Vragët serbe

1
1178

Nga Arben Çokaj, 22 shkurt 2008

Përpjekjet e saj për mos njohjen e Pavarësisë së Kosovës, Serbia u mundua t’i shtrinte në disa plane. Me ndihmën e Rusisë, ajo bllokoi njohjen e një pavarësie nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së. Për rrjedhojë, disa vende si Kina, Spanja, Rumania etj., të cilat për shkak të problemeve të ngjashme në vendet e tyre, nuk ishin entuziaste në njohjen e Kosovës “shtet sovran, të pavarur e demokratik” – siç do e cilësonte kryeministri Thaçi. Por kjo nuk do të thotë se njohja nuk do të vijë më vonë. Ajo që kishte rëndësi për Kosovën dhe pavarësinë e saj, ishte njohja nga SHBA-të, dhe kombet më të mëdha të Evropës, si Franca, Anglia, Gjermania, Italia etj. Pa harruar këtu edhe njohjen në grup nga 57 vende të Konferencës Islamike.

“Bac u kry!” – ishte togfjalëshi më i përdorur në ditën e Pavarësisë. Por ky sinonim i Pavarësisë së Kosovës, pra kryerja e saj, nuk tingëlloi aq këndshëm në shpirtin nacional të serbëve. Përkundrazi, kombi i tulatur serb, dhe politikanët drejtues të tij, të cilët luhaten mes nacionalizmit dhe integrimit evropian, nuk ishin në gjendje të pranonin një Kosovë të Pavarur, pavarësisht se kishte kohë që e kishin kuptuar se ky proces ishte i pashmangshëm. Dhe kur Pavarësia erdhi në fund, diçka e madhe u shemb në shpirtin nacional serb. U shemb miti, mbi të cilin ata kishin ngritur kombin e tyre. U shemb prerogativa e një Serbie të Madhe, e cila për dekada me radhë ishte ushqyer nga 24 milionë ish-jugosllavë. Beogradi si kryeqendra e Jugosllavisë së dikurshme ishte zhvilluar falë vjeljes së resurseve nga 6 republika dhe një krahinë autonome. E si mund të jetojë Beogradi sot, kur edhe krahina autonome, Kosova pra, e braktisi?

Serbian Scars Dhe serbët, ose më saktë drejtuesit e tyre, për të justifikuar humbjen e madhe, nuk mund të rrinë pa protestuar. Dhe të mos na duket çudi, që 17 shkurti 2008 të kthehet në një festë tradicionale serbe si “Dita e humbjes së Kosovës”, të cilës mund t’i ngrihet edhe një përmendore, siç është bërë në Gazimestan për humbjen e betejës në Fushë-Kosovë (serb. Kosovo polje) më 1389. Serbët e kanë zakon të festojnë edhe humbjet, sidomos kur ato kanë lidhje me ngjalljen e një ndjenje të veçantë nacionale në shpirtin e tyre. Këto ditë po ndeshemi me protesta në Beograd, kundër Pavarësisë së Kosovës – si faza më kulminante e kundërshtisë serbe në këtë kontekst.

Serbët po vetë-izolohen. Ka një problem të madh në karakterin e tyre; ata bëhen agresivë dhe të papërmbajtur kur ndjehen të përbuzur. Dhe sot bota e lirë, bota demokratike dhe vendet me demokraci të zhvilluar po e përbuzin Serbinë, po e përbuzin marrëzinë e tyre, gjenocidin dhe krimet e ushtruara sistematikisht për vite me radhë kundër ish-republikave jugosllave. Koha e serbëve ka përfunduar dhe protestat e fundit janë përpëlitje për të mos e pranuar realitetin objektiv. Kombi serb, me makinën e tij propagandistike të ushqyer me urrejtje për dekada me radhë, shpërtheu në një luftë shkatërrimtare kundër kombeve të tjera, që përbënin Jugosllavinë. Tani që të gjithë kanë ikur, dhe e fundit Kosova, serbët po i kthehen vetvetes. Ky është shpjegimi dhe rrjedhoja logjike e protestave të fundit në Beograd, të cilat nuk shënojnë ndonjë gjë pozitive për të ardhmen e Serbisë.

Një gënjeshtar i madh, në fund të fundit, gënjen vetveten

Një akademik i njohur serb pranon një të vërtetë të madhe: “Gënjeshtra është mënyra mbi të cilën serbët kanë ngritur identitetin e tyre.” Dhe meqë serbët arritën të gënjenin të gjithë botën me gënjeshtrat e tyre për vite e vite me radhë, ata e kanë vështirë të shërohen në një ditë, pasi perceptimi i tyre për botën apo ngjyrimi që ata i kanë dhënë ambientit rreth tyre, ka qenë i gënjeshtërt. E si mund ta pranojnë ata sot të vërtetën, kur edhe miti i tyre u shemb?!

Për ata që e njohin sadopak historinë e Jugosllavisë dhe bashkë me të edhe historinë serbe dhe të shqiptarëve në Jugosllavi, e kuptojnë se problemin kryesor për unitetin në Jugosllavinë e Titos, e përbënin shqiptarët. Nga frika e shkëputjes, shqiptarëve iu mohua e drejta për të patur republikë në federatën jugosllave. Shqiptarët u ndanë, sa në Mal të Zi, Kosovë, Kosovën Lindore me Preshevë, Medvegjë e Bujanoc dhe shqiptarët e Maqedonisë. Ndonëse shqiptarët për nga numri ishin kombësia e tretë në Jugosllavi, atyre nuk iu dha e drejta e një republike por shumica u la nën hegjemoninë serbe, në krahinën autonome të emëruar si “Kosovë e Metohi”. Dhe pikërisht, frika e madhe e Jugosllavisë së dikurshme, që ishte frikë e brendshme e vetë Serbisë, për shkëputjen e shqiptarëve me rastin më të parë, çoi gradualisht në rrënimin e krijesës leniniste “Jugosllavi”.

Serbët e kishin bërë traditë që t’i dhunonin shqiptarët brutalisht dhe si pa të keq. Dhe jo vetëm serbët. Edhe maqedonët sllavë, me dhunën e tyre dhe distancën që mbanin kundrejt shqiptarëve, kishin krijuar idenë, sikur ishin racë e zgjedhur, racë e zgjuar dhe e civilizuar. Feja në këtë mes, ka luajtur rol ndihmues dhe justifikues për sllavët para botës, meqë shumica e shqiptarëve ishin myslimanë. Dhe bota demokratike, duke mos dashur t’i hynte thellë analizave për kombet në Jugosllavi, e pranonte kallëp gënjeshtrën serbo-sllave, për të vërtetën që ata paraqitnin.

Problemi shqiptar në Jugosllavi margjinalizohej, nga pamundësia për t’u shpjeguar e vërteta reale mbi të drejtën nacionale dhe padrejtësitë, që bëheshin kundrejt kombit shqiptar brenda Jugosllavisë, të cilit i pengohej zhvillimi. U desh një universitet si ai i Prishtinës, për të krijuar gradualisht një klasë intelektualësh shqiptarë, të cilët më në fund e kuptuan gënjeshtrën serbo-sllave dhe e artikuluan atë me mjeshtëri para botës. Njerëz të qetë dhe të mençur si Presidenti i ndjerë Ibrahim Rugova, apo intelektuali-politikan Arbën Xhaferi, me refuzimin e tyre estetik dhe mençurinë natyrale e të kultivuar, ia arritën të tregonin të vërtetën shqiptare para botës dhe filluan të kuptoheshin nga perëndimorët. Kur e vërteta serbe apo maqedonase u zhvesh nga magjia e gënjeshtrës, shqiptarët dhe bota përreth tyre i pa, se ata nuk ishin racë fort e zgjuar. Dhe ndodh në jetë, që gënjeshtra mund të jetë intrigë, por realisht ajo nuk është zgjuarsi. Prandaj thonë se i ka këmbët e shkurtra.

Më shumë se kurrë, sot po vihet re se fatura e mungesës së zhvillimit në gadishullin ballkanik, i shkon sllavëve në Ballkan, e sidomos serbëve, të cilët me mënyrën e tyre brutale, aspak fine, për të synuar sundimin e të tjerëve, kanë ngjallur gjithmonë konflikte dhe nuk e kanë lënë këtë pjesë të botës, të ecë me hapat e kombeve të zhvilluara. Duke u munduar të shkatërrosh kombe të tjera për interesat e veta, ndodh që stili të kuptohet një ditë, dhe përfundon i vetmuar, ashtu siç ka mbetur Serbia sot. Tashmë është e qartë, se serbët nuk kanë më skllevër të punojnë për ta, dhe prandaj duhet t’i kthehen punës. Dhe kjo, si fazë e parë, nuk është edhe aq e lehtë! Është në dorën e politikanëve serbë t’i shpjegojnë popullit të vet realitetin objektiv. Por se sa do të jenë ata të vullnetit për ta bërë këtë, kjo mbetet për t’u parë. Sa më shpejt që serbët ta kuptojnë sëmundjen e tyre të jetës me gënjeshtra, aq më tepër shanse do të kenë ata, që ta shërojnë atë në një kohë sa më të shkurtër.

Shumë analistë mendojnë se Serbia nuk ka ndryshuar politikë – ajo ka ndryshuar vetëm mimikën politike, jo thelbin. Kanali televiziv “Pink” financoi para disa muajsh një film në Hollivud. Vragët serbe (Serbian Scars, 2008) trajton terroristë shqiptarë, që duan të prishin Serbinë. Kështu do vazhdojnë serbët t’i shohin shqiptarët edhe për disa kohë, derisa të çlirohen nga paniku i tyre i brendshëm. Serbët janë një komb që zien, i cili nuk mund të jetojë pa ftohës. Deri tani, ata i kanë patur shqiptarët si ftohës… Të shkon ndërmend të besosh, se derisa serbët të përshtaten me një mënyrë tjetër jetese, ata do të shpërthejnë herë pas here, si një motor me djegie të brendshme, që nuk ka ftohës.

Armiku virtual i serbëve, duket se janë shqiptarët. Por jo vetëm shqiptarët, të gjitha ata që e përkrahin Pavarësinë e Kosovës: amerikanët, anglezët, gjermanët, francezët, kroatët, sllovenët e shumë kombe të tjera, ambasadat e të cilëve po sulmohen këto ditë në Beograd. Vragët serbe nuk janë shkaktuar nga shqiptarët, ato janë shkaktuar nga politikat armiqësore e brutale, që Serbia ka ndjekur me fqinjët e kombe të tjera. Sot jetojmë në një kohë tjetër, dhe gënjeshtrat, histeria apo alibitë serbe nuk ecin më.

Botuar dy herë: TemA

1 COMMENT

  1. Përshëndetje Ben,

    U lodha duke lexuar dhe thashë le të lexoj diçka “brainless” tek Tema për t’u shlodhur.
    Aty për fat gjeta shkrimin tënd për Kosovën.
    Ta them me dy fjalë, askush nuk shkruan më mirë, më pastër, më me kulturë se ju
    në të gjithë analitikën gazetareske shqiptare. Të LUMTË.
    Të uroj me gjithë shpirt, vëlla.

    Gjeka (Marinaj)

LEAVE A REPLY

Ju lutem, lini komentin tuaj!
Ju lutem, fut emrin tuaj këtu