Lehtësia më e papërballueshme e vrasjes

0
911
Refugjatët e luftës

Nga Arben Çokaj, 18.06.2003

Nuk besoj të ketë gjallesë mbi tokë, që është kaq agresive dhe kaq e paarsye në eleminimin brenda llojit, sa ç’është njeriu. Përkundër gjallesave tjera, Evolucioni e ka pajisur njeriun me ndërgjegje për të zezën e vet. Dhe më shumë vuajnë si duket nga smira, zilia, inati, urrejtja e inferiorioteti, pikërisht ata, që evolucioni, dhe kushtet ekonomiko-shoqërore, i kanë lënë me më pak tru në kokë. Gjithmonë kërkohet ajo që mungon dhe çmimin më të lartë në këtë rast e paguajnë padyshim njerëzit e mirë, dhe ata që posedojnë tru. Të mençurit e vuajtur… “Më mirë një derr i kënaqur, apo një Sokrat i brengosur?” – kjo vazhdon të jetë pikëpyetja e madhe…

Ironia evolucioniste e fatit e ka bërë njeriun me ndërgjegje, por të paaftë të dominojë gjithçka me forcën e trurit të tij, me ndërgjegjen e tij. Pra, shumë gjëra, njeriu nuk i ka vetë në dorë. Si gjithçka tjetër, kjo ka anën e mirë dhe të keqe të saj. Njëra anë e medaljes, ka anën tjetër. Përkundër trurit të plotë dhe një mendjeje të kontrolluar mirë, trutharët na paraqiten më të manipulueshëm. Kjo duket se është edhe shkaku i shumë fatkeqësive, që qëniet ‘njerëz’ i shkaktojnë njëri-tjetrit në botë.

Një biolog amerikan shpjegonte para pak vitesh, se një lloj i ri i shoqërisë njerëzore është në krijim e sipër, duke i lënë shëndenë llojit të traditës. Homo Proteus, (përkundër Homo Sapiens-it, njeriut të deri tanishëm) quhet ky lloj i ri, që paraqitet më i qëndrueshëm në seleksionimin ndërmjet llojeve. Dhe ky nuk është film fantastiko-shkencor, por është trend i evolucionit… ashtu siç është edhe dhjamosja e njerëzve… Homo Proteus gënjen pa iu skuqur fytyra, vret me gjakftohtësi, poshtëron dhe fajin mundohet t’ia lërë viktimës… e shumë tipare e karakteristika të tjera, që njeriu i traditës, si qënie njerëzore, ka filluar t’i bëjë të vetat, për të mbijetuar në ligjin e xhunglës së natyrës.

Dhe ne ndjejmë si rrjedhojë nostalgji për të kaluarën e ikur, dhe pasiguri të madhe për të ardhmen. Jo gjithçka varet nga ne, jo gjithçka është në dorën tonë. Na krijohet përshtypja se bota degradon dhe vjen e bëhet gjithnjë e më e keqe. Dhe truri i mangët e difektoz, në të shumtën e rasteve ka bërë historinë. Njeriu si qënie socializante zhvillohet në konkurrencë brenda llojit. Njeriu pra, me trurin e tij si organin me zhvillim më të lartë në botën tonë, determinon edhe sfidat e së ardhmes, pa qenë në gjendje të shkëputet nga instiktet bazë të tij. Sa më i mangët të jetë truri, aq më shumë i hapet rruga instikteve. Ndërsa një tru i fortë kontrollon veten, pra kontrollon instiktet, truri i dobët e mbush boshllëkun biologjik për kompensim, me epshet e instikteve bazë, sidomos atij seksual dhe agresiv.

Për vetë natyrën e njeriut, luftërat nuk do shuhen kurrë. Çdo inovacion shoqëror e teknologjik, jep rezultate nga ana negative si fillim. Kështu ishte psh. krijimi i bombës atomike, asaj me hidrogjen, etj. para se këta burime të mëdha energjie të shfrytëzoheshin për të mirën e njerëzimit. Njeriu i mençur prodhon, dhe virtytin e punës së tij, ashtu edhe profitin e saj, e merr njeriu me tru të mangët. Kjo bashkëjetesë misterioze (për të mos thënë mizore), e krijuar ashtu siç është, ka në themel një padrejtësi. Puna e mirë dhe energjia e njeriut të mençur shfrytëzohet nga budallai. Dhe njeriu i mençur, duke e kuptuar këtë, ka filluar të mendojë për ligje e rregulla, që të mbrojë rezultatin e punës së tij.

Në këtë kompleksitet njerëzor, është vështirë t’i ndash gjërat me thikë. Kjo ka mundësi të jetë edhe arsyeja, që spjegon faktin se sa më i evoluar të jetë njeriu, aq më mirë di ai t’i krijojë rrethana vetes. Përmes krijimit të ligjeve shoqërore, në përshtatshmëri me ligjet e natyrës. E keqja këtu shfaqet me ato individë, që nuk kanë tru, por marrin poste drejtuese, ose determinojnë dhunshëm fatin e jetës së të tjerëve. Për më tepër, njerëz pa tru (bëhet fjalë për njerëz deficientë e me tru të mangët), përcaktojnë shpeshherë drejtimin dhe ritmin e zhvillimeve në tërë shoqërinë.

Në planin e përgjithshëm, ky zhvillim ndeshet gradualisht në kundërshti me ligjet e natyrës, e si rrjedhojë është i destinuar të vdesë, pasi natyra është më kokëfortë. Ne e pamë këtë, me sistemin shoqëror komunist. Njerëzit në shoqëritë komuniste, që përbënin gjysmën e botës, morën të kundërtën e asaj që premtohej se do të merrnin nga ky sistem i “drejtë”. Dhe projekti “komunizëm” nxorri shenja, se është i dështuar, që në nisje. Por shoqëria ishte e paaftë të ndalte me kohë rrjedhat e zhvillimeve negative, derisa vdiq për bukën e gojës, se pushteti posedohehj nga injorantët dhe të indoktrinuarit. Edhe sot vazhdon akoma të përsëritet një gabim i tillë në Evropë. Kjo falë bindjeve dhe ideve të politikanëve evropianë, të cilët më së shumti janë shkëputur nga realiteti objektiv – ata nuk jetojnë me hallet e njerëzve, me hallet e shoqërisë.

Në kompleksitetin e zhvillimit shoqëror, ndikojnë shumë faktorë. Qënia e papërgatitur mirë për të përbadhuar mbijetesën, e gjen ngushëllimin tek veset e këqia, dhe shpeshherë ai fillon të eleminojë njerëzit e tjerë më të aftë, afër vetes. Kështu e siguron ai ekzistencën e përkohëshme. Por s’ka dyshim, se përzgjedhja e nënës natyrë ruan një të fshehtë edhe për fatin tragjik të atij që vret. Mungesa e trurit në vetvete, përbën aktin e lehtësisë së papërballueshme të vrasjes, të asaj që ne shqiptarët e shohim dhe e ndeshim përditë, nga paaftësia jonë për të mbrojtur vetveten. Në pjesët e zhvilluara të botës, ky akt barbar shfaqet disi më i moderuar, por ka të njëjtën natyrë dhe të njëjtin përfundim. Përsëri shoqërohet me vrasje.

Në shoqërinë ndërshqiptare, jemi ndeshur këto vitet e fundit me gjëra të papëlqyeshme, por krahas tyre edhe me rezultate pozitive. Përqindja e lartë e vrasjeve dhe krimeve të tjera, tregon se shoqëria shqiptare nuk ka mundur akoma të vërë kontrollin e trurit përmes ligjeve, mbi epshet e instiktit agresiv të eleminimit ndërmjet llojit. Eleminimet bëhen për konkurrencë, pse të mos themi për para, pushtet, interes. Qënia inferiore, e manipulueshme në llojin e vet, përdoret më së shumti për të kryer aktet e vrasjes. Aq i vogël është ky tru, saqë të mahnit me çmendurinë dhe paburrërinë e tij. Aq pak njohje ka ky tru, që kryen këto veprime makabre, saqë të habit vërtetë se si ia merr mendja të mbijetojë… As nuk i shkon mendja fare për nemezis – ç’ke bërë, kanë për ta bërë. Dhe falë injorancës, jeta e njeriut të mirë, shpeshherë të mençur e të suksesshëm, shkon për dhjam qeni.

Duke vrarë e prerë, serbët e vjetër uzurpuan Kosovën e vise të tjera shqiptarësh për dekada e shekuj me radhë. Aq gjatë na mbajti ne turku nën pushtim, saqë shumë prej nesh (shqiptarët) i kemi të atrofizuara edhe sot ndjenjat e mbrojtjes së vetvetes. Aq më tepër, se dalin tru-shpërlarë dhe e mbrojnë si diçka me vlerë këtë lloj pushtimi… Por si çdo gjë e huaj, dhe e padëshirueshme, edhe pushtimet ikin gradualisht, duke marrë me vete një numër të pashkruar jetë njerëzish. Kështu ndodhi edhe me “tërmetin” e fuqishëm në Kosovë. Paragoditjet e tij vranë njerëz, po ashtu edhe pasgoditjet e tij. E veçanta e pasgoditjeve ishte eleminimi brenda llojit. Shumë shqiptarë të mençur e të vyer u eleminuan nga kokëtrashët, pasi Kosova kishte arritur paqen. Sot u kërkohet kosovarëve të bisedojnë me xhelatin e tyre… Serbët e rinj janë një rracë e re, me të cilët mund të bisedohet… A nuk duket ironik, ky trill i fatit?!…

Dialogu me serbët duket i pashmangshëm, më tepër nga fakti se intermediatorët ndërkombëtarë nuk i shohin me ndjenjë zhvillimet në Kosovë, qoftë për keq, qoftë për mirë. Nga ana tjetër, dialogu artikulon një mundësi marrjeje vesh ndërmjet palëve me interesa dhe dëshira të kundërta. Por ajo që e bën disi të pakuptimtë dialogun, është vetë natyra e problemit dhe kërkesat e kundërta të palëve. Shqiptarët duan me të drejtë pavarësi – ky është vullneti i popullit të Kosovës. Serbët nuk duan që Kosova të ikë, se i ka mbajtur me bukë. A mos ndoshta synohet që përmes bisedimeve të arrihet një shkallë kuptueshmërie tek serbët e rinj, se Kosova nuk është më pjesë e ish-Jugosllavisë? Apo mos ndoshta do ndeshemi me të papritura, që këta evropianët dinë t’i servirin çdo herë në ditën e zezë? Për gjithçka duhet të jemi të përgatitur, në mënyrë që forca e trurit të kontrollojë veprimet në interesin tonë. Kjo duhet të bëhet për të shmangur pasojat nga akti i lehtësisë së papërballueshme të vrasjes…

Në Shqipëri, kohët e fundit po vriten biznesmenët e suksesshëm shqiptarë. Bolla e zezë interesohet t’i varfërojë edhe më shqiptarët. Kjo bollë e zezë, është shtrirë brenda nesh, dhe po këputën në mes jetën e njërit dhe tjetrit. Historia ka treguar, se askush nuk mund të jetë imun ndaj këtyre akteve kriminale. Dikur këto gjëra do i lexojmë nëpër libra si skena intrigante, ashtu siç lexojmë tragjeditë e botës, të shkruara me gjakun e derdhur… Dhe njeriu i përkohshëm në ekzistencën e vet, vazhdon të jetë pré e mungesës së trurit të tij, ose më saktë e kontrollit që ky tru, ndërgjegjia njerëzore, duhet të vërë mbi epshet e instikteve agresive.

Publikuar në:
QIK – opinione | Gazeta “Albania”, Tiranë |
Gazeta “Illyria“, New York.

Dërguar për:
Gazeta “Shekulli“, Tiranë, 18.06.2003

PËRGJIGJU

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu