karta racionesh të veçanta. Qeveria e bën vetë shpërndarjen. Dhe mund të ndodhë, që ushqimi nuk mjafton për të gjithë.

Do të ishte me rëndësi, t’i bashkonim të gjithë studentët në një organizatë.
Blendi A. Gonxhja, Arben Çokaj

A keni patur dëshirë ndonjëherë të bëheshit politikanë?

Një parlament studentor, themelimi i tij është për kohën një sipërmarrje e rëndësishme, një kyçje e paevitueshme në aktivitet politik. Personalisht ne besojmë, se është më mirë që ta mbajmë veten jashtë politikës. Në pozicionin tonë, ne duhet të shohim për bashkëpunim. Sepse ne të gjithë jemi në të njëjtën varkë.

Si e imagjinoni demokracinë?

Dëshirojmë që vendi ynë të bëhet një shembull i jetës së përbashkët në dashuri e paqe. Nëse gjithësecili prej nesh jep më të mirën e tij, kjo gjë mund të arrihet me siguri.

Publikuar në:
Marlins Mohr, Voralberger Nachrichten, Austri, 05.06.1992

Artikulli në: Origjinal dhe Anglisht

Shënim: Përkthyer për ne nga gjermanishtja në anglisht nga e shoqja e z. Lucciano (italian, e shoqja austriake) – një mik i Blendit. Prej anglishtes në shqip – nga Arben Çokaj. Z. Lucciano bashkë me të shoqen merrnin pjesë në një shoqatë humanitare, e cila ka sjellë herë pas here ndihma për studentët shqiptarë në atë kohë. Shkrimin na e dërguan me fax, prandaj edhe fotoja është me cilësi e ulët…

Blendi Gonxhja – në atë kohë ishte kryetar i Shoqatës Studentore Shqiptare, ndërsa Arben Çokaj ishte nënkryetar i Unionit Studentor – organizimi më i madh studentor për kohën.

Sa i përket Parlamentit Studentor Shqiptar, kjo gjë nuk u arrit, megjithëse dy shoqatat e sipërpërmendura ranë dakort për këtë gjë. Kushtet politike nuk ishin aq liberale e demokratike për kohën, dhe kjo dëshirë e studentëve mbeti vetëm një ëndërr. Presidenti Sali Berisha, kur e pa se Arben Çokaj po bashkëpunonte me Blendi Gonxhen, nisur nga ndjenjat e tij provinciale, e pengoi mundësinë për të krijuar në atë kohë Parlamentin Studentor, edhe pse ndihma u premtua prej tij, në një takim tetë-a-tetë, që pati me të Arben Çokaj. Ai u kishte thënë studentëve të tjerë të Unionit: “Largojeni pra,…” (Arbenin).

LEAVE A REPLY

Ju lutem, lini komentin tuaj!
Ju lutem, fut emrin tuaj këtu