Çamëria, si duhet të jetë

0
957
Çamëria

Nga Arben ÇOKAJ, 23 janar 2009

Inspiruar nga libri “Diplomacia e vetëmohimit” të Shefki Hysës

Shpeshherë në jetë ndeshemi me sfida të papërballueshme. Përpjekjet për ekzistencë të duken të pamundura dhe qenia i nënshtrohet fatit. Në përgjithësi njeriu fatkeq beson tek fati, më shumë se ata që kanë sukses. Por asnjeri nuk mbijeton pa u përpjekur. Profeti u thoshte të gjithëve “mbill”, kur e pyesnin se si do të ishte moti atë vit. Dhe çfarë do të mbjellësh, atë do të korrësh.

Çështja çame ka qenë e pamundur për më shumë se gjysmë shekulli. Regjimi komunist e varrosi dhe pjesa më e dalluar e atyre çamëve, që u shpërngulën përdhuni në Shqipëri, u përndoq agresivisht edhe nga regjimi i çmendur shqiptar. Të njëjtin fat kishin edhe kosovarët e arratisur nga Kosova për në “parajsën” Shqipëri të asaj kohe. Ngaqë pritshmëria e tyre ishte e madhe, kosovarët s’e mbanin veten nga dëshpërimi dhe përfundonin kështu në burg për agjitacion e propagandë.

Një fat të ngjashëm pati edhe Bilal Xhaferri, shkrimtari më i dalluar me origjinë çame. I ati i tij u vra nga komunistët, ndërsa Bilali ishte fëmijë. Regjimi komunist ishte i papërballueshëm – të vriste për një fjalë goje. Dhe Bilali, për të jetuar, u detyrua të arratisej. Ai krijoi një vepër letrare të dallueshme, dhe mbajti në SHBA për vite me radhë revistën “Krahu i Shqiponjës”, që simbolizonte Çamërinë, revistë që vazhdon të botohet në Shqipërinë e post-komunizmit nga shkrimtari dhe atdhetari i njohur çam, Shefki Hysa.

Diplomacia e vetëmohimit

Javët e fundit, shkrimtari Hysa ka dalë me një libër të mrekullueshëm: “Diplomacia e vetëmohimit”, i cili trajton çështje të zhvillimeve çame dhe përpjekjet personale të autorit për të mbajtur gjallë substraktin çam, shpirtin e një populli të keqtrajtuar, të vrarë e të nëpërkëmbur.

Mbi popullsinë çame u ushtrua një gjenocid i pashembullt, në kohën kur shteti grek nuk i njihte liritë dhe të drejtat e njeriut. Krimet e tmerrshme të bandave Zerviste e më gjerë, dhe harresa që imponoi regjimi komunist në Shqipëri, kanë qenë të mjaftueshme për ta tulatur popullsinë çame, sidomos atë pjesë që u detyruar përdhuni të shpërngulej për në Shqipëri. Çamët e kishin të vështirë të zgjoheshin dhe vështirësitë vazhdojnë edhe sot pas 18 vjetësh demokraci, pasi politika e shtetit grek dhe atij shqiptar nuk mundi të konvergjonte në një zgjidhje politike për pronat e çamëve. Kur një e drejtë mohohet, është e vështirë ta fitosh atë plotësisht. Harresa ishte e qëllimshme dhe ashtu vazhdon të jetë.

Në Shqipëri dhe jashtë saj, ka çamë të dalluar për arritjet e tyre në jetë. Çamët janë organizuar në shoqata, parti etj., për të kërkuar të drejtat e tyre, që u ishin mohuar për dekada. Ata kërkojnë pronën e tyre në Çamëri, në atë pjesë të veri-perëndimit të Greqisë fqinje, ku çamët kanë trojet e veta. Shteti grek, edhe në kohët e sotme nuk është treguar i gatshëm të pranojë të vërtetën historike, pavarësisht se çështja çame njihet edhe nga historianët e Greqisë, njihet nga diplomacia ndërkombëtare, sidomos nga ajo perëndimore, SHBA-të dhe Bashkimi Evropian, i cili ka ndërmarrë edhe një rezolutë në përkrahje të çështjes çame.

Analisti dhe politologu i njohur shqiptar, Arben Xhaferi, që ka të njëjtin mbiemër me shkrimtarin e madh çam, do të përkufizonte: “ka popuj që krijojnë histori, ashtu siç ka popuj që krijojnë kronika”. Duhet vetëdije e lartë dhe një punë e përbashkët organizuese, “vetëmohuese”, siç cilëson shkrimtari dhe veprimtari çam Shefki Hysa, që kronikat të kthehen në histori. Çamët kanë historinë e tyre; duhet të fillojnë ta promovojnë atë edhe më shumë, derisa të arrijnë rezultatin e dëshiruar.

Pavarësisht vështirësive të shumta, sot çamët i kanë mundësitë që përmes një organizimi më të mirë dhe vetëdijeje të pa-manipulueshme, t’i imponohen shtetit grek deri në njohjen nga ai të të drejtave çame, si grupim shoqëror e jo vetëm individual. Pronat e çamëve janë zënë nga njerëz të tjerë, një pjesë e mirë e tyre, grekë të kthyer nga Turqia, në vitet e pas Luftës së Dytë Botërore. Kjo përbën edhe një problem social për Greqinë, që pronën e çamëve, të cilën e kanë marrë në përdorim për dekada me radhë grekët e ardhur, t’ia kthejnë tani shqiptarëve çamë.

Duke parë mungesën e dëshirës së shtetit grek dhe problemet që mund të hapen në shoqërinë greke me kthimin e çamëve në trojet dhe pronat e tyre, çamëve nuk u mbetet gjë tjetër vetëm që të organizohen edhe më mirë se ç’kanë bërë deri tani, për ta bërë realitet të drejtën e tyre. Çamët duhet ta marrin vetë në dorë fatin e vet. Shteti shqiptar, është tepër i korruptuar, i paaftë dhe i rrezikuar për të ndihmuar sa duhet në këtë çështje. Të gjithëve na kujtohet përqasja e mangët dhe mungesa e interesimit të shtetit shqiptar për çështjen e Kosovës. Diplomacia shqiptare hapi gojë vetëm atëherë kur kosovarët fituan simpatinë e perëndimit.

Zgjedhja e presidentit Obama në SHBA, një njeriu me ngjyrë, na kthen në retrospektivë, që të shohim se çfarë kanë hequr zezakët e Amerikës ndër shekuj. Zezakët ishin skllevër dhe u desh një luftë civile veri-jug, që të çliroheshin prej skllavërisë. Racizmi dhe injorimi, vijoi më pas dhe ishte tepër i egër deri në fillim të shekullit të kaluar. Por përpjekjet e tyre bënë që gradualisht, përmes vuajtjeve, keqtrajtimeve vrasjeve dhe racizmit, të arrinin të fitonin të drejtat e tyre dhe sot në SHBA kemi një President me ngjyrë, nën sloganin “Po, ne mundemi!”. Zezakët në Amerikë e prekën ëndrrën e tyre, se mundën.

Po çamët?! Kështu edhe çamët, nëse punojnë me vetëdije të lartë e një organizim bashkëkohor, ku secili jep kontributin e vet dhe kontributet nuk shpërdorohen por përdoren me efektshmëri, për të arritur qëllimin e lartë të realizimit të ëndrrës së tyre, për t’u kthyer në tokat e të parëve dhe për të marrë pronat e lëna trashëgim, ata do të jenë në gjendje të arrijnë atë, që sot mund të duket e pamundur. Për këtë, çamët kanë edhe një shembull të gjallë, Kosovën.

Ndodhesha një herë në Fushë-Krujë tek dentisti. Një krutan më kundërshtonte në përpjekjen time për t’i sqaruar se Kosova një ditë do të bëhet e pavarur. “Kurrë nuk bëhet e pavarur!” – më thoshte ai. Dhe unë ia ktheva: “Kosova bëhet e pavarur për ata që besojnë e punojnë, që ajo të jetë e pavarur. Ke për ta parë!” Fati e desh, që Xhorxh Bush të vinte në Shqipëri dhe ta shpallte në Fushë – Krujë, se Kosova do të jetë një shtet i pavarur. Pavarësia u arrit me punë e sakrifica dhe me përpjekje duhet të mbahet e tillë.

Në përpjekjet e tyre të drejta, çamët duhet të fokusohen në nxjerrjen e një lideri politik e shpirtëror, siç nxorën kosovarët Dr. Ibrahim Rugovën, të paguajnë një kontribut simbolik (kosovarët emigrantë paguanin 3% të rrogës së tyre) për këtë organizim të përbashkët, se pa para nuk mund të kryesh punë në kancelaritë e sotme, dhe të bëhen më të vetëdijesuar për realitetin që i rrethon, se askush nuk mund t’i ndihmojë ata, më shumë se ata mund të ndihmojnë vetveten.

“Diplomacia e vetëmohimit” mund të bëhet një çelës zgjidhjeje, nëse një pjesë e mirë e çamëve punojnë dhe sakrifikojnë kohën dhe pak nga pasuria e tyre, siç bën edhe atdhetari Shefki Hysa, për këtë çështje të drejtë e të përbashkët. Sukseset nuk vijnë vetvetiu – vijnë duke punuar për t’i realizuar ato.

Publikuar në: Shqip, 25.01.2009, Standard, 25.01.2009, TemA, 29.01.2009

LEAVE A REPLY

Ju lutem, lini komentin tuaj!
Ju lutem, fut emrin tuaj këtu