U mësuam…

0
1204
Gazeta Studenti

Duket sikur u mësuam me të pazakonshmen, nëse mund ta quaj kështu kohën e sotme (s’besoj të bëj gabim politik në këtë shprehje).

Ditët kalojnë të zhytura në atë monotoninë e tyre përcjellëse, e ne nuk jemi në gjendje të përcaktojmë pozicionin tonë në këtë hapësirë të ngushtë, të rrethuar me frymë njerëzish që presin. Para syve të shtrihen radhë të gjata njerëzish të racionuar, tezga, bregu i rrugëve me prodhime fshatarësh e biskota të skaduara dhe… padyshim vargje të gjata makinash, të sjellura nga refugjatët, që jetës së lodhur i tregojnë qartësinë se diçka po lëviz, se diçka është përmirësuar.

Kompleksi i varfërisë na ka atrofizuar disi, na ka mpirë, por edhe na ka futur egon e lupërve për të pasur, për të tërhequr gjithçka rreth vetes, për të qenë të pushtetshëm…, duke na bllokuar logjikën e mendimit, se edhe të tjerët hanë, edhe të tjerët duan të gëzojnë atë “copë” ajër për të marrë frymë lirshëm në “kasollen” e tyre, edhe të tjerët duan të jetojnë.

Duket sikur u mësuam me anomalitë dhe mungesën e parave, si rrjedhojë të ushqimeve, me mungesën e dritave… vajgurit… Çmimet shënojnë vetëm rritje e ne mësohemi shpejt, natyrisht.

Vazhdoj të jem student, meqenëse akoma s’kam ikur. Psikolgjia e ikjes, e braktisjes së këtij vendi, po na bëhet tepër tunduese e mbizotëruese. Jo rrallë ndesh njerëz, që vazhdojnë të mallkojnë veten, vendin e lindjes, e të qënit pa drita e pa ujë, është tepër e zakonshme, ashtu si edhe kronika e shtypjes me makinë, në orarin e shërbimit, të një polici (dhe vrasësit nuk identifikohen!), apo e dhunimit të një shtëpie. Duket mjaft e zakonshme vazhdimi i thyerjes së shisheve apo xhamave rrugëve, zënia aty-këtu e të “dehurve”, apo shuplaka që kërcet në fytyrën e ndonjë vajze, që përpiqet t’i rezistojë nderit të saj. Pra gjithçka po përligjet si e zakonshme…

“Kokat” politike vazhdojnë të zihen, duke skërmitur dhëmbët njëri-tjetrit e duke i shpalosur fuqinë e egërsinë përbindëshe “armikut” të tyre politik. Harrojnë se jemi shqiptarë, harrojnë se ka vend për të gjithë.

E unë si student vazhdoj nën indiferencën time të shoh gjithçka, të regjistroj gjithçka dhe… asgjë. Vazhdoj të shoh liderët idealistë – studentë të Dhjetorit, që janë përçarë në klane e grupe, që shajnë e fyejnë njëri-tjetrin, që janë bërë aq pragmatistë e personalë, që janë zhgënjyer padyshim. Shoh se si njerëzit po dalin jashtë vetvetes, duke jetuar një fazë të amullt dehjeje e duke harruar se gjithmonë e zeza shkruhet mbi të bardhë.

Të jesh i ndershëm është fatkeqësisht edhe çmimi më i shtrenjtë, bile kam filluar të besërtas si i oj se qënia i ndershëm është pamundësi e të qënit i pandershëm (ashtu si edhe virgjëria e vajzave). E unë si student vazhdoj të thërras me zë të lartë, vazhdoj të bërtas si i çmendur të çmendurve për tolerance, për qetësi… për bukë… vazhdoj të bëj moral pa moralizuar vetveten e pa nxjerrë asnjë zë. Pra vazhdoj të hesht!

Sepse u mësuam… apo na duket sikur u mësuam?…

Arben Çokaj
Publikuar: Studenti, dhjetor 1992

LEAVE A REPLY

Ju lutem, lini komentin tuaj!
Ju lutem, fut emrin tuaj këtu