Në vitet 80-të, një dimër i acartë në Shkodër. Kishte rënë shumë dëborë. Kushdo që kalonte rrugicave të Shkodrës rrezikonte të gjuhej me topa dëbore, aq më tepër vajzat. Shkodranët hokatarë, me topat e dëborës, gjenin rastin për të shprehur në mënyrë indirekte edhe intensionet e tyre të heshtura kundrejt vajzave…
Jozefina Topalli (Çoba) trashëgon traditat më të mira të një familjeje fisnike e të pasur shkodrane, e cila ndonëse jetoi nën një diktaturë të egër, diti të ruajë mirë nderin, dinjitetin dhe fisnikërinë, duke i përcjellë këto cilësi edhe më tej në brezat pasardhës. Familja e Jozefinës vajzë (Çoba), ashtu si edhe familja ku Jozefina shkoi nuse (Topalli), kanë qenë familje të kamura dhe të respektuara në Shkodër. Për këtë arsye, ato u persekutuan në mënyrë selektive nga regjimi komunist në Shqipëri.
Traditat patriotike, atdhedashëse dhe shtet-formuese të familjes, Jozefina mundohet t’i përçojë më tej, me kontributin e vet, edhe në kohët e sotme. (Kujtojmë se gjyshi i Jozefinës ka mbajtur fjalën e hapjes së parlamentit të parë shqiptar.) Karakteri, fisnikëria dhe roli drejtues në shoqëri trashëgohet, ashtu si çdo gjë tjetër. Këto vlera morale dhe cilësi njerëzore nuk janë shuar për dekada me radhë, edhepse regjimi komunist i përdori të gjitha mjetet për të shuar fisnikërinë e familjeve më në zë të Shqipërisë.
Zonja Topalli nuk ka shfaqur asnjëherë urrejtje kundër krahut të majtë politik, as kur ishte në opozitë, as tani në rolin e Kryetares së Kuvendit të Shqipërisë. Por ajo nuk mund të rrijë pa mbështetur fuqimisht politikat që ajo beson. Në fjalën e hapjes së saj, ajo premtoi se do të ishte avokate mbrojtëse e opozitës shqiptare. Por “ta mbash gjarprin nën sqetull – ai të pickon”. Kështu duket se ndodhi me kryetaren e Kuvendit – zemërgjerësia e së cilës duket se u mor për dobësi, dhe nuk u kuptua nga socialistët, të cilët filluan ta “gjuajnë me gurë”.
Socialistët e kanë keqkuptuar premtimin e kryetares së parlamentit. Duke dëgjuar termin “avokat mbrojtës”, ata kanë kujtuar se ky premtim shkon përtej parimeve të zonjës Topalli, saqë ajo do të dilte mbi veten dhe do të bëhej mbrojtëse edhe e lidhjeve të tyre korruptive apo kriminale, etj. Por jo! Edhe pse e gjendur nën presion, zonja Topalli deklaron se ajo nuk do të dorëzohet përballë presionit të atyre, që dalin në mbrojtje të korrupsionit dhe krimit.
Kjo ishte arsyeja kryesore pse socialistët kërkuan një mocion shkarkimi të kryetares së kuvendit, dhe ngatërresat që ata shkaktuan për gjoja procesin e votimit, me kuti apo elektronik, s’janë gjë tjetër vetëm një farsë kërcënuese e radhës.
Shumë zhurmë për asgjë
Ideatori i këtyre incidenteve në parlamentin shqiptar nga ana e opozitës socialiste, gjoja për të testuar “numrat” e pozitës në parlament, komentohet të jetë Ben Blushi. Të paktën kështu thonë disa nga analistët që rrinë afër tij. Protagonisti i sulmit agresiv ndaj sistemit elektronik të parlamentit shqiptar, u bë papritur Blendi Klosi – ky djalë i mefshtë, që edhe kur flet seriozisht, nuk ta mbush mendjen se e ka me gjithë mend… Papritur ai u bë heroi i ditës, heroi i së keqes…
Në emisionin “Zonë e Lirë” të së premtes, zoti Klosi tregoi strategjinë socialiste në opozitë. Citoj “detyra e opozitës është që të sulmojë pikat e dobëta të pozitës”. Tingëllon si diçka paradoksale dhe e mësuar përmendësh. Shikoni çfarë konceptesh shtet-formuese kanë socialistët e sotëm në opozitë?! Ata sulmojnë kot së koti sa për të bërë rrëmujë. Dhe ne të gjithë pyesim, ku është defekti i këtij tranzicioni të stërzgjatur shqiptar? Kush e ka fajin për mossuksesin e Shqipërisë? Përgjigjia është e thjeshtë, ndërsa zgjidhja mbetet e ndërlikuar.
Fakti që socialistët shqiptarë, si pasardhës së punistëve (komunistëve) të djeshëm, i kanë krijuar ndjenjën vetes se kanë lindur për të qeverisur, dhe në kohën qeverisjes ata zhvatin barbarisht pronën e përbashkët, të bën të mendosh se janë pikërisht ata arsyeja kryesore e dështimit të demokracisë në Shqipëri. Ata nuk pranojnë që dikush tjetër mund ta qeverisë këtë vend më mirë, prandaj ideatorët e tyre politikë, iniciojnë sulme të tilla ndaj pozitës, “në pikën e saj më të dobët” – siç edhe shprehen. Por Jozefina nuk është pika më e dobët e pozitës, ajo është në të vërtetë një nga pikat më të forta të saj!
Me anë të mocionit kundër zonjës Topalli, socialistët në fakt po inkriminojnë vetveten, duke u bërë mbrojtës të krimit dhe korrupsionit, ashtu siç u inkriminuan edhe gjatë fushatës së 3 korrikut, kur po mundoheshin t’ia faturonin PD-së tragjedinë e ’97-s. Menjëherë sapo zonja Topalli u shpreh në atë kohë se faji i vetëm i Berishës ishte që nuk u dha një plumb në kokë të gjithë politikanëve që qëndruan pas grupeve kriminale, socialistët në mjerimin e tyre moral e politik, viktimizuan vetveten, duke e marrë thënien e zonjës Topalli si personale – si akuzë kundrejt tyre (socialistëve). Me këtë veprim, socialistët treguan se ishin pikërisht ata që sollën tragjedinë e ’97-s, ashtu siç edhe po kërcënojnë këto ditë përsëri, se viti ’97 do të përsëritet… Për ironi, socialistët e parlamentit kërkojnë që pjesa e korruptuar e tyre të ketë liri për të përdorur paratë e vjedhura gjatë 8-vjetëve qeverisje, që të sabotojnë reformat e ndërmarra nga shteti demokrat shqiptar.
Me anë të incidentit të fundit, socialistët provuan të bëjnë shumë zhurmë për asgjë. Zonja Topalli dhe PD (që ka mazhorancën), kanë patur mundësi që ta zvarrisin këtë mocion për javë e muaj të tërë, pasi ai nuk ishte kaq i rëndësishëm për fatet e vendit. Ka shumë gjëra të rëndësishme që duhet të zgjidhë ai parlament, dhe jo të kthehet në arenë konflikti për veprime të stisura qëllimisht, gjoja për luftë politike. Por PD e lejoi mocionin të bëhej në 1 javë, për t’ju treguar socialistëve se shteti i sotëm mbron të drejtën e gjithsecilit para ligjit, ashtu siç mbron edhe të drejtën e tyre për të ngritur mocione kot së koti.
Nga ana tjetër, socialistët në filozofinë dhe botëkuptimin e tyre marrin kredit, kur bëjnë potere dhe shkaktojnë rrëmujë në një parlament, ku mazhoranca është e djathtë. Çdo fatkeqësi që krahu i majtë i sjell këtij vendi, në historinë 50-vjeçare, përbën sukses për këto vemje të partisë socialiste, të cilët nuk e duan një Shqipëri të zhvilluar dhe integruar, nuk duan një shtet funksional, por e duan Shqipërinë të ndarë nga bota, injorante dhe të varfër, që ata të kapardisen me fatkeqësinë e këtij populli. Se vetëm përmes kësaj fatkeqësie, përmes dështimit të shtetit shqiptar, injorantët socialistë mund ta bëjnë veten të dukshëm.
Arben Çokaj, 26 shkurt 2006