Korrespondenca e Çarls Darvinit

0
1719
Charles Darwin

— nga Frederick Burkhardt, TLS

Në janar të vitit 1863, Çarls Darvini (Charles Darwin) i shkroi një letër mikut të tij të ngushtë Xhozef Huker (Joseph Hooker) ku thoshte se “shtëpia ime e ngrohtë do fillojë të ndërtohet pas një jave dhe unë jam duke pritur me shumë dëshirë katalogjet, që të shikoj se çfarë bimësh duhet të marr”. Sapo shtëpia serrë u ndërtua, ai nxitoi që ta mbushte atë “sikur të ishte një nxënës shkolle”. Entuziazmi i Darvinit ndahej në atë kohë me mijëra viktorianë të tjerë të klasës së mesme; i gjithë vendi dukej sikur ishte pushtuar nga një pasion i madh për të pasur serra të gjelbërta me bimë ekzotike. Serrat e gjelbërta viktoriane varionin nga shtëpiza të thjeshta prej xhami pa strukturë nxemjeje për tek ato me një furrë të jashtme, ku një gjenerator nxehtësie e mbante ambjentin e brendshëm të ngrohtë dhe me lagështirë, të ngjashëm me një pyll me shira tropikale.

Serra e Darvinit ishte një nga këto të fundit, por ishte e parashikuar që të kultivonte më tepër sesa bimë ekzotike me shumëllojshmëri ngjyrash dhe perime jo-sezonale. Ai i tregoi Hukerit, “unë do të mbaj bimë kurioze dhe eksperimentale”, duke shtuar me ngazëllim se sipas katalogjeve të plantacioneve “unë mund ta blej një bimë piçer (Pitcher) vetëm për 10,6 cent!”. Piçer ishte një lloj bime mishngrënëse, që Darvini donte të mbillte. Përgjatë tyre do të kishte bimë sensitive – “Mimoza (lule-mos-prek) dhe të gjitha ato gjëra të këndëshme” – të cilat reagonin ndaj prekjes, duke mbyllur gjethet e tyre. Dhe Darvini kishte plane gjithashtu që të fillonte rritjen e orkidëve*) tropikalë për të plotësuar speciet e origjinës, të cilat i kishte studiuar për vite me radhë.

Ndonëse Darvini ishte i entuziazmuar nga bimët e reja, të cilat do i studionte në serrën e tij, ai shqetësohej për çmimin e tyre dhe i tregoi Hukerit, i cili ishte drejtori i Kopshtit Mbretëror Botanik në Kju**): “guxoj të them se do të kërkoj para hua për disa orkide… ma merr mendja se orkidet kushtojnë shumë shtrenjtë”. Huker iu përgjigj me ironi, “Do të më jepnit një mbrojtje të mirë, nëse nuk ma dërgoni katalogun e bimëve që doni, para se të shkoj në ndonjë plantacion”. Pas disa javësh, Darvini shkoi në Kju me gjërat e nevojshme në dorë dhe kur arriti dhurata e bimëve nga Hukeri, Darvini ishte “mrekullisht i shokuar nga numri i tyre! sepse serra ime është pothuajse e mbushur!”. Ai i tregoi mikut të tij se ishte veçanërisht i gëzuar që “shikoj gjëra të ndryshme, të cilat unë i kam dëshiruar, por që nuk më ka pëlqyer t’ju pyesja për to”. Edhe pas disa javësh, ai vazhdonte të thërriste, “unë kam bërë një listë bimësh, 165 gjithsejt!!!”. Darvini pyeti me shaka nëse një sulm i tillë kundrejt burimeve të Kjus mund ta çonte Hukerin në “gjyqin e policisë?”.

Zemërgjërësia e Hukerit ishte karakteristike – një lloj miqësie që kishte filluar pothuajse njëzet vjet më parë, fill pas kthimit të tij nga udhëtimi rreth Antarktidës në bordin e HMS Erebus. Hukeri kishte qenë botanisti i ekspeditës, por nuk kishte udhëtuar si shoqërues i kapitenit – siç kishte bërë Darvini në Bigëll (Beagle) – por si një asistent-kirurg i paguar keq. Darvini ka qenë një herë i lirë të largohej nga anija për muaj të tërë për të kënaqur pasionin e tij për historinë natyrore, ndërsa Hukeri ishte i detyruar të zbatonte disiplinën detare dhe duhej ta bënte të gjithë koleksionin e bimëve gjatë dimrave të egjër të jugut, kur “Erebus” dhe anija tjetër simotër “Terrori” ishin të detyruara të zbarkonin në veri të qarkut të Antarktidës për riparime dhe furrnizime. Hukeri mori gjatë kësaj kohe – e cila përfshin kohën në Tazmani, Zelandë të Re dhe në Ishujt Falkland – që të fillojë të ndërtojë koleksionet e bimëve të hemisferës jugore. Ai do të bëhej eventualisht njëri nga ekspertët më të parë të botës në këtë florë, duke publikuar gjashtë vëllime të mëdha të klasifikimeve dhe shpërndarjes së tyre.

Brenda disa javësh të kthimit të Hukerit në Britani, Darvini i shkroi atij një letër, duke e pyetur nëse bimët që kishte mbledhur në Galapagos mund të përdoreshin në florën jugore të Hukerit. I mikluar nga vëmendja e një më të vjetri dhe e një naturalisti më të njohur, Hukeri u përgjigj me entuziazëm dhe kështu filloi një korrespondencë e gjatë jete. Brenda pak javësh nga letra e parë, Darvini e la mënjanë formalitetin viktorian të “my dear sir” (i dashur zotëri), dhe i adresohej mikut të ri me “my dear Hooker” (i dashur Huker). Ata e vazhduan korrespondencën për rreth dyzet vjet rresht, deri në vdekjen e Darvinit dhe letrat e tyre që mbijetuan – mbi 1300 prej tyre – regjistrojnë evolucionin e një prej miqësive shkencore më të rëndësishme të shekullit nëntëmbëdhjetë.

Këto letra për dhe nga Hukeri, janë vetëm filamenti tërheqës i librit “Korrespondenca e Çars Darvinit”, vëllimet e fundit të të cilit sjellin regjistrimet e publikuara deri më 1865, një vit që e gjeti Darvinin në një punë të rëndë me veprën e tij “Variacionet e kafshëve dhe bimëve gjatë zbutjes” (megjithëse sëmundja e tij e shpeshtë do të vononte publikimin e tij deri më 1868). Ishte gjithashtu viti në të cilin Hukeri mori postin e babait të tij si drejtor në Kju, duke cementuar pozicionin e tij si një prej botanistëve më të hershëm të Britanisë. Letrat e natyralistëve fokusoheshin në interesin e tyre shkencor, por ata diskutuan gjithashtu për gjithçka, që nga ditëlindjet e fëmijëve të tyre e deri tek romanet që ishin duke lexuar (Hukeri i tregonte Darvinit se ai ishte “magjepsur” nga “Mulliri në Flos” (The Mill on the Floss) i Xhorxh Eliotit (George Eliot) se “sa e mençur është autorja e tij, unë e pëlqej atë edhe më shumë se Adam Beden”).

Pothuajse çdo lettër në mes Hukerit dhe Darvinit paraqet shembuj nga një inkurajim dhe mbështetje reciproke, që ata i jepnin njëri-tjetrit. Për shembull, më 1865, Darvini i tregoi Hukerit se “Unë jam, siç isha, duke lexuar librin ‘Origjina’ për herë të parë, pasi jam duke e korrigjuar edicionin e dytë të saj në frëngjisht; dhe të premtoj i dashur mik, se ky është një libër shumë i mirë”. Hukeri ishte “jashtëzakonisht i kënaqur me vlerësimin tuaj të qetë tek ‘Origjina’” dhe shtoi, “a e di se i kam ri-lexuar disa nga letrat e mia me të njëjtin rezultat dhe asnjëherë nuk ishin keq në opinionin tim”. Darvini iu përgjigj se “Shënimi juaj që më erdhi në këtë mëngjes më bëri të qesh – shpresoj që vlerësimi im për librin ‘Origjina’ të jetë aq i mirë dhe pagabime, siç është vlerësimi juaj për letrat e tua!”.

Ajo që i bën veçanërisht të dallueshëm vëllimet e fundit të korrespondencës, është fakti se ato e zbulojnë Darvinin si një botanist të devotshëm. Kryesisht në vitet e fundit të jetës së tij, ai u preokupua me bimët, siç bëhet evidente nga titujt e veprave të tij të fundit: “Zbulime të ndryshme ku orkidet fekondohen nga insektet” (1862); “Bimët insektngrënëse” (1875); “Lëvizjet dhe zakonet e bimëve kacavjerrëse” (1875); “Efekti kryq dhe vetë-fekondimi në mbretërinë e perimeve” (1876); “Format e ndryshme të luleve në bimët e specieve të njëjta” (1877); dhe “Forca e lëvizjes tek bimët” (1880).

Ka patur edhe një numer të madh artikujsh në gazeta dhe revista, duke përfshirë njëzet e pesë copë tek “Kronika e kopshtarit” (Gardener’s Chronicle) në tema të ndryshme si “Bletët dhe fekondimi i fasuleve”, apo “Organet e sekretimit të nektarit tek bimët”.

Publikimet botanike të Darvinit ishin produkt i një observimi skrupuloz dhe eksperimenteve disavjeçare. Për shembull, ai kishe shpenzuar vite të tëra duke testuar farat për të përcaktuar se sa gjatë mund të rezistojnë ato në ujë të kripur. Qëllimi i tij ishte të kuptonte se si kishin migruar bimët përmes globit, në pëpjekje për të zgjidhur një debat të gjatë me Hukerin, i cili dyshonte nëse efekti i rastësisë i erës dhe valës mund të shpjegojë modelet e shpërndarjes në vegjetacionin e globit. Huker mendonte se arsye gjeologjike duhet të konsideroheshin, ku ishujt dhe vendet e largëta, të cilat popullohen me bimë, kanë qenë një herë dhe një kohë të bashkuara me ura tokësore përmes të cilave kanë migruar bimët. Uji ka përmbytur më vonë tokën ndërmjet, duke i lënë modelet e observuara të vegjetacionit. Darvini kundërshtonte me mirësjellje.

I ndihmuar nga fëmijët e tij, ai zhyti fara në ujë të kripur, pastaj i mbolli ato jashtë, për të parë zhvillimin e tyre. Ai i ushqeu zogjtë me fara, i mbyti zogjtë, dhe pastaj i la mbetjet e tyre të lundronin në një tank me ujë deti për disa javë, për të parë nëse farat mund të jenë shpërndarë në atë mënyrë. Fëmijët e tij, në veçanti Francis (i cili do të bëhej me pas një botanist i njohur në anën e tij), i vrojtoi farat e mbjella për të parë se cilat do të mbinin dhe cilat jo, duke sjellë rezultate për studimin e të jatit. Darvini i tregoi mikut të tij se “fëmijët në fillim ishin tepër të zellshëm dhe më pyesnin shpesh ‘nëse do ta mundja Dr. Hukerin?’!!”. Gradualisht, Darvini dhe fëmijët e tij e bindën Hukerin se migrimi i rastësishëm ka luajtur me të vërtetë një rol të rëndësishëm.

Serra e Darvinit kishte bimë që ishin të rëndësishme në tre aspekte të preokupimit të tij të gjatë. Bimë mishngrënëse – bimët piçer, lulevesat, bimët kënetore insektngrënëse – ishin për të formuar fokusimin e librit të tij të parë të gjatë botanik, “Bimët insektngrënëse”. Viktimizimi i insekteve dukej një sjellje kurioze jobimore – gjë që sugjeronte se ka diçka ambiguiste rreth anëtarësisë së tyre në mbretërinë e perimeve. Bimët sensitive paraqitnin një interes të ngjashëm. Në përcaktimet e arsyeshme, bimët ishin të pandjeshme, të palëvizshme dhe me rrënjë të ngulura diku, por bimët, si mimoza (lule-mos-prek), dukej se e ndjenin prekjen dhe ishin të afta të reagonin. Si lulevesat e uritura, ashtu edhe bimët sensitive dukeshin sikur e thenin murin ndarës ndërmjet bimëve dhe kafshëve. Madje edhe proceset familjare nga të cilat bimët kacavirreshin, provuan sipas vrojtimit të hollë të Darvinit, se janë me një interes të papritur.

Darvini me një modesti karakteristike i tregoi Hukerit se “jam duke u zbavitur shumë nga dredhëzat e mia – është një lloj pune me shumë pretendime, që më përshtatet dhe nuk më merr shumë kohë”. Duke u distancuar nga thënia “nuk merr shumë kohë”, kjo punë kërkon në fakt muaj, madje vite të tëra të eksperimenteve rigoroze, që të shpjegosh se si një bimë shtrin një dredhëz, heton një mbështetje dhe fillon të kacavirret më tutje. Bizelja e zakonshme e kopshtit dhe lulja e pasionit familjar, dukeshin të afta për të hetuar dhe për t’iu përgjigjur rrethanave. Darvini i tregoi djalit të tij Uilliamit (William) se “kali im i qejfit për kohën është Dredhëza; ato janë më sensitive në prekje se gishti juaj, dhe tepër të fuqishme e inteligjente”.

Duke zbuluar bimë që posedojnë këto tre cilësi të ngjashme me kafshët – mishngrënëse, sensitive dhe inteligjente – që çudisnin Darvinin, për arsye se teoria e tij e evolucionit nga përzgjedhja natyrore, propozonte se të gjitha gjallesat e kishin prejardhjen nga një paraardhës i përbashkët. Organizmat që dukej se shkrinin kufinjtë ndërmjet krijesave të ndryshme, paraqitnin dëshmi të një shkalle zbritëse. Kafshë si dinosaurët/zogjtë Archaeopteryx ishin penguesit e shfaqjes, por ishin bimët inteligjente, kacavjerrëse dhe bimët gjuetare ato, që e intriguan Darvinin. Në librat si “Shprehja e evolucionit tek njeriu dhe kafshët” dhe “Zbritja e njeriut”, ai u mundua të tregonte se si distanca e pakalueshme ndërmjet njerëzve dhe kafshëve tjera mund të ndërlidhej me një urë-lidhëse, por ai iu kthye më shumë luleve, për të paraqitur fakte eksperimentale për teorinë e tij.

Libri i Darvinit për orkidin kishte një fokus tjetër: marrëdhëniet e komplikuara ndërmjet bimëve dhe species së insekteve. Vrojtimet e tij tregonin se shumë specie kishin një prodhues pjalmi të veçantë, një bimë mund të përshtatet për t’u pajisur me një specie unike insekti me shpërblim nektari, si shkëmbim për shpërndarjen e pjalmit. Përshtatja “dry-dhe-çelës” e insektit dhe lules tregonte se insekti nuk kishte pse të konkurronte me specie të tjera për nektarin e orkidit, ndërsa lulja përfitonte sepse pjalmi i saj do të shpërndahej vetëm për anëtarët e tjerë të species dhe nuk do të humbte në bimë, që ajo të mos fekondohej. Përfitimi reciprok tregonte se si dy organizma të ndryshëm ishin përshtatur me njëri-tjetrin: këto lloj avantazhesh e kthyen përzgjedhjen natyrore në një forcë, e cila dalëngadalë, në mbi dhjetë mijë gjenerata, të mund të riformojë edhe anatominë e orkidit dhe të sjelljes së insektit.

Insekte të cilat trashëgojnë preferencën për një orkid të veçantë ndeshin më pak konkurrencë dhe kështu kalojnë disi më mirë në përpjekjen e tyre për të gjetur ushqim, duke rritur shancet për veten e tyre, që ta trashëgojnë preferencën e tyre. Ndërkohë, orkidet që varionin në një mënyrë, e cila i bënte ata që t’i “përshtateshin” insektit më mirë, do të rrisnin shancet e tyre për një pllenim më të suksesshëm, kështu shpërndahet struktura e përmirësuar edhe më gjërë në gjeneratat e ardhëshme. Vepra e Darvinit zbuloi se çfarë dukej se ishte inteligjente – dhe pashpjegueshmërisht e bukur – dizenjot e strukturave ishin në fakt produkt i një përzgjedhjeje natyrore; mbijetesa e përshtatshmërisë më të mirë.

Botanisti amerikan Asa Gray e përshëndeti Darvinin për “lëvizjen e bukur të belit me librin e orkidit”, i cili dukej se e kishte kapërcyer mikun e tyre të përbashkët opozitar, Xhorxh Bentam (George Bentham) me përzgjedhjen e tij natyrore. Darvini iu përgjigj:

“Nga të gjithë marangozët që godasin gozhdën e duhur në kokë, ju jeni më i miri: askush tjetër nuk e ka vënë re se interesi im kryesor në librin e orkidit, ka qenë fakti se ndodhet një “lëvizje beli” kundrejt armikut”.

“Armiqtë” ishin natyrisht besimtarët e krijuesit të veçantë, të cilët ishin të bindur se bukuritë komplekse të orkidit ishin atribute të një krijuesi, që ka inteligjencë. Libri i orkidit e lejoi Darvinin të kthente kundër kundërshtarëve të tij, njërin prej shembujve më të famshëm…


*) Orkid (orchid) – specie bime tropiale, lule.
**) Kew, vendbanim në periferi të Londrës.

(Për një bibliografi më të hollësishme të Darvinit, duke përfshirë edicionet në-linjë të pjesës më të madhe të veprave të tij, vizitoni:
http://pages.britishlibrary.net/charles.darwin/)

Përktheu: Arben Çokaj, 22.11.2003.

Publikuar:
TLS (Times Literary Supplement), 20.11.2003

PËRGJIGJU

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu