Përjashtimi i Presidentit të Kosovës

0
1063
Kosova

( Presidenti Sejdiu duhej të ishte thirrur ! )

Pse nuk u ftua dje në Durrës presidenti i Kosovës në takimin e lartë të presidentëve të vendeve të Ballkanit? Çfarë konjukturash po luan presidenti shqiptar Moisiu? Mos kemi të bëjmë me një ndjenjë inferioriteti, miopi diplomatike apo këshilla këshilltarësh, që u ka mbetur ora në kohën e monizmit?! A jemi të gatshëm ne shqiptarët e shekullit XXI të humbasim territore për arsye të mikpritjes provinciale, që tregojnë disa krerë shtetërorë, qoftë edhe për armiqtë tanë, apo ata që nuk na e duan të mirën? Çfarë parimesh, veç nënshtrimit e servilizmit, ka sot real-politika dhe diplomacia shqiptare?! Ku është profesionalizmi? Sa peshë zënë simptomat e të drejtës për vetë-afirmim, kryeneçësisë dhe amatorizmi infantil në mbrapshtitë diplomatike shqiptare?!

Në takimin e djeshëm në Durrës të shtatë presidentëve të Ballkanit, duhej të ishte thirrur edhe Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu. Këshilltari i presidentit Moisiu, një fantomë e diplomacisë izoluese të kohës së monizmit në Shqipëri, Muhamet Kapllani, sqaroi për median se “Shqipëria nuk ka dashur që të paragjykojë statusin e ardhshëm të Kosovës në këtë proces të negociatave… ” prandaj dhe nuk është thirrur presidenti i Kosovës. Miopi politike! Veprim paranojak, që i shkon për shtat vetëm diplomacisë së kohës moniste, që fatkeqësisht karakterizon akoma krerë të shtetit shqiptar dhe diplomacinë tonë.

Presidenti i Kosovës, ashtu si edhe presidenti i Malit të Zi, është zgjedhur nga populli i vendit të vet përmes rrugëve dhe institucioneve demokratike. Nuk do të kishte asnjë impakt negativ, përkundrazi, nëse presidenti Sejdiu do të ishte dje në takimin e Durrësit, pavarësisht se ai në emër të popullit të tij kërkon Pavarësinë e Kosovës nga Serbia, ashtu siç bën dhe bëri edhe presidenti i Malit të Zi. Shqipëria nuk është në gjendje të paternalizojë statusin e ardhshëm të Kosovës dhe ta maskojë këtë paternalizim banal përmes justifikimeve bajate. Shqipëria e ka shumë të thjeshtë: diplomacia jonë duhet të mbështesë kërkesat e liderëve politikë të Kosovës dhe popullit të saj, në rrugën e tyre drejt pavarësisë, nëse krerët e shtetit tonë nuk duan që të bëjë atë që duhet – të jenë avokatë në mbrojtje të të drejtave të popullit të Kosovës për vetëvendosje.

Është për të ardhur keq, që në shtetin e sotëm shqiptar dëgjohen akoma kitara solo, që bëjnë muzikë vetjake të çakorduar për çështjen kombëtare, kur duhej të ishte e kundërta. Sot populli shqiptar është para një çështjeje themelore, siç është pavarësimi i Kosovës. Roli i Shqipërisë në këtë proces duhet të jetë i tillë, që të hapë rrugët e Kosovës drejt kontakteve me vendet e rajonit dhe më gjerë, dhe takimi i djeshëm ishte një rast i humbur për kosovarët, që në biseda bilaterale dhe më gjerë me krerët e shteteve fqinje, t’ju tregonin atyre përmes presidentit Sejdiu, se kosovarët janë njerëz të parrezikshëm dhe paqësorë, që s’duan asgjë tjetër veç atë pjesë të lirisë dhe të drejtave shtet-formuese, që gëzojnë popujt e tjerë të Ballkanit.

Kosova dhe pavarësia e saj nuk përbën asnjë rrezik për Ballkanin, përveç rrezikut që nuk i paguan më haraç Serbisë, siç ka qenë e detyruar të bëjë deri më 1999. Mirëpritja tradicionale shqiptare, që na ka sjellë kaq shumë humbje gjatë historisë, duhet të marrë fund një herë e përgjithmonë në afektimin e diplomacisë sonë. E keqja më e madhe për shtetarët shqiptarë është se ata janë akoma inferiorë dhe amatorë në politikat, që pretendojnë se luajnë.

Dhe në gërhamat e diplomacisë së mbrapshtë, të trashëguar nga diktatura komuniste, që e theu qafën në vitin 90-të; këto steriotipe të paçliruara nga ndjenjat e thella të inferioritetit dhe të nënshtrimit e servilizmit mjeran kundrejt të huajve, qoftë edhe kundrejt atyre që shprehin mendime të kundërta dhe punojnë kundër interesave shqiptare, paraqesin një rezistencë autonome tepër tipike, një kokëtrashësi fshatarake dhe një kryeneçësi paradoksale në marrëdhëniet bashkëpunuese ndër-institucionale, që duhet t’i karakterizojë marrëdhëniet diplomatike të një shteti modern. Shteti shqiptar vazhdon të jetë viktimë e paragjykimeve, që të tjerët mundohen të na induktojnë me ose pahir.

Ekspertët e diplomacisë nuk janë në Presidencën shqiptare. Nëse pretendojmë të ketë ndonjë ekspert apo profesionist në këtë fushë, gjë që e vë në dyshim se ata merren në konsideratë, ai/ajo duhet të gjendet në Ministrinë e Punëve të Jashtme, pavarësisht se edhe ministri i jashtëm shqiptar ka treguar shpeshherë shenjat e një sindromin plëngprishës “Homo Albanicus”.

Në kohën kur ministri i jashtëm Mustafaj pa një ëndërr pa mbret, por me një pavarësi të kushtëzuar për Kosovën – një version alla francez i zgjidhjes së statusit të Kosovës – shumë prej nesh u habitëm me këtë kokëfortësi të kryediplomatit shqiptar, i cili po bënte një politikë më vete, me ndjenjën delirante “folie de grandeur”, që ka të drejtë të thotë ç’të dojë, pa pyetur për mendimin e strukturave më me influencë në shtetin shqiptar. Tani, fatkeqësisht, stafetën e ka marrë presidenti Moisiu, i cili bën një gafë të pajustifikueshme, duke përjashtuar presidentin e Kosovës Sejdiu, nga pjesëmarrja në një takim krerësh ballkanikë.

Edhe vetë presidenti serb, Boris Tadiç, po të ishte pyetur publikisht, se a do të duhej të merrte pjesë në takim edhe presidenti Sejdiu, ai me siguri që do të kishte pranuar, pavarësisht se në ortodoksizmin e tij është ndjerë i privilegjuar për këtë goditje me dorën e tjetërkujt. Përjashtimi vjen këtë radhë nga presidenti bashkëkombës Moisiu – një dorë e zgjatur e padijes diplomatike. Dhe unë e parandiej hallin e madh që i kap udhëheqësit e Kosovës, sa herë kanë të bëjnë me drejtuesit menstrualë të shtetit shqiptar dhe kur zyrtarët miopë shqiptarë godasin, si padashje nga padija, interesat madhore të Kosovës.

Nuk paguhemi që t’i tregojmë me një artikull presidentit Moisiu, se ç’do të thotë ruajtje e interesave shqiptare në rajon, qoftë edhe me egoizëm, apo politikë më aktive në këtë drejtim, pa qenë nevoja të biem nën kthetrat e një patriotizmi patetik. Presidenti ynë i nderuar, që akoma mban këshilltarë me orë të vjetër, duhet të ndërrojë orën. Unë nuk e di nëse ai, si koka e parë e shtetit shqiptar, ka pyetur njerëz të tjerë për përjashtimin e Sejdiut nga takimi i djeshëm në Durrës, apo i ka mjaftuar vetëm influenca Kapllani? I sugjestionuar nga nami tymnajë i kohës së monizmit të këshilltarit Kapllani (ish-ministër i jashtëm), Mosiu shtoi një gafë në tendencën e politikës “aktive” të shtetit shqiptar në drejtim të çështjes së Kosovës.

Por t’i japësh fjalën presidentit të Malit të Zi, që në Durrësin antik të kërkojë pavarësi nga Serbia, në kohën kur kjo është më e rrezikshme për Federatën Serbi – Mali i Zi, ku Kosova nuk hyn fare, dhe të injorosh një president shqiptar, të një ish-krahine autonome shqiptare të ish-Jugosllavisë, kjo nuk më duket se ka arsye të justifikohet me fjalët që Kapllani tha për mediat. Nuk është në nderin e një presidenti shqiptar, që të bllokojë iniciativa shqiptare, apo përfaqësues të një populli shqiptar, për të arritur synimin e tyre politik. Koha do e provojë.

Kur Ramush Haradinaj, ish-kryeministër i Kosovës, pranoi të vetë-dorëzohej në Hagë, unë isha ndër ata njerëz, që luftëtarin e lirisë (pavarësisht gabimeve që mund të ketë bërë gjatë luftës) doja ta mbroja nga Haga, përkundër kakofonisë së drejtuesve politikë të shtetit amë, të cilët e inkurajuan Haradinajn për këtë veprim fisnik në interes të Kosovës. Arsyeja ime ishte e thjeshtë. Duke njohur gjyqet evropiane dhe drejtësinë që mund të afrojnë ato, unë kisha të drejtë të shprehja skepticizmin tim intelektual, ashtu siç bëjnë amerikanët me gjyqet evropiane. Leksioni për gjyqet evropiane tregon se, nuk do të thotë se merr të drejtë edhe kur ke të drejtë!

Në një shkrim në mbrojtje të Haradinajt, akuzat kundrejt tij, i konsiderova si “grusht turinjve Kosovës”. Dhe ndonëse Haradinaj gjykohet në “liri”, atij do i duhet ta blejë këtë liri tepër shtrenjtë. Mbrojtja e tij kushton 10,5 milionë Euro. E ku ta gjejë Ramush Haradinaj, apo populli i dërrmuar i Kosovës, një shumë kaq marramendëse parash?!

Në rrafshin e politikës pro dhe për Kosovën, politika shqiptare, duhet të përdorë çdo element, qoftë edhe simbolik, në drejtim të avancimit të statusit të Kosovës drejt pavarësisë. Rasti i fundit tregoi mungesë të plotë simpolizmi dhe diplomacie. Le të supozojmë një tërheqje litari. Serbët tërheqin njërën anë, atë të mosnjohjes së një Kosove të pavarur – gjë që e deklaroi edhe në Durrës presidenti serb Tadiç. Shqiptarët tërheqin anën tjetër, atë që të çon drejt një pavarësie të plotë dhe pa kushte. Nëse shteti shqiptar, nga pas-krahëve të Kosovës, nuk tërheq, por shkurajon diplomatikisht kosovarët për lëshime, për mospjesëmarrje në forume diskutimi, për … atëherë ku do e ketë mesin litari? Mua më duket se kështu, mesi i litarit të interesave të Kosovës do të mbesë përsëri në anën serbe, gjë për të cilën krerët shqiptarë nuk duhet të punojnë.

Arben Çokaj, 29.04.2006.

Botuar në: Gazetat Bota Sot | Illyria | Koha Jonë | Standard

PËRGJIGJU

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu