Nano president…?!

0
877
Fatos Nano

Nga Arben Çokaj, 15.07.2007

Përdoret një maksimë në politikë: “kurrë mos thuaj kurrë“. Por për disa gjëra duhet të thuhet kurrë edhe në politikë. Dhe nëse ka një gjë, që duhet thënë kurrë në politikën shqiptare, është rasti tani për t’i thënë jo Fatos Nanos president! Për këtë, ka një numër arsyesh. Nisur që nga akuzat e kryeministrit aktual, të bëra në kohën kur Nano ishte kryeministër, e deri tek metodat abuzive, që Nano përdor për të defaktorizuar politikanët e tjerë dhe për t’u shfaqur në skenën e politikës shqiptare si primadonë.

A duhet t’i konsiderojmë si shpëtimtarë politikanët e konsumuar dhe të dështuar, të cilët i mësojnë administratës publike metodat e shkrehjes, të abuzimit me paratë publike, të mosrespektimit të ligjit apo mungesën e seriozitetit? A duhet të zgjedhim një president, i cili ka si synim kryesor metodën e shantazhit dhe bllokimit për përfitime thjeshtë personale? Një president që tregon interes minimal për çështjen kombëtare? Pavarësisht se çfarë thotë Nano këto ditë, ai është provuar si politikan i pandërgjegjshëm dhe fshati që duket nuk do kallauz!

Dalja e Nikollë Lesit në krah të Nanos ishte fasadë. Nuk dihet arsyeja pse Lesi pranoi një tundim të tillë (dhe nuk është e vështirë të merret vesh), por ka qenë pikërisht Lesi që ka deklaruar kur e kishte pisk me Nanon kryeministër, se Nano është i zoti të bëjë njerëz për vete kur nuk ka pushtet, por sillet krejt ndryshe kur vesh rrobat e pushtetit. Kritikat e Lesit në gazetën e tij të atëhershme shkonin deri në çështje personale, duke i parë ndryshimet në karakter të Nanos, si të ndikuara nga gruaja e tij e re.

Është krim të kesh në drejtim një politikan që nuk ka stabilitet psiko-emocional. Aq më tepër president të republikës, i cili ka në dorë drejtësinë; respektivisht KLD-në dhe kryeprokurorin, shefin e SHISH-it dhe është Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura. Do të ishte fatkeqësi kombëtare, nëse Nano do e gjente rrugën për t’u ngritur në majë të shtetit shqiptar! Dhe duket se ai ka filluar ta bëjë lojën e tij, duke “blerë” edhe mbështetjen e Lesit, në rast se ai zyrtarizohet si kandidat konsensual.

Berisha u detyrua që të takohej me Nanon në një kohë kur diskutimet për zgjedhjet lokale kishin ngecur dhe po rrezikohej procesi. Në atë kohë Berisha tha se disa deklarata thuhen nëpër fushata, gjë që ngriti shumë pikëpyetje për besueshmërinë e takimit. Dyshimet vazhduan edhe më pas, duke parë që Berisha nuk shprehej qartë për postin e presidentit të ardhshëm. Madje, edhe kur PD shpalli Bamir Topin si kandidat të pozitës për president, kishte mendje dyshuese (dhe akoma vazhdon të ketë), që thonë se Berisha po e djeg Bamir Topin si kandidaturë. Ndonëse nuk besoj që kjo të jetë e vërtetë, shpreh bindjen se kandidatura e Topit për president është ndër më dinjitozet dhe më të preferuarat. Berisha ka lënë gjithashtu të kuptojë se nuk e do Nanon president, por vetëm nëse opozita e fut atë nga dritarja. A është kjo një lojë taktike e Berishës për të justifikuar zgjedhjen e Nanos, apo mos kundërshtimi hapur i kandidaturës së Nanos bëhet për arsye se zgjedhja e tij nuk vjen në shprehje, përderisa nuk mbështetet as nga të vetët?!

Nano mund ta uzurpojë postin e presidentit nëse arrin ta marrë atë, dhe do i bëjë një shërbim të keq interesave kombëtare me aq mundësi sa ka një president i republikës. Nga ana tjetër, Nano do të hijezojë drejtuesit e tjerë politikë, përfshij këtu edhe krerët e partive kryesore, Berisha e Rama. A mund ta pranojnë këta dy të fundit rolin e tyre drejtues me një Nano dominant?! Kjo mbetet për t’u parë…

Dështimi që i bëri Fatos Nano partisë socialiste gjatë kohës kur ai ishte në pushtet, të bën të besosh se i njëjti dështim mund të vijë edhe për shtetin shqiptar, nëse Nano lejohet të bëhet president. Ky dështim i PS-së në kohën kur Nano drejtonte, ka sjellë me vete edhe dyshimin për një shpërblim me postin e presidentin, që mund t’i bëjë Berisha atij. Gjithçka mund të ndodhë, por njerëzve që besojnë në këto besëtytni, duhet t’u shkojë mendja se Berisha personalisht nuk mund ta durojë një Nano dominant?! Nano doli në pension pikërisht nga përpjekjet e Berishës për t’u ngritur dhe tani Berisha nuk mund t’i japë dorën kundërshtarit të tij më të fortë, për t’i parë sherrin atij më pas! Për më tepër kur Nano këto kohë nuk është se ka edhe aq shumë mbështetës…

Për hir të faktit se Nano është tjetër njeri në opozitë, dhe tjetër person kur merr pushtet, duhet të kemi kujdes të madh, që kandidatura e tij për president, të mos mbështetet dhe votohet. Vërej këtu një instinkt më afër realitetit të kryetarit aktual të PS-së, Rama, i cili publikisht nuk po i jep mbështetje rivalit të tij socialist (pavarësisht se mund të hamendësohen edhe lojëra nën tavolinë të krerëve socialistë, gjë që shumë shpejt do të merren vesh). Ka mundësi që Rama të këshillohet edhe nga Meta, i cili e ka provuar mbi kurriz, se çfarë do të thotë të jesh nën hyqmin e Nanos, në kohën kur Meta ishte kryeministër dhe Nano filloi katarsisin e tij, apo kur Meta pranoi të bëhej ministër i jashtëm, dhe Nano e defaktorizoi deri në atë masë, sa ai u detyrua të vetë-tërhiqej si dordolec. I njëjti fat mund t’i ndodhë edhe Berishës me një Nano president. Kjo s’ka asnjë pikë dyshimi, prandaj nuk besoj se instinkti politik i Berishës do na dhurojë një Nano president, pavarësisht interesave momentale të tij.

Por duket se Nano ka më shumë vështirësi të bindë të vetët, sepse ata e njohin më mirë. Takimi me Ramën ishte një disfatë, pasi Rama, përveç shijes së tij personale, ka mundësi ta ketë të vështirë të pranojë një kompromis me Nanon pa mbështetjen e aleatëve. Ekziston ideja e një bashkëpunimi të heshtur në mes Berishës dhe Nanos për të zgjedhur president këtë të fundit, në mënyrë që PD të rrijë në pushtet edhe pas zgjedhjeve të ardhshme. Kjo ide është kaq infantile e mjerane, sepse blasfemon fondamentin e demokracisë për zgjedhjet e lira dhe një kompromis i tillë hipotetik do të shtonte dozën e korruptimit të institucioneve tona shtetërore, të cilat mësohen të shmangin zgjedhësit dhe të mos u japin llogari atyre. Synojmë integrimin në strukturat euro-atlantike dhe duhet të përmbushim disa standarde…

Në përpjekjen për të gjetur presidentin e ri, ka shumë gjëra që duken dhe shumë të tjera, që nuk dalin në dritë. Për më tepër kur opozita, e cila kërkon konsensus, ka zgjedhur që të mos përmendë emra konkretë për kandidatin e tyre për postin e ardhshëm të presidentit. Ç’janë këto taktika enigmatike, në zgjedhjen e një presidenti, i cili do të ketë jo pak ndikim në politikën shqiptare dhe më gjerë? Duket se ka ardhur momenti për të ndryshuar mënyrën e zgjedhjes së presidentit dhe është për t’u përshëndetur ideja e zgjedhjes së presidentit drejtpërdrejt nga populli, ku presidentit mund t’i jepen edhe më shumë kompetenca. Por, politikanët tanë kujtohen që t’i diskutojnë këto gjëra të rëndësishme vetëm atëherë kur është vonë – dhe deri në zgjedhjet e tjera, ky problem harrohet, për të filluar përsëri nga e para.

Kemi të bëjmë me një politikë momentale, e cila nuk ka axhendë. Politika jonë luhatet si pendul torcioni në një qark vicioz, dhe është e vështirë të parashikohet rezultati, pasi nuk bazohet mbi interesat e zgjedhësve dhe gjetjen e individëve, që e çojnë përpara zhvillimin e vendit. Politika jonë është mbyllur në vetvete dhe lakohet vetëm në disa emra, të cilët në fund të fundit janë të prapambetur në kohë. Kështu që edhe kësaj radhe, presidenti ynë mund të jetë një person jo cilësor, jo ai që i duhet shqiptarëve, por një person asnjanës, i zgjedhur në minutat e fundit, që do të shtypet si plastelinë dhe do marrë formë sipas interesave dhe oreksit të atij, që ka ndikim më të madh mbi të.

Botuar në: Standard, 17.06.2007, etj.

LEAVE A REPLY

Ju lutem, lini komentin tuaj!
Ju lutem, fut emrin tuaj këtu