Kur rracat ndërthuren… | |
|
A janë paragjykimet e njerëzve apo gjenet, ato që përcaktojnë sjelljet e njerëzve në rraca të ndryshme, në marrëdhëniet e tyre me njëri-tjetrin? Një pikëpyetje që të bën të mendosh… — Histori të vërteta, të kthyera në tregime. |
Kidnapimi
Svetlana Stankoviç, e shoqja e Gjorgjos, punonte si mjeke-gjinekologe në spitalin qendror të Prishtinës. Kishte shtatë vjet e martuar me Gjorgjon, dhe akoma nuk kishin fëmijë. Defekti ishte i saj duket, pasi në rastin se faji do të ishte i Gjorgjos, atëherë do i gjendej rruga disi. Gjorgjoja e donte shumë gruan e tij dhe nuk kishte ndërmend ta linte, megjithëse ajo nuk bënte fëmijë. Kishin një jetë të qetë e me beneficione të tjera, se jetonin si kolonizatorë të provincës shqiptare. Gjorgjoja vetë punonte si komandant milicije në qarkun e Prishtinës.
Në vitin 1973, një grua shqiptare nga një fshat i Drenicës pati komplikacinone të mëdha në lindjen e fëmijës së vet të parë. Kjo lindje ishte duke i marrë jetën gruas së re, po të mos kujtohej njëri nga kushërinjtë, që ta dërgonin atë që të lindte në maternitetin e spitalit të Prishtinës. Ishte një rrugë e gjatë, rreth 2-3 orë me makinë, nga ai fshat malor deri në spital, por gruaja vlente më shumë se sa ky shqetësim udhëtimi. Ajo ndjehej tepër keq.
Sapo mbërriti në spitalin e Prishtinës, gruan e re e dërguan për në sallën e operacionit. Do i bënin një prerje çezariane, që të mund t’ia nxirrnin fëmijën, pasi ajo kishte gjakderdhje të madhe. Dhe gjinekologia Svetlana Stankoviç, pati një rast ideal, për të fshehur diçka, me ndihmën e personelit serb të spitalit.
Familja e gruas së re nga fshati i Drenicës, u lajmërua se gruaja shpëtoi, është akoma në koma, por besohet se do të mbijetonte.
– Po fëmija? – pyetën familjarët.
– Fëmijën nuk mundëm ta shpëtonim… – ua ktheu Svetlana.
Svetlana ishte kujdesur, që gruaja e re të rrinte rreth 4-5 ditë në gjumë me ilaçe, që kur të zgjohej, të ishte më i lehtë justifikimi i fëmijës së humbur. Dhe kështu ia doli në krye, pa shumë shqetësime, që ta gënjente edhe gruan e re, se fëmijën e kishte humbur. Ndjenja e nënës nuk e pranonte humbjen e një fëmije në një rast të tillë, dhe gruaja e re, sapo u zgjua, filloi të kërkonte fëmijën e vet, që t’ia vinin përpara në gjoks. Ajo u hakërrye, qau me të madhe, por fjalët e gjinekologes serbe ishin të ftohta dhe të vrazhda.
– Fëmijën tënd e kemi hedhur në bërdhok… – i tha Svetlana gruas së re.
– Si? Ma keni tretur fëmijën? – gërthet gruaja.
– Po, ai lindi i vdekur. Prandaj i ke patur gjithë ato probleme ti. Fëmija të kishte vdekur në bark.
– Nuk ka mundësi! – insistoi gruaja e re. – Unë e kam vërejtur tek luante në bark…
– Atëherë ka vdekur gjatë rrugës për në spital. Pak i duhet një fëmije që të vdesë. Po ku kuptoni ju nga këto punë, të gjithë të trashë jeni… – përfundoi Svetlana.
Kur doli nga materniteti, gruaja e re i tha burrit të vet, se nuk besonte që fëmija i kishte vdekur. Dhe burri shkoi përsëri në maternitet dhe u interesua tek mjekja Svetlana. Këtë radhë, mjekja ishte më e qetë dhe u tregua më taktike, pavarësisht mungesës së respektit, që kishte për shqiptarët, për të mos thënë urrejtjen ndaj tyre. Ajo i shpjegoi me fjalë më të zgjedhura e të ndërlikuara, fshatarit drenicar, se si fëmija kishte vdekur, megjithëse ajo si mjeke kishte bërë të pamundurën për ta shpëtuar atë.
– Kjo është detyra ime, në fund të fundit, të shpëtoj jetë njerëzish, – vazhdoi Svetlana dhe e pyeti – A ke dëgjuar ti për Hipokratin?
– Jo, – iu përgjigj fshatari, i cili kishte kryer vetëm filloren.
– Hipokrati është babai i mjekësisë dhe ne mjekët kur përfundojmë shkollën, betohemi para babait, se ne do bëjmë të pamundurën që të shpëtojmë jetën e njerëzve. A e thyen ti besën, që ia jep babait tënd? – pyeti përsëri Svetlana.
– Jo, kurrë jo! – iu përgjigj fshatari.
– Gruaja juaj ka qenë e shokuar, dhe çdo nënë kur humbet birin e vet, ashtu ndjehet, nuk don të besojë. Por ti shko në shtëpi, dhe tregoj gruas tënde, se fëmija ka vdekur. Beso në fjalët e mia – përfundoi Svetlana.
Dhe fshatari i shkretë ashtu bëri. Shkoi në shtëpinë e tij, në fshatin malor të Drenicës, dhe i tha gruas së tij, e pjesëtarëve të familjes, se fëmija kishte vdekur para se të lindte.
– Xhinekollogia, Vetllana a ku di unë ç’a, m’tha mue se ajo asht betu babait, Titogradit a s’e di pasha besen, se kurrë nuk do t’rrente, – sqaroi fshatari familjen e vet.
Para këtyre fjalëve të mëdha e me besë, familja heshti dhe pranoi kështu humbjen e fëmijës.
* * *
Djali shqiptar nga fshati i Drenicës, u pagëzua me emrin Zheljko, disa javë pas lindjes, në një kishë ortodokse serbe, si fëmija i Gjorgjo Stankoviçit. Svetlana u bë me djalë, më në fund. Atë që Zoti nuk ia kishte dhënë, ajo arriti ta merrte me marifetet e saj, si gjinekologe në spitalin e Prishtinës.
Zheljko u rrit me kalimin e kohës, kreu shkollën e mesme në Prishtinë, dhe shkoi për studime në një shkollë ushtarake në Beograd. Kur filloi lufta në Jugosllavi, ai ishte ndër trupat speciale, që ndihmuan forcat lokale serbe në shfarosjen e boshnjakëve, si dhe luftën në Slloveni e Kroaci. Por në fund i erdhi radha Kosovës. Makina vrasëse e Millosheviçit po shënonte edhe ditët e fundit të saj. Shqiptarët e Kosovës e ndjenin këtë, që në egërsinë më të madhe të kësaj armate gjakatare, të kësaj bishe të egërsuar, është e hapur edhe një mundësi, një shpresë më shumë, për fitore.
Ushtria Çlirimtare e Kosovës, në aksionet e saj, pati sukses edhe në kapjen gjallë të komandantit të milicisë së Prishtinës, Gjorgjo Stankoviçit. E vrau me të parën, pasi ai nuk pranoi të bashkëpunonte. E shoqja e Gjorgjos, Svetlana, punonte akoma në spital si gjinekologe. Nuk kishte ikur nga Prishtina, për arsye se burrin e kishte me punë aty, e s’mund të largohej, dhe i biri i tyre, Zheljko, merrte gjithashtu pjesë në fushatat e paramilitarëve serbë kundër popullsisë shqiptare të Kosovës.
Shumë shqiptarë kish vrarë Zheljko me dorën e tij, shumë herë kishte qenë dëshmitar i përdhunimeve masive, apo djegies së shqiptarëve, të lidhur rreth mullarit të sanës, e shumë krime të tjera monstruoze. Zheljkos i duhej të tregohej sa më i rreptë, ndonëse nuk shihte ndonjë arsye të madhe logjike, në zbatimin e urdhrave nga lart, por për këtë punë, ai e kishte kryer edhe shkollën ushtarake. “Urdhri zbatohet, nuk diskutohet!” – kishte mësuar ai në shkollë, që në vitin e parë.
I rritur me një urrejtje të madhe për shqiptarët, si serb i Kosovës, Zheljko nuk kishte si ta dinte, se ai i përkiste pikërisht kësaj race, të cilën ai sot po e persekutonte.
Kur mori vesh se Gjorgjon e kishin kapur, e pastaj e kishin vrarë, ai u tërbua fare. Mori leje dhe u nis direkt për në shtëpi, për t’iu gjendur pranë nënës së tij, Svetlana, dhe për t’iu përbetuar asaj, se ai do ia merrte hakun të atit, duke e shfarosur plotësisht racën shqiptare nga faqja e dheut.
Sapo hyri në derë, Svetlana bërtiti:
– Jashtë qen i ndyrë, i kësaj race të ndyrë!
Zheljko u hutua. U afrua të përqafonte përmallshëm të ëmën, por ajo rrëshqiti dhe u fut në dhomën e gjumit, nga ku doli shumë shpejt me një automatik në dorë. Ia drejtoi Zheljkos, dhe duke sharë e bërtitur me ekzaltim, ajo deshi ta vriste atë. Por Zheljko i mësuar me këto punë, arriti t’ia shtrembërojë drejtimin tytës së automatikut, i cili shkrehi një breshëri në murin përballë të korridorit. Ciflat e suvasë u shpërndanë sa andej-këtej nëpër korridor nga plumbat.
Nuk kishe shumë kohë të mendoje aty. Zheljko e kapi nënën e vet Svetlana, ia largoi automatikun nga duart dhe ia mbajti duart të lidhura fort. Pastaj e afroi afër vetes dhe duke qarë u mundua ta ngushëllonte. Për një moment, Zheljko mendoi se e ëma ishte shokuar nga tragjedia, që i kishte ndodhur Gjorgjos, e nuk dinte ç’të bënte. Por jo, shumë shpejt ai do e merrte vesh të vërtetën, pasi Svetlana vazhdonte të shante e të bërtiste në gjuhën e saj.
– Racë e ndyrë, jua kemi parë sherrin gjithë jetën, më lësho! – thërriste ajo me zë të lartë.
– Çfarë po thua moj nënë? – i thoshte Zheljko.
– Atë që po dëgjon! Ik shporru, racë e ndyrë…
– Për kë e ke fjalën? – pyeti Zheljko i habitur më shumë se kurrë.
– Edhe për ty… – vazhdoi Svetlana, që në moment i thirri mendjes dhe filloi të ulte tonin.
– Po ç’ne unë? – filloi t’i lindte dyshimi Zheljkos.
– Po ja, si ta them… – dhe Svetlana heshti. Por la diçka të nënkuptohej.
– Ti deshe të më vrasësh – këmbënguli Zheljko. – Pse?
Pasoi një heshtje e shkurtër. Svetlana deshi të largohej nga krahët e fuqishëm të Zheljkos, por ai nuk e la.
– Më trego të vërtetën! – i tha ai me këmbëngulje asaj.
Duke qenë se Zheljko ishte ushtarak, dhe Svetlana ia njihte mirë kokën, nga presioni i tij, ajo nisi të rrëfehej. Zheljkos filloi t’i rrotullohej shtëpia, iu kujtuan krimet e mëdha, që kish bërë kundër popullit të vet këto muajt e fundit, dhe i çoroditur ekstremisht, u ngrit në këmbë, mori në dorë automatikun, dhe nuk dihet më se çfarë bëri.
Kur trupat e NATO-s hynë në Kosovë, dikush nga shqiptarët hyri në shtëpinë e shkaut, komandantit të milicisë, Gjorgjo Stankoviç. Aty gjeti Svetlanën të bërë shoshë nga plumbat e automatikut, me trupin gjysmë të dekompozuar, dhe të birin e saj me një vrimë plumbi në gushë, i cili i kishte depërtuar përmes kokës dhe e kishte lënë të vdekur në vend.
Mbi tavolinën e kuzhinës, u gjet një letër e shkruar në shqip, gjysmë e shkarravitur: “Unë jam shqiptar! Më falni o vëllezër për dëmin që ju kam sjellë… Zheljko”.
________________________________
Arben Çokaj, Dhjetor 2002