Thjeshtëzimi i adresave dhe numri postar

0
1695

Nga Arben Çokaj, 10.05.2006

Në faqen e internetit të Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit (MPPTT) gjejmë fjalën e ministrit Basha lidhur me strategjinë e zhvillimit të postës shqiptare. Fjala e ministrit është e shkurtër dhe ngre disa pikëpyetje në formë retorike, aq sa ç’mund të thuhet në një fjalë ministri, për një rast të caktuar.

Në fillim ishte fjala! Pas saj vjen veprimi, ose strategjia… Posta shqiptare nuk e ka vështirë të përcaktojë një strategji zhvillimi, duhet veç vullneti, pasi mjafton t’u referohesh vendeve të zhvilluara dhe nga përvoja e tyre në këtë fushë, mund të përcaktohen edhe linjat e duhura, se në ç’drejtim duhet të ecë zhvillimi i postës shqiptare. Dhe për të respektuar normat e zhvillimit në një ekonomi tregu, duhet të kuptojmë se edhe zhvillimi i postës duhet të respektojë këto norma dhe kritere ekonomike, për më tepër që ajo duhet të operojë në parametrat e një sipërmarrjeje private. Pavarësisht se cila është dhe mund të jetë statusi i postës shqiptare, drejtuesit e saj duhet të jenë të interesuar për vendosjen e këtij institucioni mbi baza moderne të zhvillimit që kërkon koha.

Si në çdo fushë tjetër të zhvillimit të ekonomisë në shtetin shqiptar, si çdo gjë e trashëguar nga koha kur shteti i kishte futur duart çdo institucioni (dhe shteti tek ne vazhdon t’i ketë duart e gjata), edhe posta shqiptare trashëgon një prapambetje të tillë, saqë vepron disi jashtë kohe. Dhe padashur të hyjmë në kritere ekonomike të fitimit dhe aseteve që ka posta e sotme shqiptare, veprimtarisë së saj, duhet ajo t’i shpërndajë apo jo gazetat etj. duhet t’i bëjmë një pyetje vetes, sa e besueshme dhe e sigurtë është sot posta shqiptare? Nëse dërgon një letër përmes saj, në varësi të vlerës dhe rëndësisë që ka letra, a shkon ajo në destinacionin e duhur, në kohën e duhur? Në traditën e saj, posta shqiptare nuk shfaqet se ka ofruar një shërbim të besueshëm…

Ministri Basha përmend dy gjëra themelore në fjalën e tij, saktësimin e adresave dhe numrin postar (ose kodin postar), ndërsa kredibilitetin dhe mbarëvajtjen e punëve ua lë në dorë drejtuesve të postës. Duke u nisur nga ndarja e detyrave sipas pushteteve dhe institucioneve në këtë rast, duhet thënë se saktësimi i adresave dhe krijimi i një kodi (numri) postar ka rëndësi kombëtare. Me një buxhet të përcaktuar nga MPPTT dhe në bazë të një bashkëpunim ndërinstitucional me pushtetin vendor, nën një mbikëqyrje dhe interes nga financuesi, pa ia hedhur fajin apo ngarkesën e punës askujt, por ku secili merr përsipër detyrimet që ka, qytetarët shqiptarë mund të marrin frytet e një pune të domosdoshme: vënien e shërbimit postar mbi baza bashkëkohore.

Adresat duhet të jenë të sakta, të thjeshta, që mbahen mend lehtë nga qytetarët, ndërsa numri postar bëhet i domosdoshëm për modernizimin dhe lehtësimin qoftë të adresës, por edhe të punës për shpërndarjen e postës. Çështja e besueshmërisë është një kriter i domosdoshëm morali, që posta shqiptare duhet ta shohë me përparësi, pasi dërgimi i postës në rregull, është një virtyt i respektuar për shekuj me radhë nga shërbimi postar në vendet e perëndimit.

Thjeshtëzimi i adresave

Në kohët e sotme, është bukur të jesh i thjeshtë. Përkundër dëshirës së shumë shqiptarëve për të qenë të ndërlikuar, që duket se u jep atyre një tendencë vetë-rëndësie apo madhështie, në vendet e perëndimit, thjeshtëzimi dhe paraqitja e gjërave sa më qartë është më trendi. Adresat e internetit në Shqipëri, qoftë edhe për disa gazeta qendrore, në vend që të jenë veç emrit edhe prapashtesa .al (shkurtesa e vendit dhe tërheqje nga nacionalja), ato marrin orientalisht edhe shtesën e ndërmjetme .com (komerciale), gjë që është e panevojshme dhe nuk përdoret në vendet e perëndimit. Psh. gazetat në Gjermani e Danimarkë kanë vetëm prapashtesën .de ose .dk pas emrit të gazetës.

Këtyre dy vendeve do u referohem për të treguar edhe thjeshtëzimin e adresave postare (tokësore). Nëse domain-emri në internet përcaktohet sipas dëshirës së klientit dhe mundësisë, adresa tokësore përcaktohet nga një rregull i përgjithshëm, i vënë nga një institucion shtetëror. Adresa postare në Gjermani paraqitet më thjeshtë, në krahasim me disa vende të tjera të zhvilluara të Evropës, përfshirë edhe Danimarkën. Kjo s’do të thotë se vende të tjera nuk e kanë po kaq të thjeshtësuar adresimin. Për të arritur në një sistem të tillë adresimi, duhet më parë të përgatiten disa parakushte.

Secila shtëpi apo ndërtesë e banuar në Gjermani është e pajisur nga një kuti postare në hyrje të saj, ku shënohen edhe emrat përkatës. Ky është një detyrim i vënë nga posta, e cila nuk merr përsipër dorëzimin e postës, nëse nuk e gjen një kuti postare në hyrje të adresës me emrin e marrësit. Pra, posta gjermane e bën shpërndarjen e postës më të lehtë për punonjësit e saj. Prandaj, adresa postare në Gjermani paraqitet në dy rreshta:

Emri i rrugës + numri (pa shkruar nr.)
Kodi postar + Emri i qytetit apo fshatit

Një adresë në Gjermani mund të jetë:

Dieselstrasse 100
DE-60555 Frankfurt am Main

që mund të mbahet mend mjaft lehtë (përveç kodit postar!)

Para kodit postar mund të shënohet shkurtimi i emrit të shtetit (për Gjermaninë DE), dhe kur letra dërgohet nga jashtë Gjermanisë, mund të shtohet në fund edhe emri i Gjermanisë (rreshti i tretë). Ky përcaktim adresash është uniformë, i njëjtë si për fshatin ashtu edhe për qytetin.

Në Danimarkë, postieri dhe shpërndarësi i gazetave duhet të hyjë në pallat (pra, të pajiset me gjithë çelësat e pallateve të lagjes – se dyert e pallateve janë me çelës, gjë që ka filluar të aplikohet edhe tek ne) dhe ta dërgojë postën deri në hyrjen e apartamentit. Por danezët i bien më shkurt se shqiptarët. Në vend që të shkruajnë Pallati kaq e aq, Shkalla kaq apo aq, danezët marrin shembull nga gjermanët dhe shkruajnë:

Emri i rrugës + numri (pa shkruar nr.) + kati (me shifra romake ose latine) + drejtimi (majtas ose djathtas, me shkurtime).
Numri postar + qyteti + emri i lagjes (shkurt), ose emri i fshatit

Një adresë në Danimarkë mund të paraqitet:

Tuborgvej 15, IV th (sqarim: kati i katërt djathtas)
2300 København NV (sqarim: Kopenhagë Nord-Vest (veri-perëndim))

Ndryshimi është i thjeshtë për t’u kuptuar. Ne shqiptarët duhet të fillojmë me emërtimin e rrugëve… pastaj të krijojmë një rregull të përgjithshëm, ashtu siç mund të duket më e lehtë.

Numri postar

Numri (kodi) postar është një numër që i korrespondon një lagjeje të caktuar, një fshati apo një zone, në varësi të shtrirjes gjeografike apo numrit të banorëve. Numri postar duhet të caktohet nga vetë drejtoria e postave për lehtësi manovrimi në shpërndarjen e postës. Kjo është diçka që duhej të ishte bërë me kohë, por duket se kushdo që hyn në punë në shtetin shqiptar, i mjafton të bëjë punën që ka dhe frikësohet nga zhvillimet e reja, të cilat nuk i njeh mirë dhe që mund t’i hapin “telashe” me eprorët… Duket se edhe drejtuesit e postës shqiptare kanë rënë viktimë e këtij paragjykimi, ose duhet të besojmë se zhvillimi vjen ngadalë për disa njerëz.

Se kush e merr përsipër për të reformuar sistemin e shërbimit postar, duke krijuar lehtësi mjaft të preferuara për qytetarët shqiptarë dhe lehtësi manovrimi në shpërndarjen e postës për vetë Postën Shqiptare, dhe kur do të bëhet kjo gjë e mundur, mbetet për t’u parë, si shumë gjëra të tjera që duhet të ndryshojnë për mirë. Veç mungesës së emërtimeve të rrugëve dhe saktësimit të adresave, në Shqipëri kemi edhe toponime në gjuhë të huaja, të cilat kanë ardhur si rezultat i pushtimeve të huaja, dhe fatkeqësisht nuk janë parë seriozisht nga shteti, që të shqipërohen, as në kohën e komunizmit dhe as tani në vitet e tranzicioni demokratik.

Fatkeqësisht, shqiptarëve në përhumbjen e tyre të përditshme, u duket qesharake të merren me gjëra të tilla që tregojnë shkallë civilizimi dhe respekt për vetveten. Të mos u vëmë faj apo hakërrehemi atyre që nuk dinë më mirë. T’i japësh vetes një adresë të saktë, të rregullosh dhe adresosh rrugët e vendit tënd, është një shenjë parësore civilizimi, ashtu siç janë të domosdoshme edhe tabelat treguese në rrugët nacionale, sidomos për vizitorët e huaj.

Në fund të këtij shkrimi, pyes veten, çfarë na pengon të jemi si të tjerët, të jemi të barabartë? A mos ne vetë nga neglizhenca apo efekte të apatizmit, po e frenojmë të drejtën tonë për të qenë të zhvilluar, për të qenë evropianë?!

Dërguar për: Gazetat Koha Jonë, Standard, Shekulli

LEAVE A REPLY

Ju lutem, lini komentin tuaj!
Ju lutem, fut emrin tuaj këtu