Më shumë
    Home Libra EPUB ‘Rrethimi i Shkodrës’ nga Marin Barleti (EPUB)
    Shitje !

    ‘Rrethimi i Shkodrës’ nga Marin Barleti (EPUB)

    Çmimi origjinal ishte: €15,00.Çmimi aktual është: €10,00.

    Kategoria:

    Përshkrimi

    Marin Barleti – ‘Rrethimi i Shkodrës

    Një libër historik, i shkruar nga Marin Barleti dhe ka 168 faqe.
    Format EPUB lexohet nga aplikacioni Books në pajisjet Apple, iPhone, iPad, etj.

    (fili i shkarkimit është i ruajtur në .zip, e hapën dhe merr filin në eub)

    Rrethimi i Shkodrës, një histori rrënqethëse e botuar nga Marin Barleti në vitin 1504 në Venedik, tregon për atë betejë heroike e madhështore, që bënë shkodranët në vitet 1474-1478 kundër një ushtrie të pamatë turke, nën drejtimin e sulltan Mehmetit II.

    Ushtria turke nuk mundi ta marrë kështjellën dhe qytetin e Shkodrës, në Rrethimin e dytë të Shkodrës me 1478, ku morën pjesë rreth 350 mijë ushtarë turq. Ata u thyen me turp nga rreth 1600 ushtarë trima e të stërvitur shkodranë, e disa të tjerë, që e mbrojtën kështjellën me herouizëm e devotshmëri. Por më pas, Venediku që kishte nën zotërim Shkodrën, ia dha qytetin sulltan Mehmetit II, pas një marrëveshje paqësore në vitin 1479.

    Shkodranët që luftuan, nuk pranuan të jetonin nën zgjedhën barbare të turkut, pas marrëveshjes së bërë, ata ikën të gjithë me gjithë familjet e tyre për në Venedik, ku Senati i Venedikut u dha menjëherë nënshtetësinë dhe prona aq sa kishin patur në atdhe.

    Shkodra e shkodranët u bënë theror, për të mbrojtur krishtërimin në Europë. Sulltan Mehmeti II, u thye dhe u ndal, por më pas Shkodra u shit nga venecianët, për fatkeqësinë e saj dhe të banorëve të saj, dhe sot ushton eZani i naltë i asaj kohe ende në trojet e Shkodrës, duke e tjetërsuar edhe popullsinë shqiptare.

    Kruja ra pas vdekjes së kryetrimit, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, por Shkodra nuk ra, atë e shitën. Lufta e Shkodrës e frenoi sulltan Mehmetin II dhe ambiciet e tij për të sunduar vendet e krishtera.


    H Y R J E

    ALEKS BUDA

    Me veprën «Rrethimi i Shkodrës», lexuesi shqiptar ka mundësinë të njihet me autorin e parë të letërsisë sonë, me veprën e parë të historiografisë shqiptare dhe me një nga burimet më të rëndësishme, vendëse për njohjen e atij të lavdishëm të historisë sonë, që është shekulli XV, epoka e Skënderbeut.

    Lexuesi shqiptar i shekullit XX do të njohë kështu një dëshmi dokumentare të asaj lufte vigane që zhvilluan banorët e qytetit e të rrethit të Shkodrës për mbrojtjen e këtij qyteti shqiptar, luftë që nuk ishte thjesht një episod me rëndësi lokale, por një hallkë e asaj lufte prej një shekulli, që po bënte populli shqiptar për lirinë e pavarësinë e tij dhe njëkohësisht për mbrojtjen e Evropës nga pushtimi osman. Nëpërmes «Rrethimit të Shkodrës», lexuesi i sotëm do të njohë nga goja e një bashkëkohësi dhe bashkëluftëtari frymën e zjarrtë të lirisë, patriotizmin e madh popullor që valonte në zemrat e luftëtarëve shqiptarë në këtë luftë të madhe për liri, do të njohë edhe kontributin e shquar që dha një autor shqiptar në atë lëvizje të rëndësishme kulturore-shkencore evropiane, që njihet me emrin e humanizmit të shek. XV- XVI.

    Nuk është e rastit që në krye të letërsisë sonë qëndrojnë dy vepra që mund të quhen dy monumente të kësaj periudhe të lavdishme: «Rrethimi i Shkodrës» dhe «Historia e jetës dhe e veprave të Gjergj Kastriotit Skënderbeut», të dyja të dala nga pena e autorit tonë Marin Barleti. Në kushtimet që të paravë dy veprave të tij si parafjalë, Barleti vë në dukje motivet që e shtynë — me gjithë ngurrimet e shpjegueshme nga vështirësitë e ndërmarrjes — t’i përvishej një pune kaq të madhe e të rëndësishme.

    Kjo ndodhte vetëm sepse ai e ndiente veten moralisht të detyruar ndaj atdheut të tij shqiptar, dikur aq të lumtur e famëmadh, që kishte rënë tani në mjerimin më të dhimbshëm. «Kisha përshtypjen, — thotë Barleti në hyrjen e veprës që kemi përpara, — sikur ajo dhimbje kërkonte diçka.. prej meje që kisha qenë një gjymtyrë, një pjesë me rëndësi e atij dheu,… për ta përjetësuar me një përmendore letrare» dhe, sikur të isha një njeri kohës sonë, që flet për «porosi shoqërore», Barleti thekson detyrën ndaj «atdheut, që të mos i mohoja diçka të drejtë e të ndershme… që ai kërkonte prej meje», të mos e «bëja veshin të shurdhër… përpara atij vendi aq të dashur prej meje».

    Kësaj ndjenje përgjegjësie, këtij detyrimi ndaj atdheut dhe detyrave ta kohës, letërsia përparimtare shqiptare u ka mbetur besnike, që nga Marin Barleti e deri në ditët tona.

    * * *

    Po kush ishte Marin Barleti? — do të pyesë me të drejtë lexuesi. Për fat të keq, kësaj pyetjeje ne nuk mund t’i japim një përgjigje të mjaftueshme1). Ato që dimë për datat e jetës së tij, janë vetëm këto: Ai ishte një prift prej Shkodre, autor i tri veprave latinisht: «Rrethimi i Shkodrës», botuar në Venedik më 1504; «Histori e jetës dhe e veprave të Skënderbeut», botuar në Romë midis viteve 1508-1510, dhe i një «Përmbledhje e jetëve të papëve dhe perandorëve», botuar në botim të dytë nga duar tjera në Romë më 1555 (botimin e parë nuk e njohim). Nuk dimë pra as datën e lindjes, as atë të vdekjes. Ndonjë të dhënë për jetën e tij mund ta nxjerrim aty-këtu nga përmbajtja e veprave të tij.

    Duke u nisur nga emri latinizues Barletius, disa autorë të huaj kanë shfaqur mendimin se shkrimtari ynë ka qenë prej kombësie italiane, nga qyteti Barleta. Të tjerë kanë dashur ta bëjnë dalmat sllav. Thënie të tilla janë në kundërshtim të hapur me vetë autorin, i cili, më se një herë, e quan Shqipërinë atdheun e tij dhe veten pjesëtar të popullit shqiptar. Për sa i përket formës latinizuese të emrit, dihet zakoni i humanistëve, që u jepnin emrave të tyre trajta latine ose greke, nganjëherë edhe i përkthenin.

    Nuk është jashtë mundësisë të mendojmë se autorin tonë në të vërtetë mund ta kenë quajtur Bardheci ose aty afër.

    Siç na thotë vetë në veprën që kemi përpara, Marini ishte prift katolik nga Shkodra, vendlindja e tij. Më 1474, në Rrethimin e Parë të Shkodrës nga turqit, ai ndodhej në qytet si dëshmitar i ngjarjeve, ndërsa në Rrethimin e Dytë më 1478 mori pjesë në luftime. Pra, në këtë kohë, duhej të ishte në një moshë të rritur. Të gjitha këto na shtyjnë të mendojmë, se Marini mund të ketë lindur në fillim të dhjetëvjetorit 1450-60. Rinia e tij bie pra në kohën e luftërave të Skënderbeut, të cilat i njohu, siç na thotë, nëpërmes tregimeve të shokëve të luftës së heroit. Në këtë kohë ai duhet të ketë njohur edhe vetë disa qytete e krahina të Shqipërisë, për të cilat na jep të dhëna mjaft të sakta në veprat e tij.

    Pas mbrojtjes heroike, me dorëzimin e qytetit të Shkodrës në pranverë të vitit 1479, Marini bashkë me qytetarë të tjerë kaloi në Itali dhe gjeti strehim në Venedik, ku Republika u caktoi të gjithë të ikurve një pension. Këtu e ka rrënjën ajo ndjenjë «mirënjohjeje» dhe ai qëndrim filo-venedikas i Barletit, që vihet ré në një varg rastesh në veprën që kemi përpara. Në Venedik dhe në Romë, ku ai gjithashtu duhet të ketë qëndruar, sepse ka botuar atje një Libër, Barleti plotësoi kulturën që kishte marrë në Shqipëri dhe u njoh më afër me rrymat kulturore e shkencore të kohës.

    Ndonëse në mërgim, larg Shqipërisë, Marin Barleti, siç na thotë vetë, nuk e harroi atdheun fatkeq. Të shumtë ishin shqiptarët që me trup rronin në Itali, por me mendje në atdheun e largët dhe në të kaluarën lavdiplotë. Ata nuk kishin hequr dorë nga shpresa për ta parë Shqipërinë të lirë, për t’u kthyer përsëri në atdheun e vet. Shumë nga ata morën pjesë në ekspeditën luftarake të Gjon Kastriotit, të birit të Skënderbeut, në Shqipëri në vitin 1481; pak vjet përpara se të botohej «Rrethimi i Shkodrës», më 1501, ishte kthyer në atdhe, së bashku me një grup shqiptarësh, i nipi i heroit, i mbiquajtur Skënderbeu i Ri, për t’u vënë në krye të lëvizjes që kishte shpërthyer në Shqipëri.

    Dhe më në fund, në vitet 1499 deri më 1503, Hungaria dhe Venediku ishin në luftë me Turqinë. Kishte pra kushte objektive që e ushqenin shpresën e të mërguarve. Mund të thuhet pra se ajo që e shtynte Marin Barletin të shkruante librin e tij, nuk ishte vetëm nostalgjia për një të kaluar të bukur të largët, por nevoja aktuale e çastit për t’u dhënë zemër shqiptarëve për një ndërmarrje të re luftarake. Kjo vlente edhe për veprën e dytë, «Historia e Skënderbeut», të shkruar e botuar disa vjet më vonë. Midis njerëzve, me të cilët kishte të bënte Marin Barleti në Venedik e përgjithësisht Në Itali, ishin edhe mjaft bashkëluftëtarë të Skënderbeut.

    Midis tyre shquhej Pjetër Engjëlli, një pjesëtar i familjes së madhe feudale të Engjëllorëve të Drishtit, i cili kishte pasur një pozitë me rëndësi në ushtrinë e Skënderbeut dhe ishte i vëllai i Pal Engjëllit, kryepeshkop i Durrësit dhe burrë shteti në shërbim të Skënderbeut. Bashkëjetimi me Pjetër Engjëllin, tregimet e këtij dhe të të tjerëve për luftërat e udhëhequra nga Skënderbeu, nxitjet e tyre të vazhduara, luajtën një rol me rëndësi që të shihnin dritën dy veprat e tij, thotë Barleti në parafjalën e «Përmbledhjes, së jetëve të papëve e perandorëve», që i është kushtuar pikërisht Pjetër Engjëllit.

    Kur vdiq Marin Barleti? Në «Historia e Skënderbeut» përmendet një ngjarje e janarit 1508. Fakti se «Përmbledhja» përfshin akoma jetën e papës Juli II, por pa arritur deri në fundin e saj, (Juli II vdiq më 1513) dhe se vepra i kushtohet Pjetër Engjëllit të gjallë, dmth. para se të vdiste, më 1512, të gjitha këto na bëjnë të pranomë se Marin Barleti duhet të ketë vdekur ose më 1512, ose pak pas këtij viti. Data e saktë sot për sot nuk ka mundësi të përcaktohet.

    * * *

    Siç u tha më sipër, tri janë veprat e botuara të Marin Barletit, që njohim. Dy nga këto trajtojnë tema krejtësisht shqiptare. «Rrethimi i Shkodrës», që kemi sot përpara, si dhe «Historia e jetës dhe e veprave të Skënderbeut». Nga «Përmbledhja e jetëve të papëve dhe perandorëve», që u përmend më sipër, i përket Shqipërisë vetëm parafjala. Prej kësaj vepre të trete, u tha, nga dora e Barletit është vetëm pjesa që shkon deri më 1512, vazhdimi i përket një dore të huaj.

    Vepra e dytë, nga koha e botimit — Historia e Skënderbeut — është vepra kryesore e Marinit, vepër që e bëri autorin e saj një nga autorët më të njohur në Evropë, e jo vetëm, për kohën e tij. Me gjithë të metat që janë vënë në dukje shpeshherë, siç janë psh. karakteri panegjirik, ekzagjerimet, pasaktësitë në lidhje me kronologjinë dhe të dhëna të tjera, «Historia e Skënderbeut» e Barletit është dhe mbetet një burim i pazëvendësueshëm për historinë e luftërave të popullit shqiptar dhe përgjithësisht të Evropës juglindore të shek. XV. Prej saj janë ushqyer dhe rrojnë veprat e panumërta, që janë botuar gjatë shekujve për heroin tonë deri në ditët tona.

    Nuk është më i paktë interesi që paraqet vepra tjetër e Barletit, e para nga koha e botimit, «Rrethimi i Shkodrës». Siç e thotë titulli, ajo trajton atë periudhë kulmuese të historisë së këtij qyteti të lashtë shqiptar, kur pushtuesit osmanë, për herë të dytë, u përpoqën ta shtinin në dorë, me anë të një rrethimi të gjatë e mizor të viteve 1478-79. Si një dëshmi e drejtpërdrejtë bashkëkohëse e njërës nga ngjarjet historike më dramatike të këtij shekulli, «Rrethimi i Shkodrës» pati një sukses të madh në botën e lexuesve, ndonëse më të vogël nga «Historia e Skënderbeut».

    Pas botimit të parë, më 1504, «Rrethimi i Shkodrës» u rishtyp disa herë latinisht (më 1566 në Bazel të Zvicrës, më 1578 dhe 1596 në Frankfurt-am-Main të Gjermanisë) dhe u përkthye e u botua në disa gjuhë evropiane (më 1565 italisht, ribotuar disa herë me radhë në Venedik, më 1569 polonisht në Brest-Litovsk, më 1576 frëngjisht në Paris etj. etj.). Si burim me rëndësi, vepra e Barletit u vlerësua dhe u shfrytëzua nga historianët e njohur të Perandorisë Osmane I. Hammer — Purgstall, W. Zinkeisen, N. Jorga etj.

    * * *

    Ngjarja historike, së cilës i është kushtuar libri i Marin Barletit„ nuk ishte vetëm një ngjarje me rëndësi lokale. Me të drejtë autori i veprës që kemi përpara e konsideron luftën që bëjnë shkodranët për mbrojtjen e qytetit të tyre si një pjesë të pashkëputur të gjithë asaj lufte, që po bënte populli shqiptar prej dhjetëra e dhjetëra vjetësh kundër pushtimit osman; mund të shkonim edhe më larg dhe pa druajtje mund të thoshim se lufta për Shkodrën ishte pjesë e asaj lufte, me të cilën populli shqiptar kontribuoi për të mbërthyer në vend forca të rëndësishme të armikut dhe për t’i prerë rrugën pushimit shkatërrimtar të osmanëve drejt Perëndimit, drejt Italisë.

    Vetë ngjarjet flasin në këtë drejtim mjaft qartë. Edhe pas vdekjes së Skënderbeut, në janar 1468, qëndresa e shqiptarëve vazhdonte e papër-kulur, por tashmë e ngushtuar dhe e përqendruar në zonën malore të

    Shqipërisë së Veriut, periferia fushore e së cilës mbrohej nga vargu i fortesave Krujë-Lezhë-Danjë-Drisht-Zhabjak. Strunbullari dhe boshti krye-sor i këtij sistemi mbrojtës ishte qyteti i fortifikuar i Shkodrës me kalanë e tij të lashtë e të fuqishme. Pas dy disfatave që kishte pësuar, Mehmeti II para Krujës më 1466 dhe 1467, osmanët në Shqipëri kishin drejtuar vetëm inkursione te zakonshme të akinxhinjve krahinorë, sepse ishte Lindja ajo që kishte pushtuar për disa kohë vëmendjen e Mehmetit II, «ngadhënjimtarit», siç i pëlqente atij të titullohej.

    Lufta që vazhdonin venedikasit qysh prej vitit 1463 në detin Egje krijonte ndërlikime të rrezikshme për sulltanin në Lindje; në fakt diplomacia venedikase kishte krijuar marrëdhënie me princat myslimanë të Karamanisë, në jug të Azisë së Vogël, dhe, në lidhje me këta, flota venedikase po ndërmerrte inkursione shkatërruese në bregdetin e Egjeut. Rreziku ishte edhe më i madh, sepse në këtë lidhje u përfshi më në fund edhe sundimtari i fuqishëm i Turkmenisë, Uzunhasani, i cili filloi nga ana e vet inkursione në lindje të Azisë së Vogël kundër tokave të Mehmetit.

    Në këto kushte, Mehmeti II e kishte quajtur të nevojshme të sqaronte së pari situatën në Lindje. Kësaj detyre iu kushtuan fushatat e viteve 1471-1473, që i sollën sulltanit fitimin e ishullit të Eubesë në Egje dhe shpartallimin e kundërshtarëve të tij në jug e në lindje të Anatolisë. Tani ai, më në fund, i pati duart të lira për një aksion të madh në perëndim, për t’i shpënë përpara kufijtë e perandorisë. Po për këtë ai duhej të shtinte së pari në dorë plotësisht Shqipërinë, duhej të siguronte krahët nga shqiptarët. Nuk është e rastit, pra, që Mehmeti II vendosi të godiste së pari drejt Shkodrës, duke vazhduar bllokimin e Krujës.

    Historiani bashkëkohës venedikas Corialano Cepione, pjesëmarrës në ngjarjet që u zhvilluan gjatë kësaj kohe në Shqipëri, shkruan në lidhje me këto: «Turku (sulltani-AB) vendosi të pushtonte Shkodrën, kryefortesën e gjithë vendit, sepse shpresonte që, po ta kishte marrë, mund të shtinte në dorë gjithë vendin. Dhe shpresonte se, po të kishte shtënë nën zotërimin e vet Shqipërinë, mund të kalonte me armatën gjirin e Adriatikut dhe me një ushtri të fortë të pushtonte Italinë.»2)

    Por këtë qëllim Mehmeti nuk mundi ta realizonte veçse me vështirësi e në disa etapa. Së pari u dërgua Sulejman pasha bejlerbeu i Rumelisë, i cili në maj 1474 u shtrua para Shkodrës me forca të mëdha ushtarake — historianë si Hammer e Zinkeisen flasin për 80 000 ushtarë me 500 deri 1000 gamile të ngarkuara me metal, për të derdhur në vend topa. Rrethuesit ndërtuan një urë mbi Bunë për të penguar hyrjen e flotës venedikase nga deti në liqen. Ky ishte rrethimi i parë i Shkodrës nga ana e osmanëve.

    Si gjithmonë, në të tilla raste, popullsia e fushës ishte tërhequr në vendet e mbrojtura — në ishullin e Lezhës, në malet, në qytetet e ishujt e bregdetit dalmat. Në qytet kishin mbetur 6000 banorë, nga të cilët 2000 ishin luftëtarë efektivë. Midis tyre kishte edhe reparte të rinjsh malësorë. Jashtë qytetit vepronin reparte shqiptarësh të komanduar nga Johan Cernojeviçi, të cilët, me varkat e tyre të vogla nëpër liqen, shqetësonin rrethuesit dhe përpiqeshin t’i vinin në ndihmë qytetit.

    Forcat efektive, pra, në dorën e të cilëve ishte mbrojtja e qytetit, ishin krejt shqiptarë, kurse komandanti i fortesës ishte venedikasi Anton Loredano. Venedikasit vetë, si gjithmonë, i shmangeshin çdo angazhimi në tokë; flota u përqendrua në grykën e Bunës dhe u ngjit prej këndej lumit përpjetë deri në Shirq; por ajo nuk qe në gjendje të çante bllokimin dhe të shkatërronte urën e ndërtuar nga rrethuesit; as në tokë forcat venedikase nuk mundën të kryenin ndonjë aksion efektiv në ndihmë të të rrethuarve; tepër e madhe ishte epërsia e kalorësisë së shpejtë turke.

    Flota nga ana e vet mezi mundi t’i shpëtonte pritës që i vunë turqit në një ngushticë të lumit. Kështu fatin e luftës e vendosi trimëria e mbrojtësve shqiptarë të Shkodrës. Megjithëse 4 topa të mëdhenj kishin arritur të shkatërronin një pjesë të mureve, shqiptarët mbroheshin me këmbëngulje prapa ledheve prej dheu që kishin ngritur. Ata i bënë ballë një sulmi të përgjithshëm, që zgjati 8 orë, e në të cilin komandantët turq i shtynin me forcë, me çomange, rrethuesit që të hynin në vijën e betejës pranë ledheve. Kështu erdhi mesi i gushtit. Ethet malarike, të përhapura në këtë zonë, bënë edhe ato efektin e vet në këtë mes. Në këto kushte bejterbeu vendosi të hiqte dorë nga rrethimi. Pasi dogjën kështjellën e braktisur të Danjës, turqit u larguan.

    Një valë gëzimi e përshkoi Evropën Perëndimore, e cila fitoren e korrur në Shkodër e konsideroi si një fitore të veten. E jo pa të drejtë. Relacioni bashkëkohës i Gjergj Merulës na e dëshmon këtë qartë. Kur osmanët sulmonin muret Shkodrës, britma e tyre e luftës, që arrinte deri në kupën qiellit, ishte «Roma! Roma!» — gjë që tregonte se synimet pushtuesit nuk kishin për qëllim të ndaleshin në qytetin shqiptar, por e konsideronin atë si një hallkë për kaluar në Itali, për të pushtuar Romën.

    Fitores së shkodranëve mjeshtri Paolo Veronese i kushtoi pikturën e tij madhështore, me të cilën stolisi një nga sallat e pallatit të dogjave në Venedik, kurse poeti bashkëkohës Xhamaria Filelfo, në një poemë këndoi qytetin krenar që kishte bërë të dështonte me turp plani i «ngadhënjimtarit». Me të drejtë, historiani Hammer Purgstalli, shek. 19, duke bërë fjalë për inkursionet turke, që po në këtë vit (1474) arritën të futeshin deri në Austri, shkruante: «Qëndresë trimash, siç nuk i gjetën ushtritë grabitqare osmane në Kroati, Karnie, Karinti, Stiri dhe Sloveni, ato e gjetën në Shqipëri, përpara mureve të Shkodrës».

    Mehmeti u detyrua, kështu, ta linte punën e Shkodrës për ta zgjidhur me një ekspeditë të dytë. Ndërkohë, më 1475, ai u ra zotërimeve gjenoveze e venedikase në Detin e Zi, pushtoi qytetet e Tanës, Kafës, Azovit, garnizonet e të cilave, ndryshe nga ai i Shkodrës, nuk kishin asnjë mbështetje në popullsinë vendëse, dhe u dorëzuan brenda katër ditëve pa asnjë qëndresë. Më 1476 i erdhi radha Moldavisë, mbi të cilët ra shuplaka dërrmuese e forcave osmane.

    Republika e Shën Markut ndërkohë u përpoq të zhvillonte më tej tratativat e paqes, që i kishte filluar me kohë me sulltanin. Por kërkesat e pamatura të këtij nuk lejuan, që të përfundohej një marrëveshje midis dy palëve; në mënyre të veçantë Mehmeti II ngulte këmbë për dorëzimin e qyteteve Krujë e Shkodër, sepse, pa zhdukur qëndresën e tyre, ai nuk mund të mendonte për ndërmarrje të mëtejshme drejt Perëndimit e Italisë, siç ëndërronte prej kohësh.

    Për këtë qëllim Mehmeti dërgoi më 1477 forca të reja për në Krujë, për rrethimin e sulmin e katërt të këtij qyteti, dobësuar nga bllokada e vazhduar prej kohësh dhe prej inkursioneve të përvitshme, qyteti heroik i Skënderbeut gjeti akoma forca për të qëndruar; madje, reparte shqiptare bashkë me venedikas arritën t’u shkaktonin, më 2 shtator, një disfatë forcave rrethuese, ndonëse nuk ditën ta shfrytëzon fitoren që korrën.

    Më 1478 sulltani mblodhi të gjitha forcat për të marrë përsëri një aksion vendimtar në Shqipëri. Turqit kishin gjithë kushtet e favorshme për të arritur këtu një fitore. Vendi ishte dërrmuar nga inkursionet e përvitshme, forcat ekonomike e njerëzore kishin shterur. Në fushën ndërkombëtare kushtet ishin gjithashtu të favorshme për ta: një varg shtetesh italiane, midis të cilave papati, ishin ftohur nga «zelli luftarak», që kishin treguar më parë; madje mbreti Ferdinand i Napolit, i biri i aleatit

    të dikurshëm të Skënderbeut në luftën kundër turqve, kishte përfunduar me sulltanin një marrëveshje, që u lejonte anijeve turke të përdornin limanet e Mbretërisë së Napolit për aksionet e tyre në bregdetin Adriatik kundër Venedikut; njëkohësisht akinxhinjtë osmanë kishin arritur, duke djegur e shkretuar, deri në prapashpinën e Venedikut — zjarret që shënonin rrugën e tyre shiheshin me sy nga qyteti i lagunave! — në një kohë kur në qytet bënte punën e vet murtaja dhe forcat detare të Republikës ishin përqendruar rreth Qipros, në pritje të një sulmi osman; në këto kushte ishte e qartë se qytetet e fundit shqiptare, për mbrojtjen e tyre, nuk mund të llogaritnin asnjë forcë tjetër veçse forcat e veta.

    Kështu filloi ajo epope heroike, lufta e qyteteve dhe e kalave të fundit, që kishin mbetur ende të lira në Shqipëri, epilog i denjë i luftës thuajse shekullore, që po bënin shqiptarët për lirinë e tyre; filloi rrethimi i pestë i Krujës, filloi ai rrethim i dytë i Shkodrës, të cilin Marin Barleti, me dashuri prej biri, e përjetësoi me veprën e tij të parë.

    Sulltani bëri përgatitje shumë serioze për këtë ndërmarrje. Ai ngarkoi me këtë mision komandantët e tij më të njohur e më të sprovuar dhe u vu në lëvizje dhe vetë, si kurdoherë në të tilla raste, i shoqëruar nga «forcat e Azisë dhe të Evropës». Reparte speciale i prinin ushtrisë kryesore, me detyrë të hapnin rrugë e të shtronin ura. Reparte kalorësie u vërsulën drejt Krujës dhe u shtruan rreth qytetit, banorët e të cilit ndodheshin në kulmin e ngushticës, në pragun e vdekjes nga uria.

    Më 14 maj, para Shkodrës u shfaq, me një pjesë të forcave turke, bejlerbeu i Rumelisë, Daut pasha. Mijëra deve — shifrat shkojnë deri në 10 000! — sillnin furnizimet e pajisjet e ushtrisë, ndër të tjera edhe metalin, me të cilin filloi derdhja e topave të mëdhenj për të rrahur qytetin.

    Disa javë më vonë, mbasi u dorëzua më në fund Kruja — e mundur nga uria, por jo nga armët! — dhe pas masakrimit shtazarak të banorëve të saj, erdhi para Shkodrës bejlerbeu i Anadollit me forcat e veta dhe më 1 korrik edhe sulltani vetë.

    Një mori çadrash zbardhëllonin mbi kodrat e malet rreth e përqark qytetit — përshkrimi i Barletit është aq i gjallë, saqë edhe sot, kur e lexon, të duket sikur qëndron bashkë me autorin në shkëmbinjtë e kalasë dhe prej së larti vështron atë mizëri njerëzish, që lëviz atje poshtë, te këmbët e Rozafës së lashtë. Disa nga rrethuesit shtrojnë ura mbi lumin e Kirit e të Bunës, kurse të tjerë, në bregun e lumit, ndërtojnë anije për t’u bërë ballë

    sulmeve të barkave të shpejta shqiptare, që vijnë nëpër liqen nga viset përreth dhe me sulme të rrufeshme përpiqen të lehtësojnë shtrëngesën e rrethuesve kundër qytetit. Atje më larg, përtej Bunës, kalorës po i ngjiten malit të Shën Markut (Taraboshit), prej nga vëzhgojnë qytetin e rrethuar dhe drejtojnë inkursione grabitqare në viset përreth e deri në bregdet. Nga ana tjetër e kalasë, në Kodrën e Pashës (sot Tepet), ku e ka kuartierin e përgjithshëm sulltani, rrethuesit ngrenë një kulle të lartë prej druri, që do të shërbejë për të drejtuar kundër qytetit të rrethuar zjarrin e artilerisë, e cila është vendosur prapa kësaj kodre, në breg të Kirit, në rrugën që shpie për në Drisht. Edhe pse mund të quhet e fryrë, Siç është e zakonshme në të tilla raste, shifra prej 350 000 ushtarësh turq që na jep Barleti, bashkë me ndonjë bashkëkohës tjetër, forcat që kishte vënë në lëvizje sulltani ishin me të vërtete vigane, ashtu siç qe vigane edhe qëndresa që hasën ato në Shkodër.

    «Çfarë çerdhe të mrekullueshme paska zgjedhur shqiponja për të rritur zogjtë e vet!» — paska thirrur Mehmeti, kur pa së pari Shkodrën, na tregon Barleti. Autentike apo jo, shkodranët i bënë të vërteta këto tja1ë: Shkodra u tregohet me të vërtetë një çerdhe shqiponjash.

    Nga qyteti, i cili qysh në rrethimin e parë e kishte humbur një pjesë të popullsisë, ishin larguar me kohë pleqtë e fëmijët, të paaftë për luftë; ishin braktisur shtëpitë, që ndodheshin jashtë rrethit të mbrojtur nga muret e fortesës. Në qytetin-kala kishin mbetur 1600 burra, midis të cilëve një pakicë ushtarësh venedikas, po edhe fshatarë të rretheve, si dhe një numër i vogël grash. E komandonte mbrojtjen qeveritari venedikas Antonio da Lece. Në zjarrin e luftës, mbrojtësit e qytetit u çelikosën e u shkrinë në një trup të vetëm; ata, më në fund, si një familje e madhe, hanin, si të thuash, nga një kazan; midis tyre nuk pati frikacakë e tradhtarë; dallohej midis tyre rinia — Barleti shpeshherë përmend trimëritë e të rinjve fshatarë; por nuk qëndronin më prapa nga burrat edhe gratë e vajzat.

    Midis mbrojtësve rronte fryma e heroit, Skënderbeut — nuk është e rastit që emri i tij zihet në gojë një varg herësh, ashtu siç thuhet shprehimisht se një nga figurat më të shquara midis mbrojtësve, murgu Bartolome, kishte qenë një nga bashkëluftëtarët e heroit. Nuk është e rastit, mendoj unë, që turqit më vonë i dhanë Shkodrës emrin Iskenderie — qytet i Skënderit; qoftë sepse mendonin, që hija e këtij kishte qëndruar midis mbrojtësve, qoftë edhe sepse ia atribuonin themelimin e qytetit luftëtarit të madh, Aleksandrit të Maqedonisë.

    Në rrethimin e Shkodrës u vunë në veprim armët e rënda të artilerisë, në një shkallë që tregonte se po merrte fund tashmë teknika e -vjetër feudale e luftimit. 11 topa të mëdhenj — njëri prej të cilëve hidhte gjyle deri në 600 kilogramë! — filluan të rrihnin ato anë të mureve të qytetit, ku ishte porta dhe ku e përpjeta e kodrës ishte më e butë dhe u lejonte sulmuesve ngjitje më të lehtë. Vetëm në një ditë, më 11 korrik. këta topa arritën të hidhnin deri 178 gjyle — një numër kolosal, i panjohur deri atëherë për teknikën e kohës.

    Për së shpejti muret filluan të binin dhe të rrethuarit u detyruan vinin në vend, duke ngritur ledhe të drunjta ose dheu. Më 22 korrik filloi sulmi i përgjithshëm. Duke kapërcyer gjithë vështirësitë, sulmuesit arritën deri te porta, ku sollën edhe yy kulla të drunjta, që do t’u lejonin të hidheshin në qytet; por mbrojtësit, me trimëri të çuditshme, me gjithë humbjet e rënda që pësuan, i prapsën të gjitha sulmet.

    Më 27 u përsërit një sulm i dytë i përgjithshëm, që zgjati pa ndër-prerje deri më 28 korrik. Nga të 11 topat goditej porta e madhe. ku u zhvi-lluan luftime homerike, pa vënë re se gjylet goditnin po aq rrethuarit shkodranë, sa edhe sulmuesit osmanë.

    Humbjet e rënda dhe dështimin që pësuan osmanët, e bënë të qartë se Shkodra nuk mund të merrej me sulm të drejtpërdrejtë. Por nga ana tjetër prestigji i sulltanit kërkonte një sukses të shpejtë. Këtij qëllimi duhej t’i shërbente aksioni i ndërmarrë kundër kalave të Zhabjakut, në bregun verilindor të liqenit të Shkodrës, Drishtit e Lezhës. E para ra shpejt, po Drishti i vogël, ndonëse i dërrmuar nga sëmundja e murtajës, u bëri ballë për 16 ditë me radhë goditjeve të tërbuara të artilerisë; me mure të rrënuara, ai nuk u dorëzua; mbrojtësit e tij qëndruan heroikisht me armë në dorë deri në fundin e hidhur, në të cilin kishte ardhur të asistonte vetë Mehmeti.

    Një pjesë e mbrojtësve që u kap e gjallë u ther nga osmanët para mureve të Shkodrës — po edhe ky krim shtazarak nuk mundi t’ua ulte vendosmërinë shkodranëve, për të vazhduar qëndresën. Më në fund ra edhe Lezha, e braktisur në mënyrë të turpshme, pa luftë, nga qeveritari venedikas, si dhe ishulli i Lezhës, në pyjet e dendura të të cilit ishte strehuar një numër i madh banorësh të vendit.

    Po afrohej vjeshta dhe stina nuk lejonte që një ushtri e tillë e madhe të kalonte dimrin në fushë të hapur e pa mbrojtje. Sulltani, e më vonë dy bejlerbejtë e tij, u detyruan të tërhiqeshin më në fund me forcat e tyre; por ata ndërtuan në dy brigjet e Bunës nga një kullë dhe lanë aty një forcë të mjaftueshme për të vazhduar bllokimin dhe për të marrë kështu qytetin me anë të urisë. Venediku vetë nuk ndërmori asnjë hap, për t’i ardhur në ndihmë ushtarakisht ose me furnizime qytetit, tani që ishte tërhequr fuqia kryesore e osmanëve. Qeveria venedikase gjithë përpjekjet e saj i kishte përqendruar te një aksion diplomatik, për të arritur, me anë traktativash, paqen me Mehmetin dhe për t’i dhënë kështu fund asaj lufte të gjatë që kishte filluar më 1463 dhe nuk i kishte sjellë Republikës veçse humbje.

    Më 26 janar, u nënshkrua paqja në Kostandinopojë dhe më 25 prill 1479, u ratifikua në Venedik. Në Shqipëri, Venediku detyrohej t’i njihte sulltanit zotërimin e Krujës, të Shkodrës dhe të qyteteve të tjera, që kishte humbur gjatë luftës; për banorët e Shkodrës parashikohej që ata të liheshin të lirë të qëndronin ose të largoheshin, po të donin, nga qyteti, bashkë me kamjen e tyre.

    Por ata që kishin mbetur, parapëlqyen pa përjashtim të merrnin rrugën e hidhur të mërgimit, sesa t’i nënshtroheshin armikut të urryer.

    Ky është shkurt tregimi i Rrethimit të Dytë të Shkodrës, i ndërtuar në bazë të tregimit të Barletit, i plotësuar me të dhënat e disa burimeve të tjera. Por burimi kryesor mbetet gjithmonë autori shkodran; atij s’kanë ç’i shtojnë ndonjë gjë me rëndësi dokumentet arkivale bashkëkohëse ose disa kronika venedikase dhe osmane-turke, që e cekin këtë ngjarje.

    Kronisti turk Ashik pasha Zade tërthorazi na e vërtetoni çka thotë Barleti për rëndësinë që i jepte Mehmeti pushtimit të Shkodrës. Ai tregon se si sulltanit, duke i hedhur një vështrim hartës me vendet që nuk i ishin nënshtruar, i tërhoqi vëmendjen Shkodra dhe, për të gjetur shkaqet, pyeti: «Mos vallë ata kanë shumë ushtarë e shumë burra trima?» Dhel kronisti shton: «Në mendjen e padishahut, pushtimi i kësaj kështjelle mbeti si një ëndërr!»

    Kronistë si Kivamiu, Idrizi, e të tjerë vërtetojnë deri në hollësirat më të vogla dhe deri në datat, të dhënat e Barletit për sa u përket artilerisë, veprimeve luftarake para Shkodrës, si dhe pushtimit të kalave të tjera. Sipas tyre, komandanti i shquar turk Ahmet Gedik pasha, i cili njihte mirë trimërinë e shqiptarëve dhe vështirësitë e kësaj ndërmarrjeje, nuk pranoi ta udhëhiqte ekspeditën kundër Shkodrës dhe për këtë arsye u burgos. Kronistë venedikas na shtojnë disa të dhëna të tjera.

    Ata tregojnë se sa e paktë qe gatishmëria për ndihmë e qeverisë venedikase për qytetin fatkeq që vazhdonte të mbahej i bllokuar gjatë gjithë dimrit 1478-79. Po këto burime na thonë se, kur u dorëzua qyteti në prill 1479, nga 1600 burrat që patën mbetur në qytet e morën pjesë në mbrojtje, kishin shpëtuar të gjallë vetëm 450 dhe përveç tyre 150 gra. Më në fund burimet venedikase na bëjnë të ditur edhe një fakt tjetër me interes, që Barleti nuk e ka përmendur, ndofta për të mos e mbyllur librin me një disakord.

    Qeveritari venedikas ne Shkodër, Antonio da Lece, emrin e të cilit Barleti nuk e zë në gojë kurrë, disa kohë pasi ishte shpërblyer për merita në mbrojtjen e Shkodrës nga Senati, u nxor para gjyqit dhe u dënua me burg, internim dhe humbjen e gjithë pasurisë dhe të titujve. Siç kishte dalë nga të dhënat e shkodranëve të mërguar, qyteti i Shkodrës kishte pasur akoma mjaft rezerva ushqimore për të vazhduar qëndresën, ndërsa nga raportet e Da Leces, qeveria ishte informuar për të kundërtën.

    * * *

    Veprën «Rrethimi i Shkodrës», Barleti e ka ndarë në tre kapituj, ose, siç quheshin pas zakonit të shkrimtarëve antikë, në tre libra. Libri i parë përmban një parathënie, kushtuar dukës së Venedikut, Leonard Loredanos, në të cilën autori parashtron motivet që e shtynin t’i përvishej kësaj pune. Më tej ai, duke hyrë në temë, rreshton mendimet e autorëve të ndryshëm për prejardhjen e turqve, jep emrat e sulltanëve deri në pushtimin e Kostandinopojës më 1453 dhe mbaron me shënime historike rreth Shkodrës dhe përshkrimin e pozitës së saj.

    Libri i dytë fillon me përpjekjet që bën Mehmeti II për të pushtuar Shkodrën më 1474 dhe vazhdon me ekspeditën dytë në pranverë, katër vjet më vonë; përshkruhen operacionet e rrethimit, bombardimet e rënda nga artileria dhe thyerja e sulmeve të furishme të rrethuesve.

    Libri i tretë tregon dështimin e të gjitha sulmeve dhe vendimin e sulltanit për t’u tërhequr e për ta marrë qytetin me anë të urisë. Bien Zhabjaku, Drishti dhe Lezha. Pasi përfundohet paqja midis Venedikut e Mehmetit, dorëzohet Shkodra, banorët e së cilës vendosin pa përjashtim të marrin rrugën e mërgimit.

    Këto janë shkurt ngjarjet që përbëjnë skeletin e «Rrethimit të Shkodrës». Por rreth tyre Marin Barleti, si historian e shkrimtar i shquar, ka ringjallur relativisht në pak faqe një botë, një epokë të tërë.

    Ndërsa dokumentet arkivale bashkëkohëse, ai dhe disa kronistë turq ose venedikas e cekin rrethimin e Shkodrës, duke e parë nga jashtë, me sytë e të huajve, shkrimtari ynë na jep një kuadër të gjerë, të parë nga brenda qytetit, me sytë e një dëshmitari, ose, më mirë, të një bashkëluftëtari. Në një tablo të pikturuar «al fresko», Marin Barleti na paraqet plot gjallëri ngjarjet dramatike që u zhvilluan brenda në Shkodër dhe rreth saj: alarmin e madh që shkakton lajmi i afrimit të turqve, po edhe vendosmërinë e qytetarëve për të luftuar, përgatitjet e tyre të ethshme, valët e tërbuara të sulmeve që u thyen në muret e qytetit, ose, më mirë, në trimërinë e mbrojtësve të tij, skenat e panumërta të trimërisë individuale e kolektive, hollësirat e veprimeve luftarake dhe të efekteve të bombardimeve dhe, para gjithash, vullnetin e paepur të shkodranëve, patriotizmin, ndërgjegjen e tyre si shqiptarë, bindjen që qëndrojnë për në çështje të madhe e të drejtë. Të gjitha këto janë paraqitur në tablo dramatike, me një stil dinamik e plot kolorit, siç e ka vetëm një shkrimtar i ta1entuar.

    Si humanist i shekullit XV-XVI, historiani Marin Barleti kishte një koncept të dyanshëm të historisë. Ajo duhej t’i shërbente së vërtetës, duhej të ishte mësuese e jetës, të mësonte njerëzit, thotë ai në parathënie, «të hapnin sytë e… të shikonin mirë se si duhet mbajtur timoni për të drejtuar si duhet punët e njerëzimit». Por nga ana tjetër, shkrimtari ynë, si edhe humanistët e tjerë të kohës, i jepte rëndësi konceptit estetik të historisë: historia duhej t’i shërbente po aq edhe së bukurës.

    Prandaj edhe kujdesi për formën e jashtme, orvatja për të stolisur idenë me një veshje më të bukur. Njohës i thellë i letërsisë klasike, ai shkroi një latinishte elegante, duke ecur sidomos në gjurmët e historizmit roman Tit Livi. Nuk janë të rralla rastet këtu, si në historinë e Skënderbeut, që Barleti të përdorë pasazhe të tëra të huajtura nga autorë klasikë, duke ia përshtatur situatës, duke ua vënë në gojë personazheve të veta. Stili i lulëzuar, e ndonjëherë disi i fryrë, toni retorik në përshkrimin e episodeve e në mënyrë të veçantë, në fjalimet që vë në gojë të personave historikë, sajojnë esencën e stilit të tij prej humanisti.

    Por për ne, Barleti është para së gjithash historian e, nën këtë prizëm, ne vlerësojnë veprën e tij. Ç’vlerë historiografike ka «Rrethimi i Shkodrës»? Sa meritojnë besim të dhënat e tij dhe sa të sakta janë burimet mbi të cilat është mbështetur autori?

    Burimet që ka kërkuar dhe përdorur Marin Barleti për hartimin e veprës së tij, janë të ndryshme — letrare dhe gojore. Kjo flet për faktin që autori është përgatitur seriozisht për detyrën e tij. Për historinë e lashtë të Shqipërisë dhe të Shkodrës ai ka përdorur, nganjëherë edhe pa i përmendur emrat, të dhënat e autorëve antikë si Straboni, Poseidoni, Plini, Tit Livi etj. Për historinë e turqve, ai ka shfrytëzuar veprën e humanistit Enea Silvio Pikolmini (më vonë papa Piu II) «Përshkrimi i Azisë dhe Evropës», e cila, nga ana e vet, është një përmbledhje të dhënash prej burimesh të ndryshme.

    Këto pasqyrojnë njohjen e paktë që kishin në ato kohë për historinë e turqve. Të dhëna për historinë e Shkodrës në fund të shek. XTV, për marrëdhëniet e Balshajve me Venedikun, si dhe për rrethimin e parë të vitit 1474, Barleti ka marrë nga kronika e Gjergj Merulës, e sidomos nga vepra e një bashkatdhetari të tij, gjithashtu të mërguar në Itali, nga fjalimi panegjirik, që i kishte drejtuar dogjës së Venedikut humanisti shkodran Marin Beçikemi, panegjirik (lavdërues), që ishte botuar më 1503, dy vjet para botimit të librit të vet.

    Me interes është një pasazh i Barletit për një burim të Panjohur nga ne, të shkruar, siç thotë ai, në «gjuhën popullore», ku tregohet legjenda e themelimit të Kalasë së Shkodrës në një mënyrë të ndryshme nga ç’e njohim ne sot. Po të mendohej se gjuha popullore është shqipja, atëherë do të kishim këtu dëshminë e ekzistencës së një letërsie shqipe që në shek. XV, një gjysmë shekull para Buzukut. Autori ynë, për të kaluarën e Shkodrës, mbështetet dhe mbi traditën lokale, mbi atë që ka dëgjuar nga pleqtë, siç është psh. lajmi për shpërthimin e ujërave dhe origjinën e re të liqenit të Shkodrës.

    Po të këtij burimi duhet të jenë të dhënat për historinë e Shkodrës në fund të shek. XIV e në gjysmën e parë të shek. XV — një histori plot peripeci dramatike e plot ndeshje midis rivalësh të ndryshëm, që u shfaqën para mureve të këtij qyteti. Por, ndonëse shkodranët kishin ngritur krye disa herë kundër sundimit venedikas, që rëndonte mbi ta psh. në vitet 1405, 1410 -1411, 1429 — Marin Barleti, në frymën e tij filovenedikase, nuk e gjen me vend që ta përmendë. Me rëndësi janë, nga ana tjetër, të dhënat që vijnë nga njohja vetjake, si dhe nga tradita lokale, për ndryshimet që kanë ndodhur qysh nga fillimi i shekullit XV, në shtrirjen e qytetit të Shkodrës, për lëvizjen që bëri ai duke u tërhequr nga fusha, ku ishte tregu, në qytezën e mbrojtur, për ndryshimet aq të shpeshta në rrjedhën e Drinit etj.

    Por pjesën më të vlefshme të veprës «Rrethimi i Shkodrës» e përbën përshkrimi i ngjarjeve që autori i ka parë vetë me sy, në të cilat ka marrë pjesë vetë. Fakti se tregimi ecën shpeshherë nga dita në ditë, se autori, psh., shënon numrin e të shtënave të përditshme të artilerisë turke, na bën të mendojmë se vepra është shkruar në bazë të shënimeve të marra gjatë rrethimit, ndofta edhe në formë ditari, sepse shifra, të dhëna me kaq hollësi, nuk mund të jenë marrë vetëm nga kujtesa pas kaq vjetësh. Këndej mund të nxirrej përfundimi se materiali i veprës mund të ketë qenë përgatitur që me kohë dhe është redaktuar përfundimisht më vonë, pas vitit 1503, siç tregon fakti, që është përdorur akoma panegjiriku i Beçikemit i vitit 1503.

    E quajmë me vend ta theksojmë edhe një herë se kronistët turq i vërtetojnë më së miri të dhënat e autorit tonë, për sa i përket rrethimit të Shkodrës; me këtë zhvleftësohet mohimi i vlerës burimore, që i është bërë veprës së Marin Barletit nga disa studiues, siç ka qenë në mënyrë të veçantë G. Voigti. Ai karakter saktësie që na rezulton për «Rrethimin», nuk ka se si të mos merret parasysh edhe për vlerësimin pozitiv të veprës madhore të Barletit, të «Historisë së Skënderbeut».

    Të gjitha këto arsye, pra, i japin veprës së Marin Barletit «Rrethimi i Shkodrës» karakterin e një tregimi të vërtetë, të një burimi të saktë e autentik. Kjo vlen edhe pasi të bëjmë disa zbritje të nevojshme. Është vënë në dukje nga një varg studiuesish, veçanërisht te «Historia e Skënderbeut», se një e metë e madhe e Marin Barletit si historian janë fryrjet dhe ekzagjerimet, veçanërisht në përshkrimin e luftërave, në shifrat e humbjeve të turqve, si dhe fjalimet e letrat e shpikura etj.

    Kjo vërejtje është deri diku me vend — veçanërisht për «Histaria e Skënderbeut», ku autori nuk kishte veçse pak burime direkte. Po ndryshe qëndron puna te «Rrethimi». Asnjë që lexon me kujdes këtë vepër nuk mund të mos vërë re se tregimi i luftimeve — ndonëse edhe këtu ka zbukurime oratorike, që shkojnë deri në ndërhyrjen e faktorëve të mbinatyrshëm! — ka karakter realist, ka indikacione të hollësishme që shpjegohen, siç u tha, vetëm nga fakti që mbështeten mbi pjesëmarrjen personale të autorit dhe që vërtetohen edhe nga anë të tjera.

    Sa për fjalimet, që edhe në këtë vepër zënë një vend të madh, është e qartë se asnjeri nuk mund t’i quaje ato riprodhime të sakta të fjalëve të thëna në të vërtetë ne rastet ndryshme. Por, ndonëse duhet bërë ky koncesion, ato, megjithatë, mund te konsiderohen deri diku si besnike për sa i përket frymës së tyre. Të paktën mund ta themi këtë për fjalimet e mbajtura nga shqiptarët, mund të supozohet se qytetarët e Shkodrës në këto çaste mund të mendonin e të ndienin kështu, siç e ka formuluar nga kujtesa më vonë një pjesëmarrës i këtyre ngjarjeve. Natyrisht edhe këtu ka ndërhyrë autori. Toni i zjarrtë i dashurisë për Venedikun, psh., duhet konsideruar si një reverancë e autorit para Senatit, e bërë në kushtet e vitit 1504.

    Për sa u përket fjalimeve, që mbahen në kampin turk, ato natyrisht janë prodhim i plotë i autorit. Është e vërtetë se Barleti na jep në disa raste disa hollësira nga kampi turk, që mund t’i ketë marrë nga shqiptarë të mobilizuar me forcë, siç ndodhte, nga turqit. Por këto fjalime janë kompozuar për t’u shërbyer qëllimeve të autorit. Vini re, psh. se me sa mjeshtëri i ka përdorur Barleti fjalët, që i vë në gojë Ahmet pashës në librin e tretë për të mburrur — me gojën e turkut! — trimërinë e shqiptarëve, trimërinë e shkodranëve, «që ruajnë ende shpirtin e forcën e Pirros, nga i cili rrjedhin…»

    Në formën e një panegjiriku, Ahmet pasha rreshton vargun e gjatë të vendeve, krahinave, qyteteve në Evropë dhe në Azi, që sulltani ngadhënjyes ka mundur t’i pushtojë… dhe vetëm njëra, kjo «fole shqiponjash», kjo Shkodër mizore nuk u përkul… Në këtë situatë, edhe pse nuk janë siguruar historikisht, fjalët që i atribuon Barleti sulltanit: «O sikur të mos ia kisha dituar kurrë emrin Shkodrës!», kanë një kuptim të brendshëm të thellë, që tërthorazi vërtetohet nga fjalët e cituara më lart të Ashik pasha Zadesë.

    Në këtë kuptim, pra, vepra e Barletit, edhe kur nuk na jep dëshmi historikisht të sakta për ngjarjet e vitit 1478-79, ka një rëndësi të madhe: ajo na pasqyron mendimet, botën e ideve të një shqiptari të shek. XV e të fillimit te shek. XVI. Mund të themi se kjo anë e dyte e veprës se Barletit ka po aq vlerë, për njohjen e kohës, siç e kanë edhe faktet e sakta historike, që na jep.

    Si te «Historia e Skënderbeut», ashtu edhe te «Rrethimi i Shkodrës», 1exuesi do të vërë re se, me gjithë kushtet ekonomike-shoqërore ende të pazhvilluara, në gjirin e marrëdhënieve feudale, në Shqipëri është rritur e zhvilluar një ndjenjë e zjarrtë patriotizmi, është krijuar një ndërgjegje që del nga kuadri i ngushtë i një «patriotizmi feudal», ose nga kuadri i patriotizmit lokal të një qyteti ose krahine, një ndërgjegje që pa dyshim është fryti i luftës së madhe popullore, që për dhjetëra e dhjetëra vjet i ngriti krahinat e Shqipërisë kundër pushtuesit të huaj. Krenaria patriotike ndihet e fortë në pasazhin kur Barleti tregon se besimi mendjemadh i sulltanit për të pushtuar lehtë e shpejt Evropën dështoi, kur ai hasi me «fisin epirot» (shqiptar), me të cilin atij iu desh të luftojë thuajse 30 vjet. «Ne jemi gjak tjetër, kemi të tjera zakone, të tjera kanune e ligje…» — thotë njëri nga heronjtë shkodranë për të treguar përse nuk mund të pajtoheshin ata me pushtuesit e huaj.

    Bashkë me këtë ndjenjë «ndryshimi», shfaqet edhe ndjenja e qartë e epërsisë morale, që rrjedh nga ndërgjegjja e luftës së drejtë, që bën populli shqiptar, ndjenjë që përshkon gjithë veprën. Barleti e shpreh këtë mendim përsëri me gojën e tjetërkujt: «— Çfarë trimërie mund të kryejë një njeri, që lufton me përdhunë? Turqit luftojnë me të padrejtë, për të shtënë në dorë diçka që s’është e tyre…»; ndërsa shqiptarët dinë përse luftojnë, «ata luftojnë për familjet, për atdheun, për fëmijën.» Dhe, për të shpjeguar natyrën e «papërkulur» të shqiptarëve, autori ynë u referohet tipareve të karakterit të popullit, veçorive te tij psikologjike: shqiptarët s’i binden askujt, përveç atij, të cilit duan vetë t’i binden; ata s’e pranojnë sundimin e huaj! Që këto fjalë thjesht një lloj vetëmburrjeje, por rezultat i një vëzhgimi të hollë, këtë e vërteton fakti se një vërejtje të tillë, pothuajse me të njëjtat fjalë, e bën edhe një bashkëkohës turk, kronisti Dursunbej.

    Natyrisht, Marin Barleti kësaj ndjenje krenarie, fryt patriotizmit popullor, i jep një sfond dhe argumentim historik. Për humanistin shqiptar, shqiptarët nuk janë tjetër veçse fisi antik dhe i famshëm i epirotëve, për të cilin kishin shkruar kaq autorë të mëdhenj, idolët e tij. Që ky nuk ishte një mendim i izoluar, vetëm i një njeriu të shkencës, e tregojnë letrat e njohura të Skënderbeut drejtuar princit të Tarantos, ku shumë vjet më përpara formulohej i njëjti mendim, shtyrë nga kjo ndjenjë, autori ynë shfrytëzon çdo rast, edhe kur është duke folur për një ngjarje bashkëkohëse, për të bërë ekskurse historike, për të folur për fillimet legjenda të Shkodrës, ose për të na përmendur të dhënat e autorëve antikë për qytetet e Shqipërisë — raste kur krenaria e tij prej patrioti bashkohet me krenarinë e tij prej humanisti.

    Natyrisht lufta që zhvillonin shkodranët nuk ishte vetëm një luftë e shqiptarëve kundër pushtuesve të huaj, por ishte edhe një luftë e të krishterëve kundër turqve myslimanë, prandaj nuk ka se si të mungojë, si në gjithë dokumentacionin e kohës, edhe në veprën e Barletit ngjyra fetare. Faktori fetar shërben për ta theksuar dhe acaruar edhe më tepër konfliktin me pushtuesin e huaj. Nuk ka dyshim se prifti katolik Marin Barleti do ta përdorte dhe e përdori këtë faktor me insistim. Por nga ana tjetër duhet theksuar se Marin Barleti ishte përfaqësues i humanizmit, ishte ushqyer me idetë përparimtare të kohës.

    Ai, luftën e madhe të shqiptarëve kundër turqve, e sheh, sipas shembullit të autorëve antikë, si një luftë kundër «barbarit», kundër «tiranit» për «lirinë». Ndryshe nga teologët mesjetarë, humanistin tonë e shquan një ndjenjë optimizmi, besimi në idealin e njeriut me ndjenja dhe interesa tokësore, me një qëndrim aktiv ndaj botës. Marin Barleti prift zhduket kështu pothuajse krejt prapa humanistit. Me gjithë besimin në ndërhyrjen e fuqive hyjnore, që shfaqet aty-këtu, po aq e thellë është bindja se perënditë nuk u vijnë në ndihmë përtacëve dhe të ngathtëve, por vetëm atyre që lëvizin duart dhe rrinë gjithmonë të gatshëm. Edhe aty ku Barleti flet për çudira, është për të vënë re, se ai u referohet tregimeve të të tjerëve, duke ua lënë kështu atyre përgjegjësinë për sa tregojnë.

    * * *

    Për ta plotësuar kuadrin e dhënë nga Marin Barleti, e pamë me vend t’i bashkëngjitim këtij botimi si shtojcë dy dokumente bashkëkohëse: relacionin e Gjergj Merulës për Rrethimin e Parë të Shkodrës dhe një fragment nga fjalimi panegjirik (lavdërues), që i drejtoi humanisti shkod-ran Marin Beçikemi më 1503 dukës venedikas Leonard Loredano. Autori i dokumentit të parë është historiani humanist Gjergj Merula (lindi më 1431) në Aleksandria të Italisë së Veriut dhe vdiq më 1494), në bazë të informatave të mbledhura në Venedik nga dëshmitarë të ardhur nga Shqipëria në ditët e para të shtatorit 1474, dmth. posa ishin larguar turqit, hartoi këtë relacion që ua drejtoi në formë letre të vëllait dhe një miku.

    Dokumenti i dytë ka për autor një shqiptar të shquar, një humanist e profesor të retorikës në universitetin e Padovës. Lindur rreth vitit 1468, Marin Beçikemi u detyrua ta linte qytetin e tij të lindjes, Shkodrën, pikërisht për arsye të rrethimit, që i bënë qytetit turqit. Ndonëse iku i vogël dhe bëri një karrierë të shkëlqyer në mërgim, Beçikemi e ruajti kujtimin e atdheut po aq të gjallë, sa edhe bashkatdhetari i tij Barleti dhe i dha një shprehje po aq prekëse sa dhe interesante e artistikisht të përsosur. «Panegjiriku», që ai hartoi është një burim me rëndësi, jo vetëm për historinë e Rrethimit të Dytë të Shkodrës, por edhe për historinë e Skënderbeut, që duhet vlerësuar si një burim i pavarur me rëndësi. Siç shihet, ai është përdorur në një varg rastesh edhe nga Marin Barleti.

    Lufta për Shkodrën, me gjithë trimërinë që treguan banorët në mbrojtjen e saj, mori fund me dorëzimin e qytetit. Të papërkulur, shkodranët preferuan të linin atdheun e tyre, para se të ulnin kryet nën zgjedhën e urryer. Por ajo nuk qe e kotë, ashtu si nuk qe e kotë lufta e popullit shqiptar në shek. XV, akti i fundit i së cilës qe rënia e Shkodrës. Kjo luftë e madhe heroike përbën një trashëgim të lavdishëm, me të cilit u ushqye populli shqiptar gjatë shekujve të rëndë të robërisë, me të cilin ushqehet edhe sot, kur ai ndërton i lirë një jetë të re; ajo përbën një kontribut edhe për mbrojtjen e lirisë dhe të kulturës së Evropës mbarë nga shkatërrimi i plotë që i kërcënohej. Bashkë me kujtimin e saj, rron edhe vepra e historianit shqiptar, e humanistit të shquar dhe patriotit Marin Barleti, që përbën një faqe të lavdishme në trashëgiminë kulturore të popullit tonë, një kontribut të popullit shqiptar në thesarin e madh e të përbashkët të kulturës botërore.

    1) Shih studimin themelor të F. Pall, ‘Marino Barlesio, uno storico umanista’, Bukuresht, 1938.
    2) C. Cepione, Delle cose fatte da M.P. Mocenico, Venezia 1570, p. 43.

    Rishikime

    Nuk ka rishikime ende.

    Bëhu i pari që rishikon “‘Rrethimi i Shkodrës’ nga Marin Barleti (EPUB)”

    Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e kërkuara shënohen me *

    POSTIMET E FUNDIT